Radikalizmi në mjediset heterogjene

Kriza ekonomike dhe sociale mund të radikalizojë popullsinë, duke shtyrë një kategori të individëve të marrin drejtim të pakthyeshëm drejt luftërave të huaja dhe konflikteve sektare të brendshme. Në dekadën e dytë të shekullit XXI, ideologjia dhe faktorët tjerë shoqërorë kanë luajtur kryesorë për ekstremistët që të bëhen pjesë e aktiviteteve terroriste. Riatdhesimi dhe socializimi i tyre është ndeshur me shumë vështirësi dhe pothuajse në të gjitha shtetet e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimorë.

1.Me destabilizmin e Lindjes së Mesme e sidomos në Irak dhe Siri, qindra pjestarë të huaj iu bashkuan Shtetit Islamik (SHI), ku një numër i konsiderueshëm ishte nga Ballkani dhe hapësira shqiptare. Lufta kundër ekstremizmit nuk është aq e lehtë sa mendohet nga zyrtarët e qeverisë dhe politikanët që qëndrojnë ulur në zyrat në qendër të Shkupit. Ekstremizmi, radikalizmi dhe terrorizmi, paraqesin rrezik të afërt, pasi dita ditës po kërcënon jo vetëm shtetet e përziera etnike, por edhe shtetet më të fuqishme me institucione stabile dhe me popullsi homogjene.

Kjo luftë kërkon energji, burime financiare dhe informacion, për mënyrën se si të parandalohet më tej ky fenomen në të ardhmen në Ballkanin Perëndimorë. Radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm nuk kanë religjion. Bazuar në raportet e brendshme dhe të huaja, qindra qytetarë nga Bosnja e Hercegovina, Sanxhaku, Kosova, Maqedonia Veriore dhe Shqipëria nga viti 2014 kanë marrë pjesë aktive në rradhët e ushtrisë së Shtetit Islamik.

Në disa raste, ekstremizmi i brendshëm ndodh të jetë i rrezikshëm për vendin dhe të zgjerohet në shkallë rajonale me pasoja të paparashikueshme. Nga vjeshta e vitit 2013 e deri në vjeshtë të 2015-ës, Shteti Islamik vendosi një prani globale në të paktën 19 shtete. Me një fushatë të sofistikuar të bazuar në internet dhe mediat sociale, dhe duke kapitalizuar gjithashtu luftën qytetare në Siri dhe përçarjet sektare në Irak, Shteti Islamik ka qenë në gjendje të tërheqë më shumë se 25,000 luftëtarë të huaj për t’u bashkuar radhëve të saj në Levant.

Këta luftëtarë të huaj përfshinin mbi 4500 qytetarë nga hemisfera perëndimore dhe afro 1000 individë nga shtetet e Ballkanit Perëndimorë. Lufta qytetare në Siri ishte katalizatori kryesor për të rinjtë që të braktisën vendet e tyre të lindjes dhe t’i bashkohen Shtetit Islamik.

2.Fenomeni i radikalizmit dhe ekstremizmit nuk është vetëm i pranishëm në mjediset heterogjene, pasi ajo mund të merr formë tjetër në territore ku ekstremizmi manifestohet ndryshe dhe ka për qëllim objektivat madhore ideologjike. Sipas raportit vjetorë të Departamentit të Shtetit për terrorizmin global të vitit 2019, Maqedonia Veriore (MV) ka bashkëpunuar ngushtë me Sh.B.A. për të parandaluar këtë fenomen. MV është anëtare e Koalicionit Global për të mposhtur Shtetin Islamik. Sipas këtij raporti, rreziku kryesor i terrorizmit me të cilin përballet MV përbëhet nga luftëtarët e huaj të kthyer nga Siria dhe Iraku. Autoritetet e MV vlerësuan se anëtarët dhe simpatizuesit e Shtetit Islamik mbajtën një prani të lehtë në MV.

Sipas raportit, Komiteti Kombëtar për Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Kundër Terrorizmit (NCCVECT) vlerësoi se 156 qytetarë të MV kishin udhëtuar për t’u bashkuar me grupet terroriste në Siri dhe Irak. Nga ai numër, 36 u vranë, 37 mbetën atje, dhe 83 u kthyen në MV. Autoritetet e vendit pranuan një numër të pakonfirmuar të anëtarëve të familjes që kanë banuar në kampe refugjatësh në Siri.

