EUROPA E RE DHE FUNDAMENTALIZMI

“Dallimi themelor mes botës barbare dhe asaj të civilizuar qëndron në atë se në shoqërinë barbare qeveriset përmes frikës, kurse në atë të civilizuar përmes ligjeve.”

Shkrimi i tretë me radhë që dëfton botën ideore të një boshnjaku të madh kulturalisht, Xh. Karahasan, një shkollar që ndriçon në qiellin intelektual ballkanas, një legjendë e gjallë me vlerë globale; as majtist e as djathtist, as progresist, e as regresist, as konservator e as revolucionar, as reformit e as kundërshtar reformash, as komunist e as antikomunist, një shkrimtar, një vështrues i qetë, që mundohet t’i kuptojë njerëzit e veçantë dhe fatet e tyre,

  • Historia: është mësuese e jetës, kurse ne jemi nxënës të dobët. Partitë nacionaliste me ngulmim krijojnë fotografi të njëanshme, të falsifikuara, të rrejshme, të shtrembëra, të thjeshtësuara të botës, të kaluarës vetjake. Ato nuk flasin për gabimet, mëkatet, krimet që janë bërë në emrin tonë ose që i kemi bërë vetë. Ilustruese për këtë shënim të autorit do të ishin edhe fjalët e R. Konstantinoviqit i cili lidhur me fisnorizmin e provincës thotë: “ai atakon kohën në të cilën jeton duke e shpallur banale, të pashpirt, sipërfaqësore; ai kohës së gjallë ia vë përballë përhershmërinë e vdekur ose të qenies popullore të pashkatërrueshme dhe kështu, pagabueshëm, si mizë, zihet në rrjetën e banalitetit, ku vazhdon të ngjitet lart duke menduar se fluturon! Ky është puro nihilizëm, një sulm i pastër ndaj jetës.”
    Qendrat e fuqisë në Perëndim bashkëpunojnë “bukur” me kriminelët dhe gjysëm-kriminelët e Ballkanit, që shfrytëzojnë retorikë shoveniste për të fshehur bëmat e veta të zeza. Ata janë hajdutë që bëhen se janë shovenë. Karahasan, i cili, shkruan me ambicien që t’u hapet njerëzve të tjerë dhe të gjejë bashkëbisedues, rrëfen se më mirë kuptohet në Gjermani se sa në  (DW) Kjo edhe një herë e vërteton tezën se vlerat gjithherë çmohen më tepër nga të huajt sesa nga vendasit.
  • Shekulli XXI: “T’i përkujtojmë ‘zbulimet’ e reja, që paralajmërojnë fundin e botës, që na kanë goditur në shekullin XXI. Në vitin 2001, kur u shpall lufta kundër terrorizmit, që s’mund të përfundojë ngase nuk dihet se ç’është ai dhe ku gjendet; ‘dihet’ se terrori është gjithkund dhe se terrorist është ai për të cilin ne mendojmë se është i tillë. Pasuan profecitë për kolapsin ekonomik, që pjesërisht ndodhi në vitin 2008.   Pak para ose pas mësuam se dielli do të shuhej filan vitin dhe se me ujin s’qëndrojmë mirë. Vijuan luftërat me shtetet si Iraku, Siria, Libia, Jemeni, që ndoshta nuk janë terroriste por na bëjnë nevrikë.
    Brenda njëzet viteve të shekullit tonë janë shkatërruar mijëra të mira kulturore, biblioteka, muzeume dhe ndërtesa që janë monumente kulturore të dorës së parë dhe të qyteteve që janë mbamendje  e mishëruar e botës mesdhetare dhe jo vetëm e saj, më tepër se sa në shekullin e kaluar të përgjakshëm, XX.” Shekulli ynë nuk na ka prurë asgjë pos frikës, tmerrit, kurse njerëzit e frikësuar nuk janë shoqëri por turmë, janë shoqëri barbare që sot prodhohet në mënyrë sistematike. Dallimi themelor mes botës barbare dhe asaj të civilizuar qëndron në atë se në shoqërinë barbare qeveriset përmes frikës, kurse në atë të civilizuar përmes ligjeve.
