Sistemimi i administratorëve shqiptarë, sfidë për qeverinë e re të RMV-së

Brenda gjashtë muajve do të sistemohen nëpër institucione të shtetit të gjithë administratorët e punësuar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, e të cilët marrin rroga, por nuk shkojnë në punë, është zotuar mandatari për formimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Këto komente Zaev i bëri gjatë dorëzimit të programit qeveritar, megjithëse këtë premtim e dha edhe gjatë formimit të qeverisë, të cilën e drejtoi para tre vjetësh, shkruan Portalb.mk.

“Brenda gjashtë muajve të parë të qeverisë do të sistemohen dhe do të fillojnë me punë të gjithë të punësuarit në Bazë të Marrëveshjes së Ohrit në institucionet e shtetit. Përkatësia etnike nuk do të keqpërdoret gjatë punësimit”, theksohet në programin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, që duhet të marrë mbështetje nga parlamenti gjatë kësaj fundjave.

Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në mars të vitit të kaluar ka kaluar në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve.

Në këtë dikaster në listën e pagave qëndrojnë të gjithë të punësuarit në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, e të cilët duhet të sistemohen në dikasteret përkatëse në përputhje me dokumentin kornizë të Ohrit për përfaqësimin e drejtë të të gjitha etniteve në shtet.

Në bazë të buxhetit në këtë dikaster janë të punësuar 1,433 persona, për të cilët në total është ndarë pagë në vlerë prej 9 milionë eurosh.

Një vit më herët gjatë vitit 2019, Sekretariati për realizimin e marrëveshjes së Ohrit para se të kalojë në Ministri të Sistemit Politik, ka numëruar 1,699 të punësuar.

Nga këto të dhëna del në pah se brenda një viti janë sistemuar vetëm 266 të punësuar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit në institucione përkatëse.

Xhevdet Nasufi, një nga hartuesit e Marrëveshjes së Ohrit, thotë për Radion Evropa e Lirë se është devijuar shtylla kryesore e Marrëveshjes së Ohrit që ka të bëjë me përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucionet e shtetit, sepse përfaqësimi figuron në letër përderisa një numër i madh i administratorëve ose janë lënë në vende periferike, ose fare nuk shkojnë në punë duke u dhënë një rrogë minimale.

“Këtu kemi të bëjmë me një dëm të shumëfishtë, para së gjithash krijohet përshtypje se kjo mënyrë e punësimeve i ndihmojnë barazisë së shqiptarëve me maqedonasit në raport me përfaqësimin në institucione, por në fakt është një barazi e rrejshme, sepse këta administratorë shqiptarë duke qëndruar në shtëpi, nuk i kontribuojnë as etnikumit të vet, por nuk i kontribuojnë as sistemit”, thekson Xhevdet Nasufi, i cili ishte përfshirë si ekspert në hartimin e Marrëveshjes së Ohrit gjatë vitit 2001, dokument ky që i dha fund konfliktit të armatosur në vend.

Ai thekson se dhënia e rrogës për vite me radhë për më shumë se njëmijë administratorë shqiptarë pa shkuar në punë, jo vetëm që pengon ngritjen në karrierë të administratorëve në fjalë për shkak se ata përjashtohen nga mundësia e ngritjes në detyrë në bazë të sistemit të meritokracisë, por paraqet dhe vepër penale për shtetin, sepse ndan rroga për persona që nuk kryejnë asnjë shërbim.

“Kemi një veprim mashtrues në këtë rast, pasi të gjithë ata (administratorët) marrin paga nga djersa e qytetarëve të vendit dhe në këtë rast ndahen në mënyrë ët padrejtë të ardhurat personale. Ne e dimë se punësimi është një e drejtë themelore kushtetuese, e bazuar në ligjet pozitive. Po në këtë rast bëhet një shkelje flagrante e Kushtetutës, po edhe e Ligjit për marrëdhënie pune, sepse pa meritë këta njerëz që rrinë në shtëpitë e tyre dhe marrin të ardhura personale. Pra, kemi shkelje të ligjeve dhe ky është një veprim inkriminues nga ana e institucioneve si punëdhënës”, shprehet Nasufi.

Nga ana tjetër, Temellko Ristevski, ligjërues në Fakultetin e Administratës Politike, thotë se nëse ka vullnet politik, të punësuarit në bazë të Marrëveshjes së Ohrit mund të sistemohen në dikasteret përkatëse, por shton se sfidë mbetet që këta persona të vendosen në pozita ku mund të kontribuojnë në bazë të përgatitjes së tyre profesionale.

“T’i gjesh punë dikujt vetëm sa për ta punësuar, nuk është në rregull, sepse bie ndesh me parimin për të pasur një administratë efikase dhe profesionale. Punësimet për qëllime politike në një mënyrë do të thosha paraqesin gangrenë për funksionalitetin e administratës”, konsideron Ristevski.

Ai e mbështet qëndrimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re, Zoran Zaev, për zvogëlimin e administratës për 20 për qind, megjithëse shton se do të jetë shumë e vështirë për ta realizuar, pasi siç nënvizon ai, çdo përbërje qeveritare ka frikë nga humbja e votuesve nëse le pa punë një pjesë të administratorëve.

“Është shumë e qartë se administrata është e mbingarkuar. Ka shumë njerëz që shkojnë në vend të punës, por mbeten të paangazhuar ose shfrytëzohet shumë pak kapaciteti i tyre”, shton Ristevski.

Ndryshe, që në vitin 2018, ministri për Shoqëri Informative, Damjan Mancevski, theksoi se rreth 1600 të punësuar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit do të sistemohen në shumë dikastere ministrore brenda 2 muajve.

Edhe ministri për Sistem Politik, Sadulla Duraku, një vit më vonë, përkatësisht në shator të 2019-s, do t`i sistemojë në vende përkatëse të punës administratorët e punësuar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit.

Sistemimi i administratorëve të punësuar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit dhe realizmi i reformave të thella në administratë, mbeten sfidë për Artan Grubin që pritet të drejtojë dikasterin e sistemit politik në qeverinë e re të vendit që është caktuar të votohet gjatë kësaj fundjave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button