Shqipëri, filloi viti i ri shkollor

Në Shqipëri ka filluar në kushtet e pandemisë procesi mësimor për vitin e ri shkollor në institucionet e arsimit parauniveristar, ndërkohë 31 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës, raporton Anadolu Agency(AA).

Në të gjithë vendin institucionet arsimore të sistemit parauniversitar për vitin e ri shkollor 2020-2021 kanë hapur dyert sot për nxënësit e shkollave të mesme dhe shkollave 9-vjeçare, sipas masave të përcaktuara për mbrojtjen ndaj pandemisë së koroavirusit të ri (COVID-19).

AA ka ndjekur nisjen e vit të ri shkollor në Shkollën 9-vjeçare “Kosova” në Tiranë, ku nxënësit janë paraqitur në shkollë duke zbatuar protokollin e masave të vendosur nga institucionet.

Mësimi aktualisht do të zhvillohet me pjesëmarrjen e nxënësve në shkolla, sipas protokollit shëndetësor të masave, që përfshin mbajtjen e maskave, ruajtjen e distancës fizike, qëndrimin e vetëm një nxënësi në bankë dhe masa të tjera që lidhen me mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Sipas një udhëzimi të publikuar më parë nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, parashikohen tre skenarë të mundshëm të zhvillimit të procesit mësimor, si mësim në shkollë, mësim i kombinuar (në shtëpi dhe në shkollë) dhe mësim në kushtet e shtëpisë (online), skenarë që do të vihen në zbatim në varësi të ecurisë së situatës epidemiologjike nga pandemia COVID-19.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit zyrtarë të lartë të vendit, si Presidenti Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi dhe Kryeministri Edi Rama.

Kujtojmë se në mars të këtij viti, Shqipëria vendosi mbylljen e institucioneve arsimore publike dhe jopublike, në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit, ndërkohë viti i ri shkollor fillon me masa të reja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button