Aleanca për Shqiptarët: Qeveria të ndalojë me standardet e dyfishta
Derisa apelet për respektim të masave, e madje edhe dënimet janë ashpërsuar pyesim publikisht qeverinë ku ishte sot për të parë Strugën?, kumtojnë nga Aleanca për Shqiptarët (ASH).
Struga sot për fat të keq ishte plot, e mbushur me njerëz, turma e të cilëve nuk respektuan distancën fizike, duke qëndruar pranë njëri tjetrit pa maska e pa doreza! Kjo i ndihmon pandemisë të vazhdojë rrugën e shpërndarjes së virusit ndërkaq neglizhenca e autoriteteve me zgjatjen e situatës do t’i kushtojë më së shumti qytetarëve të vendit, shumë prej të cilëve mbetën edhe pa punë.
Ajo që ndodhi në Strugë sot, po ndodh për herë të dytë në territorin e vendit. Sepse një tubim tjetër fetar në manastir ortodoks ndodhi edhe gjatë festës së Pashkëve dhe si në rastin e parë, si në atë sot gjithçka u transmetua live. Ndonëse qeveria herën e parë arsyetoi tubimin me arsyen se bëhej fjalë vetëm për persona kishtar, sot ky arsyetim tingëllon absurd sepse të pranishëm ishin qytetarë që kishin ardhur thjeshtë për të dëgjuar liturgjinë.
Kujtojmë se MPB reagoi shumë shpejt në Hasanbeg, madje personat e involvuar po ballafaqohen edhe me dënime derisa të tjerë pa asnjë pengesë po kryejnë obligimet fetare!