“KAPITALIZMI I KARKALECAVE”

“Prej kur ekzistojmë si racë njerëzore, bëjmë tri gjëra: ushqehemi, dashurojmë dhe rrëfejmë!”

Xh. Karahasan

Një pjesë e rëndësishme e ushqimit shpirtëror të njeriut është leximi, në veçanti i teksteve cilësore, që frymëzojnë, që të bëjnë ta gjesh veten, që të shtyjnë të thuash: “Ja, kjo është vlera!” Këtyre ditëve kur jemi bërë “shpianikë të vërtetë” (#stayhome), duke shëtitur botën online, e gjetëm veten në një imazh të Sarajevës së ditëve tona studentore, në epiqendrën kulturore të ex-YU, te një penë dhe kokë e rëndësishme boshnjake, Xhevad Karahasan, në një intervistë të botuar me të në express.24sata.hr. Karahasan është një fenomen i veçantë në skenën letrare dhe teatrore rajonale dhe europiane, një shkrimtar, akademik, filozof i lirë, profesor në Sarajevë dhe në universitete austriake dhe gjermane, më së tepërmi në Grac, erudit dhe dramaturg, autor i shpërblyer i veprave Divani lindor, Unaza e Shahrijarit, Sara dhe Serafina, Kuvendi i natës, Fara e vdekjes , i shumë rrëfimeve, eseve dhe dramave. Ai është fitues i çmimit “Herder”, “Bruno Kreisky”, më së fundi i shpërblimit “Goethe” (2020) akorduar nga qyteti i Frankfurtit, një njeri që letërsinë e përjeton si bisedë mes njerëzve dhe si memorie të një bashkësie.  Për ne, para së gjithash është një “sociolog pa licencë”, por me ide dhe shpjegime të jashtëzakonshme për rrjedhat sociale vendore dhe globale, që të çon të pranosh një fakt: ”Sa i lexueshëm është brezi i vjetër i intelektualëve!”, ç’driblime akademike dinë të bëjnë këta njerëz.

Ky shkrim shpalos një intervistë që derivon fjalë thellësinore nga një shkollar i mirëfilltë, nga një kosmopolit, kritikues i këndvështrimit racionalist të botës, favorizues i një koncepti ku takohen misticizmi, islami dhe pasioni për teatër dhe letërsi, një njeri “kontrovers” që nuk lexon gazeta dhe nuk sheh TV, një figurë  botërore, emri i të cilit përfolet deri në kontekstin e prestigjiozes “Nobel”, që tanimë ka botuar përmbledhjen e vet të jetës (Vepra të zgjedhura), që sipas tij ia tregon fundin (e jetës), ndërkohë që ka dhjetëra plane dhe librash të filluara, jo vetëm në kokë por edhe në sirtare.

Në vazhdim do të japim në pika të shkurtra disa nga qëndrimet e tij lidhur me simbole apo koncepte sociologjike të shpjeguara nga personi që “vetes ia lejon luksin më të madh, të menduarit me kokën e vet”:

