Thaçi: Njohja nga Izraeli nuk e cenon partneritetin me Turqinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se njohja e Kosovës nga Izraeli ka ndodhur në momentin më të duhur të mundshëm dhe se ajo nuk do ta cenojë partneritetin me Turqinë. Sipas tij, kjo është një e arritur e madhe dhe strategjike për vendin.

Izraeli, tha ai, ka qenë i përfshirë në procesin e Kosovës që nga periudha e luftës, duke strehuar refugjatë nga Kosova, transmeton REL.

“Se pse është vonuar njohja, është çështje tjetër dhe e kuptueshme për interesin e Izraelit… Se a do ta njihte Kosovën Izraeli, ka qenë e njohur botërisht se kjo do të ndodhte. Megjithatë, kjo ka ndodhur në momentin më të duhur të mundshëm”, tha Thaçi në një konferencë për media në Prishtinë.

Njohja nga Izraeli është pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Marrëveshja u nënshkrua më 4 shtator në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe njëra pikë e saj thotë: “Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin”.

Ambasada turke në Prishtinë reagoi, duke thënë se Turqia e kundërshton hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Turqia, si një nga vendet e para që njohu Kosovën, gjithashtu që ka siguruar një mbështetje të madhe për përpjekjet drejt njohjes ndërkombëtare të këtij vendi që nga fillimi, nuk e sheh të drejtë që ky proces të ndërtohet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, territoret e të cilit janë nën okupim”, tha Ambasada e Turqisë në Prishtinë në një postim në mediat sociale, ditën e diel.

Turqia dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar konsiderojnë se Izraeli i ka pushtuar territoret palestineze, përfshirë Jerusalemin lindor, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Lidhur me këtë, Thaçi tha se ka biseduar përmes telefonit me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe e ka siguruar se njohja nga Izraeli “nuk do të cenojë në asnjë rrethanë partneritetin miqësor me Turqinë”.

“Për hir të transparencës, dëshiroj të informoj edhe për shqetësimin që kemi marrë nga Liga Arabe dhe presidenti Erdogan, sa i përket njohjes së ndërsjellë Izrael- Kosovë. Unë jam në kontakt me presidentin Erdogan, kemi diskutuar në telefon. Kjo njohje nuk do ta cenojë në asnjë rrethanë partneritetin miqësor dhe vëllazëror me Turqinë. Tani do të kemi aleatë edhe më të mëdhenj dhe më të fuqishëm në rrafshin e fuqizimit global të shtetit të Kosovës”, tha Thaçi.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button