POLITIKË NË PANDEMI

Zgjedhjet paraqesin barometër të rëndësishëm që tregojnë frymimin politik të një komuniteti, shoqërie apo shteti, që ilustrojnë kulturën politike të një vendi, nivelin kulturor dhe civilizues të tij.  Këtë radhë patëm zgjedhje në kohë medikalizimi masovik. Pandemia globale Covid-19 “ndryshoi ndjeshëm stilin e fushatës, pasi partitë i zëvendësuan tubimet tradicionale me takime të vogla dhe i kufizuan takimet derë më derë. Përkundër rrethanave, partitë zhvilluan fushatë në mënyrë aktive dhe ishin në gjendje t’i përcillnin mesazhet e tyre. Garuesit u mbështetën në masë të madhe në rrjetet sociale, duke postuar video të takimeve lokale, në të cilat folën kandidatët dhe krytearët e partive. Reklama të shumta lidhur me fushatën e emetuan në mediat transmetuese dhe në rrjetet sociale, e po ashtu edhe bilbordet ishin mjaft të dukshme. Çështjet kryesore të fushatës përfshinin hyrjen në NATO dhe BE, reformat në drejtësi, ekonominë, mirëqenien sociale dhe shëndetësinë.” (ODIHR)

Marrë në përgjithësi, zgjedhjet e 15 korrikut treguan se shqiptarët e RMV-së dalëngadalë po kulturalizohen politikisht, se kanë filluar të mendojnë me kokë të kthjellët rreth subjekteve politike dhe politikës në përgjithësi. Ky cikël ishte shumë më i qetë se sa ai i vitit 2016 kur kishim etiketime, sulme, insinuata, madje edhe ekcese fizike që prishnin imazhin e demokracisë dhe të idesë politike ndër ne. Vëzhgimet tona personale thonë se periudha e fushatës zgjedhore ndonëse me fërkime ruajti korrektësinë e subjekteve, të rralla ishin goditjet e ulëta të vetë politikanëve, por për t’u përshëndetur ishte edhe sjellja e qytetarëve. Dhe verdikti u dha në ditën e zgjedhjeve, partia e Ahmetit doli fitimtare sërish me 15 mandate, ndjekur nga Koalicioni Aleanca-AlternAtivA, që fitoi 12 poste deputeti, Besa 4, kurse PDSh vetëm 1. Pra tabloja flet për një diadë, dyshe dominante që edhe në të ardhmen do të garojë mes vete.

Analizën parciale ta fillojmë nga fundi, nga subjekti më i vjetër politik shqiptar në RMV me më pak mandate, PDSh, që pretendonte të hidhte gurin aq larg sa s’kishte mundësi reale. Utopizmi në politikë është i lejuar por ama duhet të mbështetet në forcën reale që një subjekt e ka në terren, tek demosi, jo tek muskujt dhe ‘oratoria e padiskutueshme’ e prijësit. Mosleximi i kontekstit është një gabim i lidershipit të kësaj partie, që edhe laikët apo popullata e kishte lexuar dhe e kishte të qartë. Tkurrja politike e këtij opsioni politik që pretendon trashëgiminë e filozofisë politike të Arbën Xhaferit dhe që shkon drejt shmangies nga skena politike është evidente. Nga ana tjetër, Lëvizja Besa përmes koalicionimit qysh para zgjedhjeve me LSDM-në bëri një hap “pionier” përtej kontekstualitetit shqiptaro-maqedonas, duke tentuar kështu që të shpëtojë vetësubjektivitetin përmes  mbështetjes te tjetri, gjë që nuk u perceptua pozitivisht nga zgjedhësit. Koha do të tregojë se sa do të jetë i shëndetshëm ky hap për ekzistencën e kësaj partie që mban emrin, kurse realisht s’e ka substancën elektorale që e pretendon. Këtë të fundit e ilustron fakti në vijim: në njësinë 6 në vitin 2016 Lëvizja Besa pati fituar 25.000 vota, ndërsa LSDM 26.000; në këto zgjedhje, koalicioni “Mundemi” ka fituar vetëm vetëm 24.229 zëra qytetarë. Thuhet se në gjithë shtetin Besa ka fituar vetëm rreth gjashtë mijë vota, kurse në Shkup, sipas burimit të njëjtë, votat e këtij subjekti s’e kanë kaluar njëmijëshin.

