Rasti “Monstra”, “Opel Omega” i ka pasur targat e një “Mercedesi”, MPB ka kontrolluar edhe 4 vetura tjera

Vetura “Opel Omega”, e cila sipas aktakuzës ka qenë mjeti i transportit të të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës në natën e kobshme të 12 prillit të vitit 2012, ka pasur targa të falsifikuara, ndërkaq pronari i veturës nuk dihet pasi që e njëjta është sjellë prej jashtë shtetit dhe asnjëherë s’është regjistruar në Maqedoni. MPB ka kryer ekspertizë edhe në katër vetura tjera për të gjetur gjurmë të gishtërinjve nga të akuzuarit, njofton Portalb.mk.

Ministria e Punëve të Brendshme për lëndën ka kryer ekspertizë të 5 veturave, për të gjetur gjurmë të gishtërinjve nga të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës. Të gjitha veturat momentalisht gjenden në MPB, përveç asaj më kontestuese “Opel Omega” e cila gjendet në Agjencinë për Menaxhim me Pronat e Konfiskuara.

Vetura Opel Omega e cila dyshohet se e kanë shfrytëzuar autorët e vrasjes së pesëfishtë pranë Liqenit të Smillkovës
“Opel Omega”, në vendin ku e ka gjetur policia

MPB ka kryer ekspertizë të veturës “Pezho 306” e cila ka qenë në pronësi të Alil Demirit, “Mazda 626”, në pronësi të Haki Azirit, “Pasat” në pronësi të Afrim Ismailoviq, “Golf 3” ka qenë me targa të huaja dhe vetura kontestuese Opel Omega, e cila ka qenë me targa të falsifikuara.

Eksperti i cili e ka kryer analizën e identitetit të veturave nëpërmjet sistemit evropian për regjistrim të veturave, sqaroi se të gjitha veturat janë origjinale, por vetëm vetura “Opel Omega” edhe pse ka qenë veturë origjinale, ka qenë me targa të rrejshme, gjegjësisht e njëjta asnjëherë nuk është regjistruar në Maqedoni.

“Vetura “Opel Omega” është me numër origjinal identifikimi, por gjatë kontrollit në sistem është konstatuar se targat janë origjinale, por nuk janë të asaj veture, por të një veture “Mercedes tip123”. Nga kontrollet e kryera në bazën e veturave të regjistruara në Maqedoni për “Opel Omega” është konstatuar se kjo veturë asnjëherë nuk është regjistruar në Maqedoni”, deklaroi eksperti Goce Markov.

Në pyetjen e PSP-së, nëse ka pasur çelës në veturë, kur janë kryer kontrollet, eksperti tha se vetura ka qenë me çelës origjinal, e ka ndezur me sukses dhe në bord kompjuter ka parë se ka karburant për edhe rreth 130 km.

Rasti "Monstra" opel omega
“Opel Omega” në Agjencinë për Menaxhim me Pronat e Konfiskuara

Markov gjithashtu tregoi se të gjitha këto vetura gjenden në MPB, përveç “Opel Omegës”, ndërkaq në pyetjen se pse vetëm ajo nuk gjendet në MPB, ai tha se “nuk ka njohuri”.

Ndaj kësaj pati vërejtje pala mbrojtëse duke theksuar se qëllimisht nuk është siguruar siç duket “Opel Omega”, edhe pse është vetura më e rëndësishme, por janë siguruar veturat të cilat janë të parëndësishme, transmeton Portalb.mk.

“Kemi dyshim provat janë të montuara. Prej të gjitha veturave të cilat janë marrë nga MPB për këtë lëndë, vetëm “Opel Omega” që është më i rëndësishëm nuk është siguruar ashtu siç duhet sipas ligjit. Gjithashtu, një vit e gjysmë nuk është ditur se ku është vetura dhe ende nuk është gjetur çelësi”, tha avokati i palës mbrojtëse, Naser Raufi.

Ndaj kësaj ka reaguar edhe familjari Bedri Ajdari duke akuzuar se MPB ka bërë mashtrim me veturën “Opel Omega” dhe se qëllimisht nuk ka gjetur hapësirë për ruajtjen e së njëjtës në hapësirat e saj.

“Pra për veturat të cilat janë për vepra më të ulëta. A e keni të qartë se për çfarë bëhet fjalë? Ku është çelësi? As e kemi poseduar ne, as për ekspertizë as për asgjë, por çelësi qëndron në MPB dhe dallaverja është këtu”, tha Ajdari..

Në seancë u prezantuan analizat e gjurmëve të gishtërinjve në veturat që janë marrë për analizë

Dy ekspertët të cilët kanë kryer analizë të gjurmëve nga gishtërinjtë dhe gjurmëve në veturat “Pezho 306” dhe “Volksvagen Pasat” thanë se pas kryerjes së analizave te të njëjtat vetura, te “Pezho 306”, janë identifikuar gjurmë të Alil Demirit dhe të personit Sami Luta, të cilat janë vendosur në sistemin për analiza në SPB Shkup, ndërkaq nga gjurmët në “Volksvegen Pasat” janë identifikuar Alil Demiri, Agim Ismailoviq dhe Fejzi Aziri.

