Shqipëri, operatorët turistikë nën rregullat e Covid-19
Duke iu përshtatur rregullave të reja të sigurisë, restorantet në zonën e plazhit në Divjakë kanë nisur nga puna. Pjesa më e madhe e tyre kanë shfrytëzuar hapësirën e pyllit për të respektuar distancat e tavolinave.
“Ne po mundohemi t’i përshtatemi të gjitha ligjeve dhe rregullave të vendosura nga ministria. Ka qenë prioriteti ynë që me hapjen e restorantit distanca mes tavolinave, distanca mes karrigeve”.
“Ne jemi munduar t’i zbatojmë me përpikmëri të gjitha rregullat që kemi marrë. Një favor i madh për Divjakën është sepse ne kemi terrenin e mjaftueshëm që ne mos të na pengojë në punën tonë”.
Pas datës 18 Maj me hapjen e restoranteve në zonën e plazhit, ka pasur dyndje të klientëve, por shpenzimet e tyre kanë qenë të pakta, transmeton Tv Klan.
“Ju ka munguar liridalja, njerëzit vijnë, por ve re një përkufizim që rezervohen në shpenzime”.
Restorantet në plazhin e Divjakës zenë 80% të numrit të përgjithshëm të godinave, ndërsa 20 % janë hotelet.