  • Gruaja: Instinkti themelor, pasioni më i thellë i mashkullit, misteri i pazgjidhur, i pazbërthyer, tjetri absolut. Helenët dhe pleqtë kanë thënë se ana femërore e botës shënon vatrën, familjen, lindjen, sinkretizmin ritor, filinë (dashurinë), kurse mashkulli simbolizon shtetin, racionalen, rendin, diferencimin, nomoi-n (ligjet). Ngjashëm si ritualin dhe njohuritë që përcillen përmes tij, femrën s’mund ta racionalizoni, ta diferenconi dhe kuptoni, mund ta dashuroni dhe ashtu ta njihni. Gratë më kanë ndihmuar të krijoj disa figura femërore me peshë në veprat e mia, për të cilat me mahnitje kanë shkruar gratë vetë.
  • Komunisti: Babain e kam pasur komunist. Një ditë, në një kafiteri, u bëra vesh i një bisede mes një nëne dhe vajzës së saj, që iu drejtua me: “Ime më, ju nuk keni ndikuar te unë me atë që thonit por me atë që bënit!” Retorika majtiste e babait nuk ka lënë shenja tek unë; për mua ai ka qenë im atë, jo komunist, ka qenë mënyrë jetese. Jeta thithet përmes lëkurës, mësohet përmes trupit, përmes asaj që është më e thellë se emocionet. Përjetimi majtist i jetës atnore më ka mësuar mënyrën e thjeshtë të jetesës, mbushur me zell, punë dhe shoqërim me njerëzit e dashur. Konsumoj ushqime të thjeshta, vishem thjeshtë, të gjithë njerëzit i marr seriozisht, bashkë me fjalët e tyre. Fuqishëm besoj se puna është më e vlefshme dhe më e rëndësishme se kapitali, një anomali kjo majtiste që sot nuk falet. Të gjitha këto janë kujtime të babait tim, rahmet i pastë shpirti.
  • Sarajeva: Para dhjetë viteve, në Parma të Italisë, një zonjë nga Ilixha e Sarajevës më rrëfente se s’e gjente dot Sarajevën në të cilën ishte rritur, se s’donte të kthehej atje ngase qyteti në fjalë s’ishte më ai i dikurshmi. Komentova në mënyrë jotaktike lamentin e saj. I thash se vetëm ajo s’kishte ndryshuar për 25 vite, ndërkohë që gjithçka ndryshon, sepse është e gjallë. Më pas u mundova që ta ngushëlloj duke i thënë se ajo nuk qante për Sarajevën e dikurshme por për rininë e ikur, që s’ka qenë aq e bukur sa i duket asaj. Mua më bën nevrik moda që qyteti i sotëm të sulmohet në emër të të dikurshmit. Disa e sulmojnë nga shkaku i dashurisë së sinqertë, me qëllim që ai të jetë sa më i bukur, por ka edhe të atillë që iu shërbejnë politikave të shëmtuara: vetëm dërdëllisin për të fituar ndonjë honorar. Sarajevën e sulmojnë edhe ata që kurrë s’kanë jetuar në të, që s’e dinë as këtë të sotmen e as atë të dikurshmen. Pa marrë parsysh çfarë i ka ndodhur nga 1984 e këndej, Sarajeva është qytet ku mund të jetohet dhe meriton të respektohet. Askush në të s’i habitet miqësisë mes priftit dhe hafizit; aty nuk sulmohen tempujt, aty buzëqeshet në favor të të gjitha feve dhe politikave, për hir të jetës.
  • Politika: Politikën duhet diferencuar nga ideologjia. S’merrem me politikë sepse jam minus-inteligjent për punët ku kërkohet shkathtësi organizimi. Por veproj politikisht në kuptimin e përpjekjes për të mirën e polisit. Nuk përfshihem në debate ideologjike. Punë imja është të kuptoj e jo të gjykoj; frika ime themelore vjen nga thjeshtëzimi, dhe nëse përfshihem në zënkat ideologjike do duhet që edhe unë të thjeshtoj. Në botën reale asgjë nuk është e thjeshtë dhe e njëtrajtshme si numrat në aritmetikë ose si nocionet në logjikë; çdo gjë që është reale, detyrimisht është komplekse, shpesh kundërthënëse në vetvete, e kushtëzuar nga konteksti. Ideologjia është instrument me të cilin synohet që fenomeneve të vërteta t’iu imponohet njëtrajtësia e koncepteve. Shkrimtari nuk guxon të pajtohet me thjeshtimet ideologjike.

Kapitalizmi neoliberal: Mua më së shumti më godet barbarizimi i botës, që shkon tok me kapitalizmin neoliberal ose me “kaptitalizmin e karkalecëve”. Siç dihet karkalecët (lat. Caelifera) janë “kandrra në ngjyrë si të gjelbër, me këmbë të gjata, që kërcejnë me shkathtësi e fluturojnë larg dhe që dëmtojnë rëndë të lashtat” (FGjSSh). “Karkalecët nuk mund të sundojnë me botën sepse hanë gjithçka, gjithë atë që iu del përpara”; ata mund të shkaktojnë uri (cause famine) dhe në fund vetë vdesin nga uria. Ky lloj kapitalizmi njeh vetëm një vlerë, atë financiare dhe çdo botëvështrim që njeh vetëm një vlerë është totalitar. Në arsim shohim se si ajo praktikë njerëzit i shndërron në robër. Arsimi klasik mundohej që t’i ndihmojë njeriut të aftësohej për mendim kritik të pavarur dhe në këtë mënyrë të pozicionohej si individ. Nga ana tjetër,  arsimi modern i përgatit njerëzit të dinë të kryejnë punë të caktuara, me këta njerëz e furnizon tregun me fuqi punëtore, duke shpërfillur mendimin, mëvetësinë dhe kritikën. Në këtë drejtim shkohet nga ajo që fuqia punëtore të jetë inerte, të mos mendojë, as në mënyrë kritike e as në ndonjë tjetër, por të jetë gati për të shërbyer. Makina si ideal njerëzor, kjo është esenca e arsimit të sotëm. Të gjithë e lartësojnë modelin finlandez, i cili heq dorë nga aftësimi i fëmijëve për të shkruar me dorë. Siç e dimë, dorëshkrimi është individual si vula e gishtit. Grafologjia është më e rëndësishme se psikologjia na aspekt të të kuptuarit të njeriut dhe për njohjes së të papërsëritshmes në të, kurse sot modeli më i mirë arsimor heq mësimin e të shkruarit me dorë. Kjo ngase nuk na duhen persona, na duhet krah pune. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button