Koalicioni “Tash është koha”: Qeveria përballë do të ketë 12 deputetët dhe një popull në ofensivë
Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa, dy partitë shqiptare që garuan në zgjedhjet e fundit parlamentare në kuadët të koalicionit “Tash është koha”, qeverinë e mundshme LSDM-BDI e vlerësojnë si mashtruese dhe jolegjitime, duke paralajmëruar ndaj ofensivë me gjitha mjetet demokratike, transmeton Portalb.mk.
“Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA deklaron se kjo është qeveri mashtruese dhe jolegjitime. E para, është mashtruese, sepse të dyja palët i kanë mashtruar rëndë qytetarët dhe, e dyta, është jolegjitime, sepse për partner ka një parti që e ka grabitur forcërisht dhe me manipulime vullnetin politik të shqiptarëve”, vlerësojnë nga koalicioni “Tash është koha”.
Koalicioni ka përkujtuar premtimin e BDI-së për ‘kryeministrin shqiptar”, dhe premtimin e LSDM-së për dërgimin e BDI-së në opozitë.
“Do të ketë përballë 12 deputetë dhe një popull që nuk do ta lejojë mashtrimin dhe uzurpimin e vullnetit politik. Prej nesër ne jemi në ofensivë që, me të gjitha mjetet demokratike, ta kthejmë demokracinë, ta ndalim manipulimin me vullnetin politik dhe ta ndalojmë mashtrimin që si ves i rri mbi kokë një vendi aspirant për Bashkimin Evropian”, paralajmërojnë nga koalicioni.
Ky koalicion për nesër ka paralajmëruar një konferencë për shtyp në ora 13:00.
Ndryshe, LSDM dhe BDI kanë arritur marrëveshje për formimin e Qeverisë. Kështu deklaruan liderët e partive Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, të cilët bashkë me sekretarët e partive dy orë mbajtën mbledhje në Klubin e Deputetëve në Shkup. Marrëveshja do të dorëzohet te organet më të larta të partive që të njëjtët ta miratojnë.