Këto zhvillime në shahun politik të vendit ia hapin rrugën forcimit të mëtutjeshëm të koalicionit “Tash” (Aleanca + Alternativa) që do të shohim se si do ta ndërtojë të ardhmen e vet, drejt fuzionimit, shkrirjes apo në rrugë të ndara që do të ishte një opsion paksa më i koklavitur dhe deprimues për zgjedhësit opozitarë ngase “fuqia dominante” ndër shqiptarë, BDI do ta kishte më të lehtë punën drejt fitoreve të radhës. Në fakt, puna e këtij koalicioni në të ardhmen është një enigmë e vërtetë. Së pari çështja e dy kryetarëve, shkakton huti tek masa. Nëse ndodh shkrirja, një lider i veçantë, me atribute specifike atraktive, do t’ia rriste pikët subjektit të ardhshëm që do të sillte bipartizmin ndër ne (BDI-AA). Prijësit e të dyja partive (Aleanca-Alternativa) duhet mirë ta tjerrin këtë çështje. Dy partitë, njëra me nacionalizëm më të theksuar, e dyta me ideologji gjithashtu kombëtare, por më moraliste dhe me ngjyrime më spirituale  kanë shumë pika të përbashkëta që do t’i çonin drejt krijimit të një subjekti vërtet sfidues të BDI-së, e cila vazhdimisht godet me sëpatë të fuqishme për të mos lejuar një kohezion të mirëfilltë të tyre. Historikisht, në politikë e luftë “Përçaj e sundo” është parollë rezultative.

Për sa i përket BDI-së ajo, shprehur me terminologjinë e Ibën Haldunit tanimë ka arritur fazën e katërt, të rehatisë dhe ka hyrë në të pestën, në atë të rënies, të dekadencës apo thënë me fjalorin e Giambattista Vico-së (1984:70) ka prekur ciklin e “humbjes së substancës”, sadoqë këtë cikël shënoi rritje, e cila nuk është gjithaq e shëndoshë, duke i pasur parasysh faktorët e shumtë që sollën këtë fitore që në vete fsheh shumë tregues të kalbëzimit të brendshëm. Klientelizmi dhe çekani partiak që godet shkarësit/devijuesit nga vija partiake nuk do ta kenë gjatë. Shkolla politike që bazohet vetëm në karizmën ahmetiane dhe në bagazhin e 2001-es po rrënohet nga aktorët politikë të korruptuar që ia gërryejnë dheun partisë me bëmat e veta, sado që kontribuojnë materialisht për të. Në fund të fundit partia nuk mbahet me pare por me zgjedhësit që i regjistrojnë skandalet një nga një. Ndërkohë edhe votuesi tradicional i kësaj partie duket i lodhur, gjë që shprehet edhe në bisedat joformale me qytetarët që votën e japin jo me pasion, jo me vullnet 100%. Shqiptari votoi BDI-në (1) për hir të Ali Ahmetit dhe luftës, (2) votoi tradicionalisht, e ka bërë shprehi (një minoritet besnik), (3) si reaksion ndaj dispersionit partiak gjithshqiptar (“Këta tjerët janë pikë e pesë, s’kanë fuqi reale.”),  (4) në stilin “më kanë punësuar mua, këtë, atë, më largojnë nga vendi i punës, më ndëshkojnë”, (5) votë biznesi që është i lidhur fuqishëm me aparatin partiak që ofron benefite kardinale, (6) “hodhi kokrrën” me forcat e fundit (“Edhe këtë herë…”), (7) votoi për ëndrrën “kryeministër shqiptar”. Ç’e do që kjo e fundit nuk u aprovua madje edhe nga militantët më të flaktë, që votuan në stilin “I joni është dervenas, ama figurë e konsumuar, s’kemi ç’bëjmë” (intervistë me një qytetar, Saraj, 40-vjeç). Pozitiviteti i kësaj ideje ishte se qepra tanimë u ngrit lartë, u hap debati rreth një teme që në opinionin publik etnik maqedonas ishte një tabu, një gjë për të cilën s’mund të diskutohej. A bëhet sot a dikur më vonë, kjo është një punë tjetër. Ky subjekt do t’i ketë punët keq ose do t’i ngatërrohen nëse mbetet në opozitë, një skenar ky i mundshëm në aritmetikat paszgjedhore.

Në vend të përfundimit: nga piktura politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut mund të konstatohet se nëse politikanët janë më racionalë, popullata është më e kthjellët, e balancuar, pra reagimi i kësaj të dytës varet nga fjalori i njerëzve të skenës politike. Në përgjithësi, votuesi shqiptar shkon duke u vetëdijësuar, nuk është më “dele”. Koalicioni AA ka probleme me strukturimin, me ideimin e bashkërendimit, kurse BDI me rigjenerimin, pra me rifreskimin e vetes që do t’i mundësonte që të ruante gjallërinë dhe atraktivitetin te qytetari që është i ngopur me menunë e njëjtë rreth dy dekada, siç u shpreh një politikan kosovar, “qoftë ajo edhe mjaltë”. Ndryshimet janë ta pashmangshme edhe përkundër fitores (BDI) dhe rritjes (AA), në të dyja taborret.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button