TË RROSH PËR TË PUNUAR (I)

(Për kurbetçinjtë shqiptarë në Beograd gjatë viteve 30-të të shekullit XX)

Ata punojnë me orar të zgjatur. Punojnë si hamaj, pastrues, sharrëxhinj. Nga agu deri në muzg. Edhe natën. Fitojnë pak dhe kursejnë shumë. Punojnë shumë dhe mendojnë pak. Rrojnë për të punuar dhe mbijetojnë. Janë qytetarë të rangut të dytë, të tretë, më saktë, pa asnjë rang. I bëjnë punët më të rënda, pa shprehur ndonjë ankesë. Nuk kanë kujt t’i ankohen, kanë frikë të ankohen, sepse mund ta humbin vendin e punës. Jetojnë në margjina dhe me ndjenjën se janë të pambrojtur dhe në një vend të huaj. Nga banorët vendës nuk shihen si armiq dhe as si të rrezikshëm. Shihen si punëtorë të thjeshtë, si hallexhinj, që punojnë për një pagë modeste.

Serbëve nuk u pengon plisi i tyre. E dinë se janë shqiptarë. Duken se janë shqiptarë. Nuk e fshehin se janë shqiptarë. E shfaqin se janë shqiptarë. Jo për krenari, por për të rënë në sy për çështje pune, sepse janë më të kërkuarit për t’i kryer punët më të rënda.

Ata nuk kanë kërkesa kombëtare, por kanë ndjenjë për përkatësinë e tyre. Janë “të tjerë”. Për ta ekzistenca është më e rëndësishme se sa esenca. Nuk kanë kohë të mendojnë për interesin e përgjithshëm. Mendojnë për punën. Për familjen e tyre. Për bukën e përditshme. Nuk ankohen për statusin social. Nuk mendojnë për pension. Nuk kanë sigurim shëndetësor dhe pensional. Shkojnë në spital vetëm kur sëmuren rëndë. Më saktë: kur i dërgojnë në gjendje të rënduar shëndetësore.

Ata kanë zgjuarsi të lindur, por jo të kultivuar. Disa dinë të shkruajnë me shkronja cirilike, që i kanë mësuar në vendlindje nga dhaskalët, nëpër shkollat me emra heronjsh dhe shenjtorësh serbë. Ai që di shkrim ua shkruan letrat të tjerëve në gjuhën shqipe dhe me alfabet cirilik. Kur letra arrin në vendlindje, atëherë familjes i duhet ta gjejë dikë që di shkrim e këndim. Letrat qarkullojnë shumë rrallë. Ndoshta një ose dy herë brenda vitit. Ka që nuk shkruajnë letra. Të afërmit vetëm e dinë se i biri, prindi, burri, është në kurbet. Asgjë më shumë. Herë pas here kurbetçinjtë informohen për të afërmit e tyre nga ata që vijnë nga vendlindja ose që dërgojnë atje ndonjë “amanet”.

Shqiptarët në Beograd shoqërohen mes vete. Bisedojnë për çështjet e punës. Në biseda më shumë lakohet emri i pronarëve. Bisedat sillen edhe rreth vendlindjes. Ata kujtojnë çaste nga e kaluara. Përmendin shokët e fëmijërisë. Flasin për ndonjë flirt në vendlindje, për ndonjë vajzë të bukur, duan të dinë gjithçka që ndodh atje, kush ka vdekur, kush është martuar, por shumë rrallë marrin lajme. Kur mblidhen i këndojnë këngët e vendit të tyre. Fqinjët, që i dëgjojnë, nuk ua kuptojnë asnjë fjalë. E dinë se janë arbanas, arnautë, shiptari. Nuk është se i urrejnë, sepse janë punëtorë dhe paqësorë. Janë “të tjerë”.

Jeta e tyre e vështirë është interesante edhe për gazetarët e veshur me frak, që duken si zotërinj të vërtetë. Ilustruesit e gazetave i paraqesin si njerëz të vuajtur dhe të heshtur, që punojnë punët më të rënda, që presin urdhra për punë. Ndonjë karikaturist bën humor me ta. Edhe i paragjykon. Njeriu me plis i një karikature vë kurthe për minjtë për t’i kapur plaçkitësit. Pastaj harron dhe bie në kurthin që vetë e ka ngritur.

Fytyrat e hallexhinjve janë me rrudha. Duken më të plakur se sa janë. Vishen me veshjet e tyre tradicionale. Ushqehen dobët. Shpesh bukën e hanë thatë. Banojnë nëpër skuta, bodrume, plevica, vagonë, nën çati që pikojnë. Flenë në dysheme, mbi kashtë, mbi ndonjë batanije të vjetër. Ndonjëri prej tyre, ndonjë djalë i ri, çapkën dhe i bukur, arrin t’ia rrëmbejë zemrën ndonjë vajze. Sa për flirt. Rrallë, shumë rrallë, ndodh që ndonjëri të bie në dashuri dhe pastaj të kthehet prej andej me një grua. Ose: nuk kthehet asnjëherë. Martohet me një vendase dhe heq dorë nga kodet tradicionale. Fillon jetë të re, duke lënë pas të kaluarën… (Vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button