SPB Tetovë apelon të respektohen ndalesat e Qeverisë, thotë se disa media spekulojnë për kontrollet nëpër shtëpi
Sektori i Punëve të Brendshme Tetovë, informon qytetarët e rajonit të Tetovës dhe Gostivarit, se vazhdon me aktivitete të përforcuara kontrolluese që kanë të bëjnë me realizimin e dekreteve qeveritare, qëllimi i së cilës është pengimi i përhapjes së virusit korona, njofton Portalb.mk.
“Në këto aktivitete do të kontrollohet shfrytëzimi i mbrojtjes së fytyrës me maska nga ana e qytetarëve në vende publike, të tipit të hapur dhe të mbyllur.” thonë nga policia.
Gjithashtu, siç informon policia, intensivisht do të kontrollohet dhe respektimi i protokollit të punës nëpër objektet hotelerike si dhe objektet tjera publike, ndërsa në rajon ku është në fuqi ora policore do të kontrollohet sipas vendimit për lëvizje të kufizuar të qytetarëve.
SPB Tetovë, apelon qytetarët që t’ju përmbahen dekreteve dhe vendimeve të qeverisë, si dhe paralajmërimeve të sektorit të shëndetsisë në vend.
Përndryshe, SPB Tetovë thotë se janë të pavërteta informatat të plasuara në disa mediume se do të kryhen kontrolle nëpër shtëpi.
“Janë spekulime, të pavërteta negative në situatën në të cilën gjendemi.” thonë nga SPB Tetovë.