TË RROSH PËR TË PUNUAR (II)

(Kurbetçinjtë shqiptarë në Beograd gjatë viteve 30-të të shekullit XX)

Viti 1934. Të rinjtë nga katundet e Sharrit mërgojnë në Beograd. Për ata kanë filluar të shkruajnë edhe gazetat. Në reportazhin: “Mërgimtarët nga Sharri dhe nga Kaçaniku – Si jetojnë shqiptarët – mërgimtarë në Beograd” (Pravda, 8 qershor 1934, f. 8), flitet për përditshmërinë e kurbetçinjve. Herë pas herë, shkruan gazeta, në katundet shqiptare vijnë “gazdallarët” e kamur, që merren me biznes në kryeqytetin serb. Arritja e një “gazde” në vendlindje është sensacion për popullin. Skamnorët kanë “iluzione dhe plane për të ardhmen”. Mendojnë se si ta sigurojnë ekzistencën “jo në kodrat apo me kopetë e tyre, por në qytetet e mëdha”. “Gazda” premton fitime të majme dhe punë, kurse njerëzit e varfër menjëherë e pranojnë ofertën e tij, sepse jeta është tepër e vështirë.

“Duhet punuar për një kafshatë buke. I riu dëshiron të martohet dhe nuk ka para. I zoti i shtëpisë duhet ta ushqejë familjen e madhe dhe nuk ka para për tesha e plis. Atëherë vendoset që të iket drejt botës së largët, aty ku të çojnë këmbët, sepse kështu mund të martohesh, por pa i harruar viset ku ke lindur. Nëpër qytetet e mëdha ata punojnë me nder dhe flenë dyshemeve të garsonierave. Jetojnë me bukë thatë dhe me ujë. Pas disa muajsh ose vitesh të vështira, ata kthehen në katundet e tyre me dinarë, dhrahmi, madje me shilinga dhe marka. Nuk është çudi se para dy vitesh bakllavaja orientale arriti në Berlin nëpërmjet Gostivarit”, shkruan kjo gazetë.

“Gazdallarët” pasurohen në kurriz të skamnorëve. Madje, jetojnë në shtëpi luksoze. Nuk i sjellin skamnorët në Beograd “për mëshirë ndaj të afërmve të tyre, por për interesa tregtare”.

“Djaloshi me plis hyn në kafene dhe shet kikirikë. Pesëmbëdhjetë copa për një dinar. Një klient gëzohet sapo shfaqet djaloshi. E fton që të këndojnë. Djaloshi e njeh mirë, e dëgjon në heshtje, sepse e di që do të marrë ndonjë bakshish, prandaj këndon dhe vallëzon. Njomëzaku lodhet dhe mezi lëviz, kurse klientët e magjepsur nga vallëzimi i thërrasin: “Ende, ende…”. Dhe djaloshi patjetër duhet të vallëzojë. Ai e di se nëse ndalon nuk do të përfitojë asgjë. Ka marramendje. Klienti trupmadh ngrihet dhe vallëzon me djaloshin. Edhe atë e mposht lodhja, prandaj të dy ulen për të pushuar. Klienti trupmadh ia merr plisin dhe mbledh ndonjë dinar nga të pranishmit. Gjithsej 30 dinarë dhe ia jep djaloshit.

– Ruaji mirë paratë, i thotë. Kur të mbledhësh më shumë dërgoi në shtëpi.

– Nuk punoj për vete, thotë i qetë djaloshi. Gjithë fitimet i takojnë gazdës.

– Edhe të vallëzimit?! – çuditen njerëzit e kafenesë”.

Një tjetër shkon derë më derë dhe e përsërit refrenin: “Zonjë, a ke nevojë për dru?”. Është nga Gostivari. “Ai nuk mund të protestojë kur dikush nuk e paguan”.

