Më të devotshëm në Ballkan janë muslimanët e Maqedonisë

93 për qind e myslimanëve agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit tregojnë rezultatet e Institutit “Pew”, që ka hulumtuar sivjet  se sa agjërohet Ramazani ndër myslimanët në botë, realizuar me 38.000 persona të fesë islame në 39 shtete.

Rreth 80-të për qind e myslimanëve në Maqedoni agjërojnë, përqindje kjo që është më e larta ndër shtetet e Ballkanit. Sipas hulumtimit, në Shqipëri agjërojnë 44 për qind e besimtarëve mysliman, në Bosnjë – Hercegovinë agjërojnë 75 për qind e myslimanëve, në Kosovë 76 për qind e besimtarëve myslimanë.

“Gjatë kohës së Ramazanit mjaft janë të frekuentuara xhamitë, ka këshilla, ligjërata fetare, kemi hapësirë  nëpër mediume në lidhje me ibadetet e agjërimit dhe ibadeteve të tjera. Kuptohet, edhe kur se kemi pas këtë hapësirë feja te ne ka qenë mjaft aktive. Në vitet 70-të 80 kanë qenë shumë aktive mejtepet e Xhamive ku është zhvilluar mësim besimi për gjeneratat e reja dhe padyshim se shihen edhe frytet e asaj pune që është bërë. Pastaj  që nga viti 1984 një rol të rëndësishëm luan edhe medreseja ‘Isa Beu’”, thotë për “Lajm”, sekretari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFIM), Afrim Tahiri.

Sipas tij përqindja e myslimanëve që agjërojnë në Maqedoni, është më e lartë se 80-të për qind ndërsa në të gjendet numri më i madh i teologove islam në Ballkan, ka xhami me dy, tre e më shumë  hoxhallarë.

Ai sqaron se në krahasim  me numrin e popullatës, Maqedonia është ndër të parët në Ballkan e më gjerë që ka numrin më të madh të teologëve islam.

Gjithashtu hulumtimi i “Pew” tregon se përqindja e myslimanëve që agjërojnë në Kazakistan është më e ulëta në botë. Vetëm 30-të për qind e myslimanëve të Kazakistanit agjërojnë këtë vit, pastaj radhitet Azerbajxhani me 43 për qind, Uzbekistani me 50 për qind, Kirgistani me 53 për qind dhe Kongo me 69 për qind.  Ndërkaq, numri më i madh i atyre që agjërojnë janë në Tajlandë, ku pothuaj se e tërë popullata agjëron, si dhe në Kamerun, Indonezi dhe Malajzi. Pastaj radhitet Marok me 98 për qind e Çadi e Senegali me 97 për qind. Në Afganistan, Etiopi dhe Keni agjërojnë rreth 96 për qind e popullsisë, ndërsa në Egjipt e Turqi është 95 për qind e popullatës që agjërojnë.

Duke i shikuar në bazë të kontinenteve, numri më i madh i myslimanëve në botë që agjërojnë janë në Azinë juglindore, ku 99 për qind e popullatës myslimane agjëron në Ramazan. Pastaj vjen Azia jugore me 96 për qind, Lindja e afërt dhe Afrika Veriore me 93 për qind, Afrika e Saharës me 91 për qind, Evropa dhe Evropa Jugore me 62 për qind ndërsa në vendin e fundit gjendet Azia Qendrore me 58 për qind.

Lajme të ngjashme

Back to top button