RMV, lista e 14 kandidatëve për anëtarë të KShZ-së u konfirmua në Komisionin e Kuvendit
Komisioni parlamentar për zgjedhje dhe emërime në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot në seancën e 9-të konfirmoi listën e kandidatëve për anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, mandati i të cilave skadon më 15 janar, transmeton Portalb.mk.
Të gjithë 14 kandidatët për anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve do të garojnë për 7 vende, ku 3 i takojnë opozitës, ndërsa 4 koalicionit qeveritar.
Në listën e kandidatëve nuk gjendet Oliver Derkoski, kryetari aktual i KSHZ-së nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Nënkryetarja aktuale e KSHZ-së, Ditmire Shehu, është kandidate nga BDI-ja.
Krenar Lloga është kandidat për anëtar, i cili vjen nga radhët e koalicionit Aleancës për Shqiptarët – Alternativa, ndërsa Boban Stojanoski dhe Aleksandar Dashtevski vijnë nga VMRO-DPMNE-ja. Në këtë përbërje Lëvizja Besa nuk do të ketë përfaqësues.
Kandidatët e tjerë janë: Janake Vitanovski, Radica Risteska, Boris Kondarko, Beti Gjorgievska, Oliver Ristovski, Ljupka Guguçevska Filiposka, Radica Risteska, Elizabeta Postollovska, Dimitar Spaseski dhe Zoran Mihajlloski.
Sipas procedurës, pasi Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime përcakton listën e kandidatëve, ia dërgon atë Kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, i cili nga ana tjetër ia dërgon partive që duhet të deklarojnë se cilët kandidatë mbështesin për anëtarët e organit më të lartë zgjedhor në shtet. Lista e kandidatëve të mbështetur i paraqitet përsëri Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, i cili e përcakton atë dhe pastaj i dërgohet plenumit për ta votuar.
Ndryshe, në këtë seancë të Komisionit gjithashtu u konfirmua kandidati i BDI-së, Naser Zyberi, për Avokat të Popullit.