Tjetri është lustraxhi. “Më quajnë Beqir dhe më nuk punoj për gazdën, por për veten. Jam bërë zotëri. Nuk punoj vetëm për bukë. Në mëngjes blej një pogaçe, ndërsa në mbrëmje kthej te kuzhina, në rrugën e Prizrenit”, vazhdon reportazhi i të njëjtës gazetë.

Viti 1937. Te vagonët e hekurudhës ka shumë hamaj shqiptarë. Ata flenë nëpër vagonë.

“Për 10 dinarë mund të t’i mbart tri shporta, thotë romi. Unë për pesë – vrapon shqiptari dhe i ngarkon tri shportat në shpinë, që mund të peshojnë 70 kilogramë. Me peshën e rëndë mbi shpinë niset, madje, drejt Gjermës së Smederevës. Ai është i lumtur”.

Një gazetë tjetër ka botuar sensacionin: “Bajram hamalli rekordmen i portit të Savës, ngre 450 kilogramë” (Vreme 19.12.1937).

Hamajtë shqiptarë punojnë ditë e natë dhe bukën e hanë thatë. Rrallë shijojnë ndonjë copë mishi ose pinë ndonjë bozë apo salep. Njëri prej tyre është pehlivani 27 vjeçar, Bajram Uzeiri nga Tetova. Hamalli më i njohur në Beograd. Mbart 450 kilogram mbi shpinë.

Sipas fotografive, hamajtë shqiptarë duken si robër. Ata shtyjnë vagonët shumëtonësh. Çuditërisht janë të buzëqeshur e të lumtur me punën që bëjnë. Nuk shfaqin shenja të lodhjes dhe depresionit. Punojnë ndershmërisht. Nga agu deri në muzg. Mjafton që ka punë.

Edhe bukëpjekësit në Beograd janë kryesisht nga Kërçova, Struga dhe Tetova, por ka edhe shumë gështenjashitës. Njëri pre tyre është Jasin Zeqiri nga Tetova. Nëse  është gjallë (që duket e pabesueshme), tani duhet të jetë mbi 100 vjet. Në jetën e tij, me gjasë, ka dhënë vetëm një deklaratë për gazetë. Nuk e dimë nëse e ka lexuar. Në një ditë vjeshte me shi, në vitet e tridhjeta, derisa shet gështenja të pjekura rrugëve të Beogradit, i afrohet gazetari dhe e pyet se si i “shkon pazari”. Jasini, që nuk fiton shumë, jep përgjigje me spec. Gazetari i propozon ta themelojë një kompani për të fituar miliona. Jasini ia kthen me buzëqeshje: “Më jep kapital!”. Gazetari vazhdon me shpotitë e tij. I thotë se, pasi i nxjerr gështenjat nga prushi pa i djegur gishtat, duhej që të provonte me “gështenja” tjera dhe të fitonte miliona.

“Asi gështenjash le të pjekin të tjerët, unë nuk mundem. Edhe ashtu konkurrenca është e madhe”, ia kthen Jasini i zgjuar, që me një fjali e përshkruan korrupsionin në shoqëri.

“Mes shitësve të gështenjave?” – e pyet sërish gazetari.

“Jo. Në mesin e atyre që fitojnë miliona dhe nuk digjen”, shton gështenjashitësi.

Në vitet 30-të, nëpër Serbi, ka shumë djem të rinj me xhamadanë dhe plisa në kokë. Ata punojnë si hamaj, muratorë, pastrues, lustraxhi, bozaxhinj, salepxhinj, bakllavaxhinj, shitës mollësh, groshe, gështenjash, kikirikësh. “Janë edhe sharrëxhinj të patentuar”. Ka aq shumë shqiptarë sa një e treta e kapitalit të Beogradit, sipas gazetave, është në duart e tyre. Madje, ka gazeta që shprehin shqetësim: ata aq shumë do të forcohen sa nuk do të kthehen më në vilajetin e tyre. Do të vendosen përgjithmonë në kryeqytet. Dhe autoritetet, për herë të parë, frikësohen edhe nga punëtorët e thjeshtë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button