Prokuroria hodhi poshtë padinë penale ndaj kryetarit të Sarajit për punimet në Matkë

Prokuroria themelore publike në Shkup solli Vendim për rrëzimin e padisë penale ndaj kryetarit të Komunës së Sarajit për vepra penale – Keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar nga neni 353 paragrafi 1 dhe Punë e pandërgjegjshme në shërbim nga neni 353-v paragrafi 1 nga Kodi penal, transmeton Portalb.mk.

Kjo padi ishte parashtruar nga Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit (KShPK)

Nismën për ndjekje penale KSHPK e ngriti kundër kryetarit të komunës së Sarajit me dyshimin se me vetëdije dhe me dashje nuk ka miratuar masa konkrete administrative në procedurat për përcaktimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme. Ashtu, siç theksohet, u ka mundësuar personave fizikë dhe juridikë që në mënyrë të paligjshme të ndërtojnë objekte afariste me rëndësi lokale dhe objekte të përkohshme – platforma në Liqenin e Matkës, t’i menaxhojnë ato dhe të realizojnë përfitime të paligjshme pronësore për veten dhe për të tjerë.

“Duke vepruar në bazë kallëzimit të parashtruar, prokurori publik kompetent ka parashtruar kërkesë për të grumbulluar informacionet e nevojshme pranë Inspektoratit administrativ shtetëror dhe Kryetarit të komunës së Saraj, Inspektoratit shtetëror për ndërtim dhe urbanizëm dhe në komunën Sopishtë. Të dhënat e paraqitura nga Inspektorati shtetëror administrativ treguan se inspektorët nga ky Inspektorat kanë kryer një inspektim të jashtëzakonshëm në Komunën e Sarajit në lidhje me veprimet në rastet e përmendura dhe më 10.06.2019 kan  hartuar procesverbal me gjetje për gjendjen që e kanë hasur dhe mangësitë e identifikuara në procedurën administrative. Me atë rast është sjellë vendim me të cilin kryetari i Komunës së Saraj ishte ngarkuar të ndërmerrte masa dhe veprime brenda kompetencave të tij dhe brenda një periudhe të caktuar të mënjanojë mangësitë. Më 21.08.2019, inspektorët kryen një mbikëqyrje kontrolluese me ç’rast kanë konstatuar se kryetari i komunës kishte vepruar plotësisht në përputhje me vendimin e Inspektoratit administrativ shtetëror dhe i kishte mënjanuar të metat e përcaktuara më parë, prandaj kundër tij nuk janë ndërmarrë veprime të mëtejshme”, kanë njoftuar nga Prokuroria.

Nga njoftimet e paraqitura nga kryetari i Komunës së Saraj, thuhet në komunikatë, del se në katër rastet e para, pas procedurës së zbatuar, janë marrë vendime me të cilat refuzohen kërkesat për legalizim, e pas kësaj aplikuesit kanë parashtruar ankesa pranë Ministrisë për transport dhe lidhjeve.

Pavarësisht ankesës së parashtruar, Komuna e Saraj më 16.09.2019 ka shpallur prokurim publik për prishjen e këtyre objekteve, për në thirrjen publike nuk është paraqitur asnjë operator ekonomik. Për këto arsye, Komuna Saraj  është drejtuar me shkrim te Inspektorati shtetëror për ndërtim dhe urbanizëm për ndihmë në heqjen e platformave. Inspektorati e ka informuar komunën se ato janë objekte me rëndësi lokale, për të cilat përgjegjëse është komuna dhe gjithashtu ka paralajmëruar që prishja e objekteve mund të nisë vetëm pas vendimet e miratuara të bëhen të plotfuqishme”, thuhet në komunikatë.

Sa i përket çështjes së pestë, shtohet, vendimi për legalizim është marrë nga kryetari i bashkisë së mëparshme të Saraj në vitin 2017, por pas iniciativës së KOM – Arqipeshkvia e Ohrit, vendimi është shpall i pavlefshëm me aktvendim të Gjykatës administrative.

“Sa i përket çështjes së gjashtë të përfshirë në kallëzimin penal, rrjedh se Komuna e Saraj ka hartuar një raport për gjetjet, por për këto platforma kishte vendosur Komuna e Sopishtës.  Vendimi për legalizim në këtë rast nga Departamenti për urbanizëm i Komunës Sopishtë u anulua më vonë nga Kryetari i Komunës Sopiste, ndërsa  për ankesën në këtë rast ka vendosur Ministria për transport dhe lidhjeve”, thuhet në komunikatë.

Siç theksohet, në lidhje me platformat e ndërtuara, Komuna e Saraj është drejtuar edhe në Qytetin e Shkupit dhe Ministrisë për mjedis jetësor për të kontrolluar nëse ata kishin lëshuar miratime për personat që i kishin parashtruar kërkesat për legalizim, për të kryer transport me barka nga manastiri “Sh. Andrea” e deri në shpellën Vrellë. Përkatësisht, kontrolli i transportit me barka është në kompetencën e Ministrisë së mjedisit jetësor, e cila merr masa në përputhje me Ligjin për ujërat, nëse konstatohen shkelje nga autorë konkretë.

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit gjithashtu ka kryer inspektime, pas së cilës në komunë ka dorëzuar një njoftim me udhëzime për veprime të mëtejshme në lidhje me kërkesat e legalizimit, duke deklaruar se nuk do të fillohet asnjë procedurë inspektimi kundër komunës, pasi nuk ka mangësi në punën e tyre në përputhje me Ligjin për ujërat.

“Duke i  analizuar të gjitha këto pretendime, prokurori publik kompetent ka konstatuar se veprimet e personit të raportuar nuk përmbajnë elementet thelbësore të veprave penale të abuzimit të detyrës dhe autoritetit dhe punës së pakujdesshme në shërbim ose ndonjë vepër tjetër penale të ndjekur penalisht sipas detyrës zyrtare”, theksohet nga PP-ja.

Në këtë rast, ata saktësojnë, që kryetari i komunës brenda kompetencave të tij, ka zhvilluar procedura në përputhje me Ligjin për trajtimin e objketeve të ndërtuara pa leje dhe ka marrë vendime negative lidhur me kërkesat për përcaktimin e statusit juridik të objketeve të ndërtuara pa leje në kanjonin Matka. Procedura, në përputhje me ligjin, vazhdon në Ministrinë e transportit dhe lidhjeve dhe më pas para Gjykatës administrative. Me veprimet e tij, personi i raportuar nuk ka përfituar pronë të paligjshme për veten e tij ose për ndonjë tjetër, as nuk i ka shkaktuar dëme ndonjë entiteti.

“Sa i përket aplikuesve apo ndërtuesve të objekteve të ndërtuara pa leje në zonën e kanjonit Matka, veprimet e tyre janë subjekt i inspektimeve në një rast tjetër pranë Prokurorisë Themelore Publike Shkup, për të cilat është duke u zhvilluar procedurë para-hetimore. Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme dhe plotësimit të dokumentacionit, prokuroria në këtë rast do të marrë një vendim të duhur në përputhje me Ligjin për Procedurën Penale”, kanë informuar nga PP-ja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button