Qeveria vendosi për hapjen e aeroporteve në Maqedoninë e Veriut

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 72-të vendosi që prej 1 korrikut të hapen edhe aeroportet e vendit, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria sot miratoi vendim prej 1 korrikut,e mërkurë, të hapen për qarkullim Aeroporti ndërkombëtar-Shkup dhe Aeroporti “Sv.Apostol Pavlle” në Ohër”, raportojnë nga Qeveria.

Sot qeveria vendosi që prej 26 qershorit të lejohet edhe hyrja e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, pa pasur nevojë për testin PCR dhe izolimin shtëpiak ose shtetëror.

Ndryshe, mbyllja e aeroporteve të Maqedonisë si rezultat i parandalimit të përhapjes së koronavirusit veç më ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në vend. Të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë tregojnë që nëpër dy aeroportet në tremujorin e pare të këtij viti kanë kaluar 429.869 udhëtarë, përkatësisht mbi 50.000 më pak në krahasim me periudhën e njëjtë vitin e kaluar. Numri i udhëtarëve në tre muajt e parë është zvogëluar për 10,5% në krahasim me vitin 2019.

Si rezultat i vendimit të 18 marsit për mbylljen e të dy aeroporteve si masë për të parandaluar përhapjen e Kovid-19 në Maqedoninë e Veriut, deri në fund të majit në trafikun ajror janë humbur rreth gjysmë milioni pasagjerë. Të dhënat e Entit Shtetëror Statistikor tregojnë se në prill të vitit 2020 transporti ajror ka regjistruar vetëm 1.853 pasagjerë edhe atë të gjithë si qytetarë që Ministria e Punëve të Jashtme i ktheu në vendin tonë me fluturime speciale.

Në prill të vitit të kaluar në dy aeroportet, Shkup dhe Ohër, janë regjistruar 213.261 pasagjerë e në maj kanë qenë të regjistruar 219.141 pasagjerë. Në mars të vitit 2019, nëpër aeroportet kanë kaluar 175.437 pasagjerë, ndërsa në të njëjtin muaj këtë vit ishin regjistruar 79.469 pasagjerë. Nëse merren parasysh statistikat e tilla, atëherë mund të konstatohet se për shkak të krizës së koronës transporti ajror në vend deri më tani ka humbur rreth 520,000 pasagjerë, pa përfshirë shifrat e zvogëluara për pasagjerët e transportuar që do të pasojnë në muajt e verës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button