Gruaja 57-vjeçare rasti i parë i etheve të Nilit perëndimor në Maqedoni

Në Maqedoni është regjistruar rasti i parë i etheve të Nilit perëndimor, i cili është konfirmuar edhe në laborator. Me këtë virus është infektuar një grua 57-vjeçare, e cila nuk ka udhëtuar jashtë shtetit. Ajo është në gjendje të mirë shëndetësore dhe e pranon terapinë e nevojshme, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.

“Instituti për shëndet publik dje e informoi Ministrinë e Shëndetësisë për vërtetim laboratorik të rastit të parë të etheve të Nilit perëndimor në vend. Bëhet fjalë për një grua 57-vjeçare, e cila nuk ka udhëtuar jashtë shtetit, ndërsa simptomet e sëmundjes kanë filluar me temperaturë të lartë dhe dhimbje koke të mëdha. Momentalisht, pacientja është në gjendje të mirë shëndetësore. Ky është rasti i parë i  etheve të Nilit perëndimor në vend në vitin 2013”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sëmundja bartet me kafshimin e mushkonjave të infektuara me virusin e etheve të Nilit perëndimor. Tek numri më i madh i të sëmurëve, sëmundja mund të kalojë pa simptome si temperaturë e lartë, ethe, dhimbje koke, përzierje, lodhje… Vetëm te një përqindje mund të paraqiten komplikime më serioze, si meningjiti, encefalitisi, poliomielitis-paraliza… Parandalimi më i mirë është vetëmbrojtja përmes shfrytëzimit të kremërave dhe mjeteve kundër mushkonjave, si dhe dezinfektim të sipërfaqeve publike. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button