Politika e karantinës, autoriteti publik i qeverisë dhe Europa

Fjala karantinë që nga mesjeta e deri më sot kur besohet se bota ka ndryshuar, vazhdon të mbetet pjesë e pandarë e jetës së përditshme dhe asaj politike. Kur në Mesjetë ‘Vdekja e Zezë’ përfshiu Europën, qytetet dhe zyrtarët në atë kohë u orvatën të kontrollojnë shpjetësinë e shpërthimeve duke karantinuar udhëtarët që vinin nga jashtë nëpëmes rrugëve detare dhe gjithashtu duke izoluar popullatën lokale.

1.Përhapja në masë të madhe të sëmundjeve ngjitëse krijoi një urgjencë kombëtare për të vendosur procedura dhe ndërtuar korniza ligjore të bazuara në gjendjen në të cilën kalonin shtetet europiane dhe shoqëritë e atëhershme. Në Sh.B.A., në fund të shek. të XVIII nuk duhej aq kohë se si duhet të vepronin shtetet gjatë një pandemie. Me një proces të lehtë apo debat publik, u zhvillua një politikë e qëndrueshme federale dhe shtetërore e karantinës kombëtare.

Ashtu si shumë çështje të kohës, fillimisht bara u ra shteteve për të trajtuar fluksin e sëmundjeve ngjitëse. Por shpërthimi i përsëritur i ‘Etheve të Verdha’ bëri që Kongresi Amerikan në vitin 1878 të miratonte ‘Aktin e Karantinës Kombëtare’, duke krijuar një rrugë më të lehtë për përfshirje të qeverisë federale në rast të pandemisë globale apo kombëtare. Në vitin 1892, një shpërthim kolerie hodhi poshtë të gjitha të drejtat e dhënies së qeverisë federale më shumë autoritet për të imponuar kërkesat. Një situatë të njëjtë e vërejtëm gjatë COVID-19, ku qeveria federale amerikane morri masa që autorizonte shtetet t’i respektojnë vendimet federale dhe ekzekutive duke ndërhyrë në të drejtën e shteteve apo në problemet lokale të shteteve gjatë përballjes me COVID-19.

Deri në vitin 1921, sistemi i karantinës në Sh.B.A., u nacionalizua plotësisht. Kur Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) mori përsipër përgjegjësinë për karantinën, ajo ishte një organizatë e madhe me 55 stacione karantine. Stacionet e karantinës ishin të vendosura në çdo port detar, aeroport ndërkombëtar dhe kryqëzim kufitar si në jug me Meksikën dhe në veri më Kanadën.

Akti i Shërbimit Shëndetësor Publik i vitit 1944 vendosi qartë për herë të parë autoritetin e karantinës së qeverisë federale. Akti i dha përgjegjësi Shërbimit të Shëndetit Publik të Sh.B.A-së të parandalojë transmetimin dhe përhapjen e sëmundjeve ngjitëse nga vendet e huaja. Për më shumë, që nga viti 1852 u organizuan disa konferenca që përfshinë fuqitë europiane, me qëllim të një veprimi të njëtrajtshëm në parandalimin e sëmundjes nga Lindja, parandalimin e përhapjes së tij brenda Europës dhe organizimin e karantinës mbi baza të shëndosha jo politike, racore, etnike dhe fetare.

Efektet shkatërruese të sëmundjeve ngjitëse, por edhe pasojat ishin po aq të rëndësishme në drejtim të përgjigjeve të shtetit dhe qeverive për të përmirësuar shëndetin publik të popullatës, banorëve lokal dhe ushtarëve që vinin nga fronti. Të njëjtën paralele mund ta tërheqim sot, me angazhimin e zyrtarëve shtetëror për parandalimin e COVID-19 dhe ndonjëherë përgjigjen jo adekuate të lidershipit në kohë krize për masat që duhet të ndërmirren për të izoluar popullatën dhe të gjithë ata që hynë nga vendet e treta.

