Qeveria e Kosovës e miratoi projektligjin për rimëkëmbje ekonomike

Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e saj të 15-të Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike – COVID-19, me qëllim të plotësimit dhe ndryshimit të disa ligjeve si shkas për të rimëkëmbur ekonominë pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim të Qeverisë, bëhet e ditur se plotësim/ndryshimit do t’i nënshtrohen 8 ligje: Ligji për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Ligji për Fondet Pensionale të Kosovës, Ligji për Tatimin në të Ardhurat Personale, Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Ligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, Ligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat dhe Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Projektligji është thënë se do të dërgohet menjëherë në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Sipas Qeverisë, ky ligji për rimëkëmbjen ekonomike parashihet të qëndrojë në fuqi deri më 31 dhjetor të vitit 2021, ndërsa pas kësaj date dispozitat e tij do të shfuqizohen.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet saj dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Projektit Emergjent COVID -19 për Kosovën.

Kjo marrëveshje i siguron Kosovës një kredi prej 46 milionë eurove, me normë të ulët interesi dhe me një periudhe të shlyerjes 20-vjeçare ndërsa do të përdoret për rritjen e kapaciteteve shëndetësore për menaxhimin e situatës me COVID-19 në vend.

Pas votimit në Kuvend të këtij projektligji për ndryshim/plotësimin e ligjeve të lartcekura, nga Fondi Kursimeve Pensionale i Kosovës sipas Ministrisë së Financave do të mund të tërhiqen rreth 180 milionë euro, apo nga 10 për qind nga secili qytetar tatim-pagues, për stimulimin e tregut.

Deri më tani, 2 miliardë euro ka arritur vlera e mjeteve të rreth 700 mijë kontributpaguesve në Kosovë që i menaxhon Fondi i Kursimeve Pensionale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button