Portalbi do të marrë masa kundër portaleve që manipuluan me rezultatet nga analiza parazgjedhore e Nesimit

Një sërë portalesh në gjuhën shqipe në vend, për qëllime të fushatës zgjedhore si dhe gjatë kohës së heshtjes zgjedhore, e keqpërdorën analizën të cilën Portalb.mk, e publikon tradicionalisht në bashkëpunim me ekspertin Robert Nesimi që ka të bëjë me parashikimin e rezultateve zgjedhore.

LEXO: RMV, zgjedhjet 2020: Matematika zgjedhore

Edhe pse Portalb.mk, e publikoi analizën para se të fillojë heshtja zgjedhore, plotësisht kundër standardeve profesionale gazetareske, së paku 14 portale publikuan tekste në të cilat rezultatet janë shtrembëruar dhe interpretuar në mënyrë të gabuar. Ky është një tentim i dukshëm për keqpërdorim dhe cenim të kredibilitetit të medias sonë, të ndërtuar ndër vite duke u përmbajtur standardeve etike dhe profesionale të gazetarisë.

Në tekstet e këtyre mediave, është bërë manipulim i qëllimshëm në interes të disa partive politike në vend, të cilat dyshohet se janë të afërta me portalet që e publikuan këtë dezinformatë.

Përpos që kanë dezinformuar dhe shtrembëruar rezultatet e analizës së Nesimit, portalet në fjalë nuk kanë respektuar të drejtat autoriale të Portalbit ndaj analizës së tillë, të cekura qartë në fund të tekstit.

Asnjëri nga këto portale që në masë të madhe kontrollohen nga persona anonimë, dhe as kanë impresum, nuk ka kërkuar leje nga redaksia jonë për të ribotuar të plotë apo një pjesë të analizës.

Si një media e cila vazhdimisht u përmbahet parimeve të vetërregullimit, Portalbi do të ndërmerr masa të drejtpërdrejta kundër këtyre dezinformatave, duke filluar nga denoncimi i tyre në Këshillin për Etikë në Maqedoninë e Veriut.

Më tej, do të ndërmerren edhe masa ligjore për të gjitha ata që kanë ribotuar këtë analizë pa lejen tonë, me ose pa shtrembërime. Gjithashtu, masa do të ndërmerren edhe për ata që e kanë publikuar dhe më pas e kanë fshirë analizën nga uebfaqja e tyre me qëllim që t’i mbulojnë dëshmitë e keqpërdorimit të tyre.

Ndryshe, në periudhën parazgjedhore në RMV, vërehet rritje e aktivitetit të portaleve të caktuara, përmbajtja e të cilëve është e dedikuar vetëm për përhapjen e lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave në interes të partivë të ndryshme politike që garojnë në këto zgjedhje, me qëllim që të krijohet huti te lexuesit dhe votuesit potencial.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button