S’dihet sa ka qenë efikas aplikacioni “Stop Korona”, shumë pak instalime në krahasim me atë çka u paralajmërua
Nuk dihet se sa ka qenë efikas aplikacioni “Stop Korona”, i cili kishte për detyrë që t’u ndihmojë qytetarëve në identifikimin e kontakteve që mund t’i kenë pasur me persona të infektuar me KOVID-19. Numri i instalimeve larg atij që e paralajmëruan autoritetet, shkruan Portalb.mk.
Ministria e Shëndetësisë nuk na është përgjigjur në lidhje me atë se sa ka qenë efikas aplikacioni “Stop Korona”, i cili do t’ua lehtësonte punën epidemiologëve, sa i përket çështjes së anketave dhe gjetjes së të gjitha kontakteve dhe do ta shkurtonte kohëzgjatjen e epidemisë.
Nga ana tjetër, pritjet e autoriteteve që aplikacionin “Stop Korona” do ta instalojnë mbi 200.000 qytetarë nuk janë realizuar, pavarësisht reklamimeve, fushatave, e madje dhe iniciativës së vetë Qeverisë që i njëjti të instalohet me qëllim që të zbulohen kontaktet e afërta me personat e infektuar potencialisht me KOVID-19.
- 22 prill 2020: Autoritetet presin që mbi 200.000 qytetarë të RMV-së ta përdorin aplikacionin “Stop Korona”, deri tani e kanë instaluar mbi 47.000
Në 10 ditët e para, pas promovimit, aplikacionin e kanë instaluar 47.000 qytetarë. Pritjet e asokohshme të autoriteteve ishin që ky aplikacion do të instalohej në mënyrë masive, megjithatë nuk ndodhi kështu. Në 5 muajt e fundit, aplikacionin e kanë instaluar vetëm mbi 17 mijë qytetarë, apo thënë në numër të përgjithshëm, 67.507.
Për numrin e ulët të instalimeve, i pyetëm nga Ministria e Shoqërisë Informatike, por ata thanë se me këtë aplikacion menaxhon Ministria e Shëndetësisë dhe se ata nuk kanë kompetenca.
Portalb.mk, ka kontaktuar me autoritetet shëndetësore për të mësuar se sa është numri aktiv i përdoruesve, megjithatë ata këtë numër nuk mund ta konfirmojnë, për shkak mënyrës së funksionimit të aplikacionit.
“Duke e pasur parasysh mënyrën e funksionimit të aplikacionit, të gjitha të dhënat ruhen në mënyrë lokale në pajisjen telefonike të personit i cili është regjistruar. Të dhënat ndaj lokacionit qendror dërgohen vetëm kur personi i cili është dëshmuar pozitivisht në KOVID-19-të do të pajtohet dhe do të vendos t’i dërgojë të dhënat. Prej këtu, nuk mundet që të ndiqet numri i shfrytëzuesve aktiv, por vetëm numri i shfrytëzuesve të regjistruar”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Vlerësimi i aplikacionit nga qytetarët që e kanë përdorur të njëjtin, është vetëm 3.3 nga nota 5 dhe shumica e komenteve që janë në Play Store, janë në kontekst negativ.
Aplikacioni u promovua më 13 prill të këtij viti dhe për të cilin u paralajmërua se do të jetë shumë i rëndësishëm për dhënien e fotografisë së vërtetë të pandemisë, bashkë me bërjen e vlerësimit të imunitetit të popullsisë.
Fushata për instalimin e aplikacionit thuajse është shuar. Thirrjet e përditshme të autoriteteve për të përdorur këtë mjet, kanë mbetur në muajin prill. Nga ajo që ne kontrolluam, prej muajit maj autoritetet nuk kanë bërë fushatë.
Për dallim prej tani, funksionarët e asaj kohe bënin thirrje të vazhdueshme për ta instaluar.
“Instaloje aplikacionin nga stop.koronavirus.gov.mk dhe aktivizoje Bluetooth-in. Kur telefoni juaj do të gjendet në afërsi me telefonin e personit të infektuar me COVID – 19, i cili gjithashtu ka aktivizuar aplikacionin, kjo informatë me lejen tuaj, regjistrohet në sistemin shëndetësor”, thirri kryeministri i atëhershëm, Oliver Spasovski, më 29 prill.
“Do të vijë një periudhë kur do të duhet të bëhet edhe mesatare, vlerësim, që të shohim se si t’i dimensionojmë masat tjera që do të duhet t’i ndërmarrim apo do t’i rekomandojmë për në verë, në fund të verës dhe në fillim të vjeshtës. Atëherë ky aplikacion, bashkë me nevojën për vlerësimin e imunitetit të popullatës dhe do të jetë me rëndësi të madhe pasi që do të tregojë për kontaktet që ndoshta ndonjë njeri nuk ka qenë i vetëdijshëm se i ka pasur në ndonjë moment”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, më 22 prill.
“Aksioni për instalimin e aplikacionit nëpërmjet mjekëve, mendoj se do të japë fryte. Përsëri do të theksoj, nuk kemi për qëllim që të vendosim masa restriktive dhe atë njerëzit ta ndjejnë si një lloj obligimi, edhe pse do të duhej të jetë obligim qytetar. Thjeshtë dëshirojmë që të ndjehen se duhet ta shkarkojnë për mbrojtjen e njerëzve”, deklaroi ministri i atëhershëm i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, më 21 prill.
Madje Qeveria në seancën e 19 prillit miratoi rekomandim që të gjithë punonjësit në organet e administratës shtetërore, ndërmarrjet publike të themeluara nga shteti, shoqëritë aksionare në pronësi të shtetit, agjencitë, fondet, zyrat, entet, drejtoritë dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore. Në të njëjtën kohë, i ka udhëzuar njësitë e vetëqeverisjes vendore, ndërmarrjet publike dhe personat e tjerë juridikë të themeluar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe punonjësit e sektorit privat, ta instalojnë këtë aplikacion.
Në të njëjtën kohë, Qeveria kërkoi nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të Republikës së Maqedonisë së Veriut që të detyrojë të gjithë mjekët amë në vendin tonë që t’u rekomandojnë pacientëve të tyre ta instalojnë aplikacionin mobil “Stop korona!”
Qeveria, e ngarkoi me detyrë Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës që të propozojë stimulime plotësuese për ata që do ta instalojnë “Stop korona!”. Gjithashtu, qeveria e ka ngarkuar këtë ministri që të paraqesë dekret me fuqi ligjore me të cilën të gjithë televizionet dhe radiot do të duhet të transmetojnë mesazhe informuese të përgatitura nga Ministria e shëndetësisë dhe Qeveria në lidhje me KOVID-19, në një kohëzgjatje prej 2- 3 minuta, çdo orë në programet radio – televizive.
Qeveria, sot nuk iu përgjigj pyetjes sonë se a kanë ndonjë raport, apo evidencë në lidhje me atë se sa është respektuar rekomandimi i tyre për të instaluar këtë aplikacion.
Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale, ka dhënë mendim pozitiv për përdorimin e këtij aplikacioni. Ai është në dispozicion për telefonat “IOS” dhe “Android”. Qytetarët që do të shkarkojnë atë, do të duhet të lëshojnë bluetooth-in dhe lokacionin në telefonat e tyre çdoherë kur janë jashtë shtëpisë, që të mund të regjistrohen kontaktet.