Ahmeti: Thellësisht i zhgënjyer që nuk erdhën liderët e opozitës, tani le ta caktojnë ata takimin
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pasi në terminin e caktuar për mbajtjen e Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare, nuk i erdhën liderët e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, Alternativës, Afrim Gashi, Lëvizjes BESA, Bilall Kasami dhe PDSH-së, Menduh Thaçi, mbajti konferencë për shtyp ku u shpreh se ndjehet i zhgënjyer nga mosprezenca e tyre dhe se tani ata e kanë radhën që të thirrin takim, njofton Portalb.mk.
“Me keqardhje dhe thellësisht i zhgënjyer me mosardhje ne partive parlamentare shqiptare në një ditë të rëndësishme – Ditën e Marrëveshjen e Ohrit. Doja që që si parti që e fitoi legjitimitetin e zgjedhjeve, t’i falënderoj për të arriturat e përbashkëta dhe të marrim përgjegjësi të përbashkëta për të gjitha zhvillimet që presin zgjidhje nga ne që kemi kërkuar mbështetjen dhe përkrahjen e qytetarëve”, tha Ahmeti duke shtuar se të gjithë liderët, ftesën bashkë me rendin e ditës e kanë pasur para një jave.
I pyetur nëse do të thirr takim, ashtu siç kërkuan Sela e Gashi, gjegjësisht prej 17 gushtit, Ahmeti tha se ai e ka thirr takimin dhe se ata tani e kanë radhën.
”Radhën le ta caktojnë ata që s’kanë qenë ata këtu. BDI e thirri tryezën, ata munguan”, tha Ahmeti.
Paraprakisht, për Portalb.mk, përfaqësuesit e ASH-së dhe AA-së konfirmuan mospjesëmarrjen e liderëve të tyre, ashtu siç edhe i kishin treguar Ahmetit.
“Nuk do të marrim pjesë pasi që në këtë termin nuk mundemi. Nuk është puna e refuzimit të tryezës, por e përcaktimit të orarit. Nëse fton prej të hënës e tutje, absolutisht do të marrim pjesë”, thotë për Portalb.mk, ZeqirjaIbrahimi nga Alternativa.
“Mbetemi në qëndrimin tonë, ne nuk i ndërrojmë qëndrimet për një ditë 5 herë. Nuk është punë zori kjo, është punë koordinimi e qëndrimesh. Ne kemi thënë që prej të 17-tit kur të duash eja merremi vesh orën edhe vendin”, thotë për Portalb.mk, Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët.
Lëvizja BESA, e cila është në koalicion me LSDM-në, kryetari i së cilës këtë mbledhje të Tryezës së Partive Parlamentare Shqiptare e vlerësoi si presion ndaj tij për ta pranuar kërkesën e BDI-së për kryeministër shqiptar, mbrëmë njoftoi se nuk do të marrë pjesë në takim dhe propozoi që këto takime të mbahen pasi të formohet qeveria.
Pavarësisht se nuk kishte paralajmërime për (mos)marrje pjesë në takim, edhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi nuk ishte në Tryezën e ftuar nga Ahmeti.
Agjenda e takimit e publikuar nga BDI
“Në përputhje me Deklaratën e Përbashkët të partive parlamentare shqiptare nga 7 janari i vitit 2017 dhe takimet vijuese të partive tona politike si dhe të zotimit tonë për dakordësi për përkrahje të ndërsjellë të agjendës së përbashkët politike që parashikon realizimin e objektivave që vijojnë, në mandatin e ardhshëm qeverisës dhe/ose në çdo mandat tjetër pasues, për takimin e ditës së enjte, më 13 gusht 2020, me fillim në ora 12:00, ju propozojmë agjendën vijuese:
- Statusi i realizimit të përcaktimeve nga Deklarata e Përbashkët në mandatin e kaluar
- Vlerësim i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 15 korrikut 2020
- Krijimi i Këshillit ndërpartiak në përputhje me Deklaratën e Përbashkët dhe përcaktimi i afateve për realizimin e objektivave të përbashkëta
- Të ndryshme
Agjenda mund të plotësohet dhe ndryshohet me propozim të pjesëmarrësve të Tryezës së Përbashkët.
Propozojmë formatin vijues për pjesëmarrje: Kryetar plus dy bashkëpunëtor”, thuhet në agjendën e BDI-së.
Tryeza e Partive Shqiptare është ftuar nga Ahmeti në kohën kur ai dhe përfaqësuesit e tij partiak bëjnë bisedime me LSDM-në, për të formuar qeverinë e re, tërësisht prapa syve të opinionit. S
Nga ana tjetër, rrjedhin afatet për formimin e shumicës së re parlamentare dhe Qeverisë së re, për shkak të së cilës negociatat midis partive politike që fituan vende parlamentare po zhvillohen me një ritëm të përshpejtuar. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik, përbërja e re parlamentare u konstituua më 4 gusht dhe filloi afati 10-ditor për formimin e shumicës parlamentare, pas së cilës Presidenti duhet të japë mandatin për të formuar Qeverinë. Mandatari, në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, dorëzon program në Kuvend dhe propozon formim të Qeverisë.
Në zgjedhjet e 15 korrikut, Koalicioni “Mundemi” ka fituar 46 deputetë, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Aleanca për Shqiptarët & Alternativa 12, E majta 2 dhe PDSH 1.