2.Maqedonia Veriore anëtare e NATO-s dhe kandidate për t’i filluar bisedimet me Bashkimin Europian (BE), vazhdon ende të reagojë dhe sillet si vend i botës post- socialiste. Shtetet anëtare të BE-së dhe të ‘Zonës së Shengenit’ njoftuan për heqjen e masave shtrënguese që buronin nga vendimet e KE-së dhe qeverive të shteteve anëtare të unionit. Një veprim tejet të matur e bëri Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia duke kaluar në fazën e hapjes se kufijve dhe masave relaksusese. Kur të gjithë shpresonim se ky vend ka ndryshuar shumë me ardhjen e qeverisë së re, në fund po del se diçka nuk është në rregull me qeverinë e Maqedonisë Veriore. Nga muaji mars deri në maj kur pandemia globale përfshiu banorët e MV-së dhe të rajonit, qytetarët kanë kaluar nëpër disa faza të izolimit- nga gjendja e jashtëzakonshme në karantina të detyrueshme shtetërore.

Presidenti i MV-së Stevo Pendarovski në fillim të krizës shpalli gjendje të jashtëzakonshme, pastaj u vazhdua edhe njëherë me 30 ditë duke përfunduar së fundi vetëm me 15 ditë. Qeveria nga ana tjetër vazhdon me ‘menaxhimin’ e fondeve të huaja që sillen rreth 500 milionë euro.

Gjendja në MV dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor paraqitet stabile dhe me shpresë për një dalje të suksesshme të banorëve nga COVID-19. Një dilemë tjetër në rritje mbetet se si qeveria e MV-së do të veprojë me vizitorët e përkohshëm dhe shtetasit që gjendjen jashtë MV -së pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe çfarë lloji karantine duhet të bëjnë shtetasit e MV -së dhe të huajt pas hyrjes në vend?

Bazuar na praktikat e jashtme, si pasojë e sëmundjes ngjitëse, çdo shtetas detyrohet t’i respektojë ligjet e karantimit shtëpik deri në 14 ditë. Kjo është në rregull dhe duhet respektuar deri në një gjendje të re kur shkalla e përhapjes së COVID-19 të jetë ulur dhe nuk paraqet rrezik publik.

Në MV, karantina që nga muaji mars ka pësuar ndryshime disa herë dhe në fuqi është karantinimi i detyruar shtetëror. Ky mentalitet i vjetër dhe jo transparent i karantinës duhet të ndryshohet që tani. Është e pamundur me hapjen e kufijve të gjithë vizitorët apo shtetastit e MV-së që hynë në pikat kufitare dhe të vazhdojnë rrugën e karantinimit shtetërorë në objektet aspak të sigurta dhe jashtë standarteve ndërkombëtare dhe europiane.

Nëse zyrtarët e MV-së ndjehen shumë mirë kur pranojnë ndihma humanitare nga BE, mjete financiare nga instituconet ndërkombëtare dhe përfitime tjera, është mirë që vetë të sillen si europianë duke aprovuar ligje, rregullore dhe praktika që po ashtu dalin nga kapitujt e aderimit në BE dhe janë në përpudhje me të gjitha normat ndërkombëtare.

3.Sipas nenit 361 të Ligjit për Shërbimin e Shëndetit Publik (42 Kodi i Sh.B.A. 4 264), Sekretari amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore është i autorizuar të marrë masa për të parandaluar hyrjen dhe përhapjen e sëmundjeve të transmetueshme nga vendet e huaja në SH.B.A., dhe midis shteteve. Autoriteti për kryerjen e këtyre funksioneve në baza ditore është deleguar në Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Qeveria Federale e Gjermanisë në javën e parë të muajit prill njoftoi se të gjithë shtetasit gjermanë dhe ato me qëndrim të përkohëshëm që vijnë në Gjermani nga jashtë do t’i nënshtrohen një vetë-karantine dy-javore. Ndërsa në Shkup në mbledhjen e 25 të qeverisë së MV-së u shqyrtuan informacionet për objektet e akomodimit të personave në karantinë shtetërore. Autoriteti publik i qeverisë, presidentit, ndryshimet jo adekuate me gjendjen e jashtëzakonshme dhe karantinë të detyrueshme shtetërore, japin shenja të zbehjes së lidershipit me arsyetime të mbështetura jo në baza shkencore të realitetit me COVID-19, por me pikënisje politike dhe financiare në kohë të daljes graduale nga pandemia.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button