Neni 5- komponenti kryesor i NATO-s

Pushtimi i Berlinit nga forcat sovjetike në majt të vitit (1945), paraprakisht krijoi skenën e Luftës së Ftohtë që do të pasonte menjëherë me përfundimin e LDB-së. Konferenca e Postdamit (1945) njëkohësisht paraqiste një ndarje të re të Evropës. Ndërsa fjalimi i ish kryministrit britanik Uinston Çurçill në Felton të shtetit Mizuri të ShBA-ve të vitit (1946) paralajmëronte fazën e parë të fillimit të Luftës së Ftohtë që zgjati deri në vitin 1989 me rrëzimin e Murit të Berlinit.

Dy aleanca ushtarake u themeluan gjatë Luftës së Ftohtë, NATO (1949) dhe Pakti i Varshavës (1955). Siç përmendëm NATO dhe neni 5 u krijuan në vitin 1949, kur lëvizjet komuniste të mbështetura nga BRSS-ja përbënin një kërcënim serioz për qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike në të gjithë Evropën e dalë nga lufta.

Kur avionët transportues amerikanë, francezë dhe britanikë dërgonin ushqim, karburant dhe furnizime të tjera për qytetarët e izoluar të Berlinit Perëndimor nga sovjetikët, në fakt kjo ishte një fitore e hershme e Perëndimit ndaj Bashkimit Sovjetik. ShBA me Planin Marshall (1948), ofroi ndihmë ekonomike vendeve të shkatërruara evropiane, dhe njëkohësisht braktisën politikën e saj të mëparshme të izolimit. Dominimi global amerikan tashmë ishte realitet.

Por, në një kohë jo të mirë për Evropën nga kërcënimi rus, parimi i mbrojtjes kolektive ishte thelbi i Traktatit themelues të NATO-s. Ky mbetet një parim unik dhe i qëndrueshëm që lidh anëtarët e NATO-s së bashku, duke i angazhuar ata që të mbrojnë njëri tjetrin. Mbrojtja kolektive do të thotë që një sulm kundër një aleati konsiderohet si një sulm kundër të gjithë aleatëve.

Parimi i mbrojtjes kolektive është përfshirë në nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit. NATO u thirr për herë të parë në nenin 5 pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 kundër ShBA-ve. Në vitin 1949, qëllimi kryesor i Traktatit themelues të NATO-s – ishte krijimi i një pakti të ndihmës së ndërsjellë për të luftuar rrezikun që vinte BRSS-ja pasi Moska kërkonte të shtrinte kontrollin mbi Evropën Lindore, në Ballkan dhe në pjesët tjera të botës. Thënë ndryshe Neni 5 është komponenti kryesor i NATO-s.

Neni 5: “Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre në Evropë ose Amerikën e Veriut do të konsiderohet një sulm kundër të gjithëve dhe për rrjedhojë ata bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë i armatosur, secila prej tyre, duke ushtruar të drejtën e vetëmbrojtjes individuale ose kolektive e njohur nga neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë palën ose palët, të sulmuar kështu duke marrë menjëherë, individualisht dhe në bashkërendim me palët e tjera, një veprim të tillë, siç e gjykon të nevojshme, përfshirë përdorimin e forcës së armatosur, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.

Në kohën e sodit 70 vjet pas themelimit të NATO-s, si do të trajtohet rasti në mes Turqisë dhe Greqisë në tensionet aktuale në Mesdhe dhe si do të reagojë aleanca në një situatë kur të dyja shtetet janë anëtare të NATO-s? Parimi i dhënies së ndihmës në raste specifike ndryshon dhe me thirrjen në nenin 5, aleatët mund të japin çdo formë të ndihmës që ata gjykojnë të nevojshme për t’iu përgjigjur një situate. Ky është një detyrim individual për secilin aleat dhe çdo aleat është përgjegjës për përcaktimin e asaj që e gjykon të nevojshme në rrethana të veçanta.

Në hartimin e nenit 5 pati konsensus në mes aleatëve mbi parimin e ndihmës së ndërsjellë, por mosmarrëveshje themelore për modalitetet e zbatimit të këtij angazhimi mbetën të hapura.

Evropianët në atë kohë kërkonin garanci që ShBA-të të vijnë  automatikisht në ndihmë nëse një prej shteteve të NATO-s sulmohet.

Parimi i Nenit 5 të NATO-s shtrihet përtej sulmeve ndaj atdheut. Aleanca ka marrë gjithashtu masa të mbrojtjes kolektive në disa ngjarje ndërkombëtare, duke përfshirë vendosjen e raketave ‘Patriot’ në vitin 2012 në kufirin në mes Sirisë dhe Turqisë dhe forcimin e forcave në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni pas aneksimit rus të Krimesë në vitin 2014.

Aleatët e NATO-s gjithashtu janë bashkuar me ShBA për të luftuar në Afganistan, Irak dhe Siri. Anëtarët e NATO-s po rritin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në mënyrë kolektive, megjithatë, shumë shtete pritet të arrijnë standardin prej 2% në vitet e ardhshme. Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar shtetet evropiane për neglizhencë financiare.

Përshkak të aktiviteteve të Rusisë në Evropën Lindore, Veriore dhe në Ballkan, NATO ka themeluar disa qendra kundër dezinformimit për të përballuar propagandën ruse. Për më shumë, shih fuqinë globale ushtarake të NATO-s në “Krahasimet e Forcës Ushtarake” (2020).

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button