Puna sezonale në Gjermani: studentët pesimistë, agjencitë ende shpresojnë

Studentët të cilët duhet të shkojnë për të punuar në Gjermani gjatë pushimeve verore, vështirë se do të jenë në gjendje të realizojnë planet e tyre për shkak të kufijve të mbyllur dhe karantinës së detyrueshme me rastin e hyrjes në vend. Megjithëse situata nuk është premtuese, agjencitë që ndërmjetësojnë mbeten optimiste se programi do të zbatohet këtë verë, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në një intervistë për Meta, përfaqësuesi i agjencisë “Kontekst” tha se ata janë në kontakt të vazhdueshëm me punëdhënësit, të cilët prisnin që masat të lirohen pasi shumica e ambienteve hotelerike ishin mbyllur për shkak të koronavirusit.

“Këtë vit, gjermanët me të cilët po bashkëpunojmë, përkatësisht ata në fushën e gastronomisë dhe hotelerisë janë më të prekurit, deri javën e kaluar ata kanë punuar vetëm me shpërndarje të ushqimit ose drive-in, përkatësisht me qarkullim të zvogëluar për 30-80 përqind. Në të njëjtën periudhë, u zvogëlua edhe numri i punonjësve, kështu që morën ndihmë nga shteti për të mbijetuar dhe vetëm këtë javë po fillojnë të kthehen në normalitet”, tha Aleksandra Bozhinovska, drejtore e agjencisë ndërmjetësuese” Kontekst”.

Sipas saj, ekzistojnë shanse që programi të realizohet, por sigurisht jo në atë vëllim që kanë pasur deri më tani.

“Punëdhënësit që përdorin ndihmë shtetërore kanë një problem. Nëse kanë kërkuar ndihmë shtetërore, bizneset nuk do të guxojnë të punësojnë njerëz të rinj, madje as studentë, sepse në të kundërtën do t’iu  ndërpritet ndihma”, vlerëson tha Bozhinovska.

Ajo shton se megjithatë ka punëdhënës të cilët kanë konfirmuar se nuk heqin dorë nga studentët. Me lehtësimin e masave dhe rihapjen e restoranteve, gjërat pritet të ndryshojnë.

Por, shumë studentë thonë se në këtë situatë edhe ata nuk janë të gatshëm të shkojnë për të punuar jashtë vendit, sipas një studimi të shkurtër në internet të realizuar në bashkëpunim me llogarinë në Instagram, @studentarijamk, të cilit iu përgjigjën 1,272 të anketuar.

Në pyetjen “A mendoni se ka mundësi që studentët të shkojnë për të punuar në Gjermani këtë verë?” Më shumë se 70% janë dhënë përgjigje negative. Gati dy të tretat (64%) kanë thënë që edhe nëse do të kishin mundësi, nuk do të shkonin në punë sezonale për shkak të gjendjes me koronavirusin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button