Shqipëri: Thellohet epidemia COVID, me rekorde shtrimesh, vdekje dhe infektime

Instituti i Shëndetit Publik njoftoi sot dy vdekje dhe 77 raste të reja të personave të prekur me COVID-19.

Shifrat e tre javëve të fundit kanë tejkaluar çdo rekord gjatë marsit dhe prillit, të cilat u quajtën si piku i valës së epidemisë.

Sipas të dhënave ditore nga ISHP, afro 900 persona (saktësisht 898 veta) janë infektuar në 3 javë, midis datave 6 dhe 26 qershor. Ndërsa 1371 persona u infektuan në tre muajt mars, prill e maj.

Një 76 vjeçar dhe 54 vjeçar humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit për shkak të COVID-19 dhe sëmundjeve shoqëruese, megjithë përpjekjet e mjekëve, transmeton VoA.

Spitali Infektiv po mbërrin këto ditë maksimumin e shtrimeve, si asnjë herë më parë.

Aty po mjekohen aktualisht 87 pacientë, 7 më shumë se 2 në prill, kur ishte maksimumi i valës së epidemisë.

Midis tyre 15 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 2 të tjerë janë të intubuar.

Sipas autoriteteve shëndetësore, kjo është java e 16 të epidemisë, por 3 javët e fundit janë shtuar shumë dhe me shpejtësi edhe vdekjet edhe infektimet e reja.

Në 17 ditët e fundit kanë ndodhur 17 vdekje prej COVID-19, ose 1/3 e 51 vdekjeve gjithsej qysh nga 11 marsi, kur u regjistrua vdekja e parë e një zonje në Durrës e sapokthyer nga Italia.

Instituti i Shëndetit Publik zbuloi edhe 77 raste të reja me Covid-19, shumica në Tiranë, Shkodër, Durrës e Korçë dhe më pak në Delvinë, Berat, Fier, Kurbin dhe Pukë. Raste të pakta ka edhe në Elbasan, Kamëz, në Krujë, Tropojë, Librazhd, Gjirokastër, Sarandë.

Rreth 920 persona janë të infektuar aktivë me COVID19, afro 1/3 në Tiranë si dhe në Shkodër, Durrës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button