FËMIJËT E TABLETIT

“Nëse doni t’i bëni keq fëmijës suaj, plotësojini çdo dëshirë.”

Pas epokës bujqësore dhe industriale, tanimë shoqëria njerëzore ka hyrë në periudhën informatike, madje edhe në atë robotikës apo të inteligjencës artificiale. Zhvillimi marramendës i shekullit XXI (digjitalizimi, iPhone, iPad, PlayStation, video-lojërat etj.), përveç shumë të mirave shkakton edhe kokëçarje, në veçanti për familjet në raport me pasardhësit, me fëmijët e tyre, që i duan shumë por edhe druajnë për qenien e tyre të sfiduar nga veglat e shoqërisë virtuale, të high-tech, të botës së ekranit (on-screen world), simulakrumit, realitetit të augmentuar, të prodhimit dhe shpërndarjes së dijes dhe të dhënave (shpeshherë të padobishme apo të dëmshme), të një “bote tjetërfare” që krijon varësi, që dobëson muskujt konjitivë, që dërrmon trurin në zhvillim e sipër të fëmijës (Sigman, 2016), por edhe të të rriturve.

Këtyre ditëve, manjati shqiptar i botimeve, Logos-A nxori një vepër tjetër prominente, Famijët e tabletit, të autorit Ramazan Shimshek: një ekspert i psikologjisë, i cili ka vite që merret me studime lidhur me vëmendjen neurologjike, përqendrimin, motivimin, edukimin e memories, hiperaktivitetin, belbëzimin, brengën, anksiozitetin shkollor, mungesën e vetëbesimit, problemet e komunikimit, ato të pjekurisë dhe varësinë nga kompjuteri/interneti; që ka mbajtur leksione individuale dhe institucionale në këto fusha. Ai është aplikues i certifikuar i testit WISC-R, sugjeruar nga Universiteti i Stanfordit në lidhje me matjen e vëmendjes. Është certifikuar edhe për terapinë Schema, për metodën Gottman dhe për psikoterapinë EMDR.

Shimshek ushtron këshillim familjar dhe martesor, mban seminare për komunikin brendafamiljar, për zhvillimin e performancës, për depresionin, panikun, fobinë, traumën; këshillon entet parashkollore, organizon kurse mbi edukimin institucional, për botën e biznesit; kurse mbi teknikat për sukses të lartë akademik për studentët. Në këto veprimtari ai ka kaluar mbi 50 mijë njerëz.

Përveç Fëmijët e tabletit është autor edhe i Doracak për shmangien e mungesës së vëmendjes dhe shfrytëzimin efektiv të trurit (2009), Zakone të reja në katundin e moçëm (2012), Kopshti i oratorisë (2012), Qasje të reja në kurimin e mungesës së vëmendjes (2014), Mungesa e vëmendjes dhe disleksia (2019) etj.

Libri që keni në dorë përbën një nga veprat e tij referencë lidhur me kujdesin prindëror dhe psikologjinë fëmijërore. Ky studim trajton çështjen e rritjes së fëmijëve në botën digjitale, gjetjen e mënyrave për një shfrytëzim të drejtë të teknologjisë, tekno-shpërfilljen (Goodwin, 2018), tezën se tabletët dhe celularët i shkëpusin fëmijët nga natyra dhe rrethanat (gjë që i hap dyert narcizmit, pakënaqësisë, dëshpërimit dhe ankthit (Yahşi, 2019); se dëmtojnë aftësinë e përqendrimit, dëgjimit të qëndrimeve të të tjerëve, komunikimin me ta, aftësinë e një fjalori të gjerë e kështu me radhë. (Margalit, 2016)

Më së pari autori jep profilin e fëmijëve të sotëm, që janë kokëfortë, impulsivë, agresivë; që nuk janë të kënaqur me asgjë, ndonëse kanë gjithçka; që fiksohen pas lojrave dhe teknologjisë smart, por, nga ana tjetër frikësohen nga dhoma, janë egoistë, të varur, nuk kanë vetëbesim, s’janë të gatshëm të dalin as te marketi më i afërt e çështje të ngjashme.

Pasi autori konstaton gjendjen e krizës në raportet prindër-fëmijë-teknologji informatike, duke qenë se ka një përvojë të madhe ofron edhe kurën, apo metodologjinë e një përballjeje sa më efektive me këtë problem kyç të kohës. Mes të tjerash ai thekson se fëmijët janë një kopsht ku mund të mbjellim pemë ose lule, por mund të na dalin edhe ferra. Edukimi i fëmijës nuk fillon me mësuesin e mirë, por me prindërit e mirë. E thënë ndryshe, gjiri familjar përbën shkollën më të rëndësishme të jetës. Edukimi duhet të fillojë nga dashuria, nga miqësimi dhe nga lojërat që duhet të zhvillojmë me fëmijën. Kultivimi i fëmijës nuk nënkupton t’i presësh krahët, por ta mësosh se si të fluturojë; pra, jo ta privosh nga teknologjia, por ta mësosh se si ta përdorë sa më dobishëm. Ai sugjeron një komunikim më të shpeshtë me fëmijët, duke nënvizuar se gjëja më e mirë që mund t’i japë prindi fëmijës është koha (të paktën 45 minuta në ditë).

Të rriturit duhet ta njohin më mirë botën fëmijërore, duhet t’u japin liri që ndonjëherë edhe t’i përmbysin gjërat në dhomë; duhet të gjejnë alternativa për metodën e ndëshkimit: vlerësimi, shpërblimet, shenjat motivuese etj. Ndërkohë duhet ngjallur ndjenja e vetëbesimit, që nis qysh në çerdhe (në moshën 3-vjeçare); duhen shmangur ekzagjerimet, dajaku etj.; u duhet dhënë një edukatë mediatike, duke u treguar se cilët filma janë të dobishëm, t’u shmangen armiqve të trurit të tyre, të udhëzohen për një shfrytëzim racional të pajisjeve elektronike, duke caktuar edhe kohën adekuate për çdo moshë.

Librin e bëjnë edhe më të vyer karikaturat, imazhet, rastet nga përvoja e autorit, shënimet e të urtëve (Xhibrani), studiuesit me peshë (Dr. Ruskin), të dhënat empirike dhe sidomos gjuha e thjeshtë dhe e kuptueshme nga të gjithë.

Si përfundim, mund të themi se Fëmijët e tabletit është një vepër kidologjike që duhet lexuar nga çdo prind i kohës sonë, që duhet të jetë në bibliotekën e çdo familjeje. Po ashtu, vepra vlen edhe për mësuesit, pedagogët dhe punëtorët e institucioneve arsimore, që kanë të bëjnë me një profil fëmije shumë më të ndryshëm nga ai i së kaluarës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button