Në këtë drejtim, për sa i përket krimit financiarë dhe terrorizmit, në raport thuhet se MV është anëtare e “Moneyval”. Njësia e Inteligjencës së Jashtme (FIU) e MV dhe Zyra e Inteligjencës Financiare (FIO) janë anëtare të grupit “Egmont”. Në vitin 2019, qeveria në Shkup miratoi akte nënligjore të Ligjit për masat kufizuese, duke përfshirë udhëzimet për zbatimin e masave kufizuese financiare kundër terrorizmit dhe përhapjes; një vendim për krijimin e një organi koordinues për të monitoruar zbatimin e masave kufizuese; dhe një rregullore për mirëmbajtjen e një liste të personave të caktuar kundër të cilëve janë futur masat financiare për terrorizëm. Qeveria vazhdoi të zbatojë planin e veprimit të lidhur me Strategjinë Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE), e miratuar në mars të vitit 2018. Me mbështetjen e BE-së, MV miratoi dhe nënshkroi një Plan të përbashkët veprimi për kundër terrorizmit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, pjesë e nismës së Ballkanit Perëndimorë W-6. Më tej Ligji i aprovuar nga Parlamentet e disa shteteve si masa të ashpra, sanksione dhe ndëshkime tjera që qeveritë kanë në konsideratë për qytetarët që vendosën të marrin pjesë në operacionet ushtarake të Shtetit Islamik në territorin sirian, nuk ishin të mjaftueshme dhe në përputhje me rritjen e luftëtarëve për t’i ndaluar ata për t’u bashkuar Shtetin Islamik.

3.Qasja e re e shoqërive heterogjene për të kundërshtuar ekstremizmin e dhunshëm (CVE) përmes angazhimit të partnerëve lokalë dhe shoqërisë civile, na sfidon të bëjmë një ndryshim në paradigmën dhe në mënyrën se si i kuptojmë shkaqet e radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit në botë dhe në Ballkanin Perëndimorë. Kjo qasje duhet të mbështetet nga shumë aktorë dhe nga qeveria e cila duhet të luajë rolin kryesor në parandalimin e radikalizmit të popullatës në shtetet multietnike. Nuk është vetëm ekstremizmi i dhunshshëm fetarë që këta njerëz morrën rrugën drejt Lindjes së Mesme. Në proces afatgjatë ky lloj ekstremizmi është më pak i rrezikshëm se radikalizmi dhe ekstermizmi etnik në rajon. Qeveritë që pretendojnë të vendosin një autoritet të fortë në mjediset e përziera etnike, duke i mënjanuar problemet vitale të komuniteteve, rrezikojnë të rrisin ekstremizmin në ato zona. Sidoqoftë institucionet që duhet të ndërtojnë “rezistencën e komunitetit”, është e nevojshme të kuptojnë mirë se çka është “rezistenca e komunitetit” dhe si aplikohen të njëjtat për rajone ose komuna që janë nën kërcënimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Qasja e rezistencës do të duhet të marrë parasysh çështjet e dimensioneve shumëplanëshe, urretjen ndëretnike, kontekstin sociokulturor dhe bashkëpunimin e etnive për të reduktuar efektet e ekstremizmit etnik dhe fetarë në hapësirat heterogjene.

Në Maqedoninë Veriore partitë politike, shoqëria civile, agjencitë qeveritare dhe institucionet fetare duhet të fillojnë një fushatë të stabilizimit të rajoneve të prekura nga paragjykimet dhe integrimin e popullatës me programe për socializimin e individëve që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja me qëllim që të parandalohet ekstremizimi i brendshëm. Ajo që është më e rëndësishme, ka të bëjë më urgjencën që të fillohet menjëherë me ndihmat ekonomike, mbështetje financiare dhe projekte konkrete nga qeveria për të ringjallur popullatën e prekur nga rastet e ekstremizmit të dhunshëm dhe poashtu nga efektet e COVID-19, që ka shumë gjasa të ndikojë në rritjen radikalizimit, ekstremizmit të dhunshëm dhe nacionalizmit në Maqedoninë V. dhe më gjërë.

Fondet shtetërore dhe të huaja janë mjetet thelbësore që do të ndihmojnë në statusin social të njerëzve si në hapjen e vendeve të reja të punës, dhe në rivendosjen e besimit në institucionet shtetërore dhe lokale. Ajo që është më e rëndësishme këtu është përmirësimi i gjendjes dhe krijimi i stabilitetit afatgjatë duke luftuar radikalizmin dhe ekstremizmin në mjediset heterogjene me masa të buta dhe pa përdorim të forcës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button