Familjari i të akuzuarve, Bedri Ajdari, shprehu dyshimin për ekspertizën e gjurmëve të gishtërinjve dhe ekspertizën e objekteve të marra nga veturat, duke theksuar se të gjitha veturat tjera të marra janë analizuar detajisht, përveç “Opel Omegës”.

“Sot e pamë se vetura “Opel Omega”, është kontrolluar në ekspertizën e MPB-së, eksperti ka treguar qartë se çelësi i veturës ka ekzistuar në veturë dhe me të njëjtën e ka ndezur veturën. Çelësi ka ekzistuar, ndërkaq përpara një muaji e gjysmë e pamë se vetura s’kishte çelës.”, tha Ajdari.

Familjarët dhe avokatët e të vrarëve s’kanë vërejtje për ekspertizat

Nga ana tjetër, pala mbrojtëse e të vrarëve, deklaroi se  MPB ka gjetur linja papilare, gjegjësisht gjurmë të gishtërinjve dhe se është konstatuar ajo që ka qenë paraprakisht.

“Janë kontrolluar veturat nga të gjitha anët brenda. Janë gjetur llogari fiskale, shumë objekte tjera dhe formularë. Është konstautar se në fakt, për dy nga të akuzuarit janë gjetur linjat papilare. Në lidhje me “Opel Omega”, eksperti i MPB-së e tregoi procedurën në lidhje me veturat të cilat janë të vjedhura, që ka ndryshime ose falsifikime. Të gjitha veturat janë origjinale, por vetura “Opel Omega” ka dalë se është origjinale, por targat janë prej një veture “Mercedes”, tha Dafinka Ivanovska, përcjellë Portalb.mk.

Në fund të seancës, njëri nga familjarët e të vrarëve deklaroi se ekziston një dokument me të cilin, vërtetohet se vetura “Opel Omega” është prej Zvicre, ndërkaq për një kohë ka qëndruar në Kaçanik dhe se kjo është në kundërshtim me deklaratat e avokatit Naser Raufi, se vetura është e MPB-së. Pas kësaj, familjari vazhdoi ta ofendojë avokatin, ndërkaq Raufi kërkoi nga gjykatësi që i njëjti të largohet nga seanca, megjithatë seanca ishte në fund.

Gjykatësi i lëndës, Ogenen Stavrev, në fillim të seancës njoftoi se ende nuk ka përgjigje nga autoritetet shtetërore në lidhje me kërkesën për ekstradimin e dy të akuzuarve, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, të cilët janë në arrati në Kosovë.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje, përcjellë Portalb.mk.

 

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur kanë qenë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

LEXO PËR SEANCAT PARAPRAKE
LEXO: “Monstra”, në Opel Omega ka pasur 4-5 persona, por MPB ka gjetur gjurmë biologjike vetëm nga Alil Demiri
LEXO: “Monstra”, ekspertët mostrat nga dheu dhe gëzhojat nuk i kanë marrë nga terreni, por ua kanë dhënë në laboratori
LEXO: “Monstra”, familjarët e të akuzuarve nuk e pranojnë si dëshmi “Opel Omegën”
LEXO: “Monstra”, në Opel Omega ka pasur 4-5 persona, por MPB ka gjetur gjurmë biologjike vetëm nga Alil Demiri
LEXO: “Monstra”: Opinioni pas gjashtë vitesh e pa veturën “Opel Omega” që është dëshmi e rastit
LEXO: “Monstra”, natën e vrasjes dëshmitari “E1” ka qenë në Liqenin e Smillkovës (VIDEO)
LEXO: “Monstra”: Opinioni pas gjashtë vitesh e pa veturën “Opel Omega” që është dëshmi e rastit
LEXO: Familjari i të vrarëve: E kam fotografinë e një agjentit që i është gjetur telefoni në veturën “Opel”
LEXO: Monstra: vrasësi është vozitur me veturën Opel, avokati thekson: dëshmitë me mangësi
LEXO: “Opel”-i është vërejtur edhe më herët afër vendit të vrasjeve
LEXO: Monstra: Ekspertët kanë gabuar gjatë ekspertizës
LEXO: ‘Monstra’- Dëshmitari: Vetura e gjetur i takon policisë
LEXO: Detaje nga dëshmitë në “Monstra”: natën e kobshme, 3 peshkatarë u panë me një person me pushkë automatike
LEXO: Rasti “Monstra”, dëshmitari Bekir zbuloi atë që s’e thanë dëshmitarët Memedov dhe Nesim

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button