U zbulua skenari i mashtrimit të zgjedhjeve të 15 korrikut, vlerësojnë nga koalicioni ASH-AAA në lidhje me kandidimin e Ziberit
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa vlerësojnë se kandidimi i Naser Ziberit për Avokat të Popullit, e zbuloi mashtrimin e zgjedhjeve të fundit të mbajtura më 15 korrik, transmeton Portalb.mk.
“Kur në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u bë publik propozimi që Avokat i ri i Popullit të jetë Naser Zyberi, u zbulua edhe skenari i mashtrimit të zgjedhjeve të 15 korrikut të vitit 2020”, deklarojnë nga koalicioni opozitarë.
Opozitarët theksojnë se Naser Zyberi duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe morale në lidhje me kandidimin e tij për kryeministër dhe tani për Avokat të Popullit.
“Nëse vërtet ka pasur kaq shumë qejf të jetë Avokat i Popullit, këtë dëshirë mund ta përmbushte edhe në mënyrë tjetër, por të pranojë të jetë bashkëpjesëmarrës, madje protagonist, i mashtrimit të madh “Koha për kryeministrin shqiptar”, kjo do të mbetet gjithmonë njollë në jetën e tij”, deklarojnë nga koalicioni.
Me propozim të BDI-së, Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime me 7 vota “për” e konfirmoi propozimin që Naser Ziberi të jetë kandidat për Avokat të Popullit.
Ndryshe, Naser Ziberi, së fundi u rikthye në skenën politike, pasi që kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti e publikoi si kandidat për kryeministër shqiptar në zgjedhjet e fundit parlamentare të 15 korrikut.
Vetëm disa ditë më herët në prononcime për media, Ziberi idenë e BDI-së për kryeministër shqiptar e kishte vlerësuar si propagandë partiake dhe joatraktive sidomos për votuesit shqiptar. Ai kishte thënë se kjo është e realizueshme vetëm në sajë të një marrëveshje me partitë e tjera, të cilën, në këtë rast, BDI-ja nuk e ka.
Por, Ziberi ndryshoi qëndrim pasi u bë kandidat për kryeministër. Ai tha se oferta e BDI-së e ka befasuar për të mirë. Sipas tij, kjo është historike për vendin pasi shqiptarët kanë kthyer besimin në institucione dhe kanë filluar të ëndërrojnë.
Megjithatë, pavarësisht premtimit, Ziberi nuk u bë kryeministër. BDI-ja arriti marrëveshje koalicionuese me LSDM-në, që të ketë kryeministër në 100 ditët e fundit, por emri i Ziberit nuk u përmend.
Kryetari i BDI-së, pasi i propozoi emrat e kabinetit të ri qeveritar, tha: Naser Ziberi, kontribuoi shumë në këtë sukses historik dhe me siguri që do të marrë përgjegjësi partiak në shërbim të qytetarëve. Ziberi është noter dhe ai vazhdon veprimtarin e tij deri në një moment kur të dakordohemi për ndonjë përgjegjësi të rëndësishme, që ka të bëjë me profesionin e tij.