Ministria e Bujqësisë: Gruri i importuar shkatërroi tregun vendor

Vendimi për import të kushtëzuar të grurit dhe miellit nga Serbia nuk do të hiqet derisa nuk përfundon blerja e grurit vendor për bukë dhe derisa tregu me miell nuk balancohet, tha sot ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Dimovski para anëtarëve të Komisionit kuvendor amë.
Kjo masë, përmendi Dimovski, është vendosur sipas kërkesës edhe të prodhuesve edhe të mullisëve për shkak të tejkalimit të problemit me konkurrencën jo lojale.

Sipas tij, konkludimi nga takimi i CEFTA-s i mbajtur të hënën në Beograd është që zgjidhja e problemit të reduktohet në nivel bilateral. “Maksimalisht mundohemi që ta shfrytëzojmë mundësinë për blerje të grurit vendor. kemi mirëkuptim nga mullisët, por edhe nga prodhuesit individualë”, theksoi Dimovski.
Ai porositi që të mos spekulohet se kur do të përfundojë blerja. Vlerësimet e tij janë, siç tha, se marrja e sasive do të zgjasë deri në gjysmën e dytë të gushtit. Pritet të blihen rreth 150.000 tonë grurë.

Në muajt e fundit në Maqedoni janë importuar 153.000 tonë grurë dhe 70.000 tonë miell që dukshëm e shkatërroi tregun vendor.

Komisioni debaton për Informacionin për gjendjen me blerjen e grurit nga rekolta 2012/2013, të parashtruar nga kryetarja Lençe Nikollovska.

Nikollovska gjatë debatit e dha vlerësimin personal se Qeveria e Maqedonisë do ta heqë rregullin për import të kushtëzuar më 15 gusht. Ajo akuzoi se kjo masë është kontraproduktive dhe seriozisht e rrezikon hedhjen në treg të prodhimeve bujqësore të Maqedonisë.

Për tejkalimin e problemit me blerjen e grurit, Nikollovska propozoi të kryhet ndërhyrja e blerjes së 10.000 tonëve për çmim prej 15 denarë për një kilogram. Në këtë mënyrë, tha, Qeveria me të vërtetë do t’i mbrojë fermerët.

Zgjidhjen afatgjate, Nikollovska e sheh në zvogëlimin e çmimit prodhues përmes lirimit të çmimit të repromaterialeve dhe marrjen në kohë të subvencioneve, para mbjelljes.

Në rend dite të seancës së sotme është edhe marrëveshja për dhënie me qira të truallit bujqësor të arritur me Sahara Grup.

Lajme të ngjashme

Back to top button