Një dramë mbi tmerret e (pas)luftës 

Drama “Shajni nga shekulli i sermtë” nga Almir Bashoviqi, që e kam përkthyer para ca kohe, flet për tmerrin në Srebrenicë; për ankthin e njerëzve që i kërkojnë të afërmit e zhdukur; për indiferencën e shoqërisë kundrejt viktimave apo për hipokrizinë e burokratëve që flasin për rezoluta, vlera e humanizëm, por vetë nuk i respektojnë.

Në këtë vepër, ku ngjarja ndodh para, gjatë dhe pas luftës në Bosnjë, “dëgjohet” prania e teksteve tjerë.

Juristja Fatime, një grua fatkeqe dhe e pamëkatë nga Srebrenica, ka vetëm një qëllim: të mësojë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e saj, të zhdukur në vitin 1995. Ka edhe një peng: në darkën e fundit familjare i është djegur buka dhe ndjehet me faj se burri dhe djali i kanë ngelur të uritur. Gruaja e gjorë dhe e sëmurë endet me një karrocë dore ku i mban fotografitë e Burrit dhe Djalit. Në shpirtin e saj ka një xixë shprese, sepse “shpresa është si kuçkë katundi, që zgjohet edhe nga zhurma më e vogël”. Por ajo nuk ka me cilin të flasë për hallin e saj. “Ne, viktimat, të gjithëve u krijojmë bezdi. Ata që na kuptojnë e kanë dhembjen e njëjtë. Të tjerët nuk duan as të na dëgjojnë. E ndjej se bëhen nervozë”.

Sena, që nuk di gjë për fatin e burrit të saj, i qëndron pranë Fatimesë, sepse ia kupton dhimbjen.

Shkrimtari, që e ka humbur babanë, tundohet nga ndjenja e hakmarrjes, por e ndjen se kështu bëhet si kriminelët. Vëzhguesve memecë ua kujton shprehjen e Shekspirit: “Tani e tutje vetëm heshtje”.

Profesor Hoffmani është një shkencëtar serioz dhe djall qesharak, për të cilin zbulimet shkencore janë më të rëndësishme se sa jeta e njerëzve.

Majori, togeri dhe ushtarët ndërkombëtarë, “ushtrojnë rezolutat”. Babai u beson rezolutave, kurse i Biri e sheh se realiteti është ndryshe.

Viktimat, që para luftës kanë bërë jetë të qetë dhe normale, pas luftës e kanë humbur botën. Nuk mendojnë për hakmarrje. Duan të dinë se çfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre. Duan drejtësi. Gjendja e tyre shprehet nëpërmjet një fragmenti që dramaturgu e ka shkëputur nga vepra e Czeslaw Milosz-it: “Si të jetoj në tokë ku këmba më pengohet në eshtrat e pavarrosura të njerëzve më të afërm?”.

Kriminelët dihen, por nuk ndëshkohen. Burokratët “kërkojnë prova”. Këto prova unë i quaj: burrë dhe bir, thotë Fatimeja.

Kjo vepër na kthen vëmendjen tek njerëzit që duan një varr ku t’i qajnë të dashurit e tyre. Ata janë pjesa më fatkeqe e një shoqërie ku vuan viktima dhe nuk ndëshkohet krimineli.

Gruaja fatkeqe vdes pa e mësuar se çfarë kishte ndodhur me të dashurit e saj. Fotografitë e Burrit dhe Djalit tani i mbart Sena. Në skenë është vendosur një pëlhurë me mbishkrimin: Ku janë?”.

Autori i dramës, Almir Bashoviqi (Sarajevë, 1971), ka diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin Filozofik të Sarajevës, ku tani ligjëron në Katedrën e Letërsisë së Krahasuar. Është autori i librit “Çehovi dhe hapësira”, bashkautori i librit “Drama dhe koha”, si dhe autor i disa dramave të vëna në skenë dhe të përkthyera në shumë gjuhë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button