“Monstra”, inspektorët e policisë nuk dinë të tregojnë se kush e ka paraqitur i pari “Opel Omegën”

Katër të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dëshmuan në seancën e sotme të rastit “Monstra”, për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012, njofton Portalb.mk.

Dëshmitarëve një pjesë e ngjarjeve u kujtohen në detaje, por për atë se kush e ka paraqitur “Opel Omegën” nuk mundën të përgjigjen, duke u arsyetuar se kanë kaluar 8 vjet nga ngjarja.

Njëri prej tyre, i cili ende është i punësuar në Qendrën për Raportin të MPB-së i cili ka qenë në punë më 13 prill të vitit 2012 tha se nuk i kujtohet nëse nëpërmjet “qytetarit përgjejgës” ose nëpërmjet “patrullës policore” është paraqitur se është gjetur një automjet i parkuar përreth rrugës, por i kujtohet se pas paraqitjes ka vepruar sipas procedurës. Dëshmitari i udhëzoi gjykatësit që zyrtarisht të kërkojnë nga MPB t’u dorëzojnë listë për atë ditë me çka do të vinin në përgjigjen se si ka arritur paraqitja deri te Qendra.

Sipas avokates Dafinka Ivanovska, e cila i përfaqëson prindërit e fëmijëve të vrarë, deklaratat e dëshmitarit përputhen me atë që është shkruar në procesverbalet dhe shënimet zyrtare të cilat janë prova materiale në lëndë. Për atë, ajo konstaton se dëshmitarët e kanë konfirmuar se inspektorët dhe eprorët kanë punuar sipas protokolleve dhe rregulloreve.

Nga ana tjetër, mbrojtja mohon kategorikisht lidhjen e “Opel Omegës” me rastin, pasi që sipas tyre, automjeti që është paraqitur ka mundur të jetë përdorur për qëllime të tjera.

‘Neve na intereson personi i parë se kush e ka lajmëruar këtë rast dhe na intereson se kush është ai personi që është lidhur me këtë delikt. Për çfarë arsye, pra një ditë pas rastit menjëherë është lajmëruar se ka veturë të cilën e kanë lidhur me ngjarjen. Vetura s’ka të bëjë me këtë delikt dhe këtë do ta dëshmojmë pasi të bëhet ekspertiza e dheut. Edhe vetë provat e tregojnë këtë gjë”, ka thënë paraprakisht për Portalb.mk, avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Seanca e radhës është caktuar për më 21 shtator me nxjerrjen e dëshmive të Prokurorisë.

Vetura “Opel Omega”

Automjeti “Omega” është gjetur më 13 prill të vitit 2012-të (një ditë pas vrasjes) në zonën e Bllacës, apo në vendin e quajtur Vrazhivir. Ish ministrja e Brendshme, Gordana Jankulloska, më 16 prill (katër ditë pas vrasjes) deklaronte se “dyshon” që vetura është përdorur nga kryerësit e vrasjes. Ky pohim i ministres më pas u bë dhe aktakuzë.

Kanë udhëtuar 4-5 persona, janë gjetur gjurmë biologjike vetëm të njërit

Gjatë gjykimit të parë, trupi gjykues nuk lejoi ta shikonin palët veturën, por ua treguan vetëm në fotografi. Kjo ishte dhe një ndër vërejtjet e Gjykatës Supreme, për çka e ktheu lëndën në rigjykim. Pasi u nis lënda nga e para, trupi i ri gjykues, i udhëhequr nga gjykatësit Ognen Stavrev dhe Osman Shabani lejuan që vetura të bëhet publike, jo vetëm për palët, madje edhe për gazetarët dhe mediat.

Sipas ekspertëve të MPB-së, me veturën “Opel Omega” kanë udhëtuar 4-5 persona, por prej 4 profileve të ADN-së nga gjurmët biologjike, vetëm njëri është përshtatur me njërin nga të akuzuarit, konkretisht me të akuzuarin Alil Demiri. Tre profilet e tjera s’kanë mundur të identifikohen për shkak të koncentrimit të dobët të qelizave apo tretjes së tyre.

Robert Janevski nga MPB, doktor shkence i gjenetikës, në seancën ku shpjegoi për gjetjen e gjurmëve biologjike tha se profilin e ADN-së të Demirit e kanë pasur më lehtë ta gjejnë, pasi që paraprakisht Demiri ka qenë i regjistruar në regjistrin e personave të dyshuar në MPB dhe nga një rast paraprak ia kanë marrë gjurmët biologjike dhe tani vetëm kanë bërë krahasim dhe e njëjta ka rezultuar të jetë e njëjtë, ndërkaq profilet tjera nuk është mundur të konstatohet për shkak të koncentrimit të ulët të qelizave, gjegjësisht që siç tha ai për shkak të “prekjes apo fërkimit të dobët me objektin”.

Nga seancat gjyqësore paraprake lidhur me “Opel Omegën” kontestuese, mund të lexoni:

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim, por autoritetet kosovare ende nuk i kanë ekstraduar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button