RMV, shoqëria civile reagon për shkak të ridedikimit të fondeve për mjedisin jetësor nga Buxheti

Njëzet e dy organizata qytetare i dërguan letër Qeverisë dhe presidentit të shtetit dhe kryetarit të Kuvendit, në të cilën theksojnë se zbatimi thelbësor dhe i vazhdueshëm i transparencës dhe qeverisjes së mirë është më i rëndësishëm në këto periudha të vështira, në mënyrë që të mos cenohen të drejtat e njeriut, sundimi i brishtë i ligjit dhe vendimmarrja demokratike e pranishme në shoqërinë tonë. Ata siç theksohet në kumtesën e dërguar nga WWF Adria, reagojnë për ridedikimin e fondeve për mjedisin jetësor nga buxheti.

“Organizatat qytetare e kuptojnë që qeveria jonë punon në kushte ekstreme. Megjithatë ato i bëjnë thirrje qeverisë ta shtyjë çdo vendim që nuk është aktualisht i rëndësishëm për shëndetin dhe sigurinë e njeriut, për të cilin nuk mund të sigurohet transparenca dhe pjesëmarrja e rëndësishme”, theksohet në kumtesën e WWF Adria.

WWF, Eko-Vetëdija, IDSCS, Fondacioni i Shoqërisë së Hapur, Platforma maqedonase kundër varfërisë dhe organizata të tjera japin disa rekomandime që mund ta përshpejtojnë zhvendosjen në drejtim të ekonomisë e cila është neutrale në aspektin klimatik dhe e cila e mbron dhe ripërtërin botën tonë natyrore, shëndetin dhe mirëqenien.

Organizatat i bëjnë thirrje qeverisë ta mbështesë dhe forcojë zbatimin dhe financimin e standardeve dhe politikave ekzistuese mjedisore për  zgjidhjen e krizës klimatike, humbjen e diversitetit biologjik dhe ndotjen e mjedisit jetësor, transmeton MIA.

“Buxheti për projekte të tilla nuk guxon të shkurtohet dhe ridedikohet, të bëhet investim serioz në ngritjen e vetëdijes dhe edukimit për të drejtat e njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e natyrës, duke e forcuar shoqërinë tonë për t’u përballur me sfidat e ardhshme”, theksojnë organizatat.

Sektori i shoqërisë civile bën thirrje për ndarjen e fondeve stimuluese të kushtëzuara nga zbatimi i masave të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe Marrëveshjes së Parisit, në mënyrë që të lëvizë transformimi i ekonomisë sonë drejt të qëndrueshmes. Të nisen iniciativa serioze të qëndrueshme në përputhje me interesin publik dhe t’u ofrohet mbështetje organizatave (lokale) qytetare, theksohet në kumtesën dorëzuar nga WWF Adria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button