  • Europa e re: Të mendosh se pandemia aktuale dhe frika nga infektimi me Covid-19 do t’i drejtojë njerëzit kah solidariteti dhe vlerat njerëzore është naivitet. Kultura jonë që nga fillimi i shekullit të kaluar krijon utopi ose distopi negative. Kur një bashkësi nuk ka aftësi për “utopi pozitive”, për shpresë, ajo është e vdekur, por këtë fakt mund të mos e ketë vërejtur. Optimizmi në vitet e mia është argument bindës se me kokën e optimistit nuk është diçka në rregull, e unë besoj se këto vërshime të frikës do të na kthejnë te thelbi njerëzor, kah vlerat humane.
    Kur të vënë kontroll mbi pasuritë, jetët, ëndrrat, lëvizjet dhe përvojat tona të dashurisë, karkalecat do të mbeten pa punë dhe do të fillojnë ta hanë njëri-tjetrin, sepse s’dinë gjë tjetër. E atëherë fillon koha jonë sepse ne për dallim nga karkalecat, dimë të merremi me punët tona, me punë të ndryshme, madje edhe me njerëz të tjerë, duke mos i ngrënë ata.
  • Fundamentalisti: Është njeri që nuk ka fe, por ka pak dituri, dhe me atë pak dituri mundohet ta kompensojë fenë. Jetojmë në kohën kur jemi të rrethuar me njerëz që dinë gjithçka. Nëse takoni ndonjë fatkeq si unë që pohon se s’di asgjë ose di pak, dijeni se keni punë me një person të paadaptuar, që insiston që të mos përshtatet dhe që vetes ia lejon luksin më të madh, të mendojnë me kokën e vet, të shtrojë pyetje. Epokat e fundamentalizmave janë kohëra në të cilat njerëzit janë të detyruar, duan dhe duhet të thonë atë që prej tyre pritet. Në epoka të tilla humbet distanca e bukur mes fjalëve, mendimeve dhe deklarimeve; njerëzit recitojnë të mësuarën, shqiptojnë floskula, thjest, frikohen ga mendimet e veta.
    Druajnë nga të menduarit me kokën e vet. I pranojnë pa i filtruar përgjigjet që ua ofron i ashtuquajturi publik, që ua servojnë mediat sociale, mjetet e komunikimit masiv. Shkolla klasike, universiteti klasik i ka arsimuar njerëzit, i ka edukuar që ta pranojnë me dyshim edhe atë që ua mësonte vetë shkolla. Kjo nuk ekziston në kohën e fundamentalizmit. Njerëzit “e paadaptuar me kontekstin” që prej më parë janë të gjykuar në pozicionin e austsajderit, të të padëshiruarit, të njeriut problematik. Në ligjëratën e parë, studentëvë të çdo gjenerate të re u them: “Tek unë është e lejuar gjithçka, përveç një gjëje, që është rreptësisht e ndaluar: pajtimi paraprak me mua. Mos më besoni a priori, shqyrtoni! Nëse në fund të bashkëpunimit mendojmë njëjtë, sa bukur. Por deri te ai mendim identik duhet të arrini përmes rrugës tuaj!”

Përmbledhje: Nacionalizmi krijon imazhe të rrejshme; nacionalisti kurrë s’e sheh veten në pasqyrë. Nëse jetojmë të tmerruar, nëse marrim frymë me frikë, nuk jemi shoqëri por jemi grigjë, masë. Fundamentalistët janë njerëz me pak fe, me njohuri të mangëta për hyjnoren. Nëse jeni vetja, nëse mendoni me kokën tuaj, bëhuni gati për sulme nga mjedisi që gjithherë, më tepër i do gjërat e zakonshme, rutinën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button