Me ç’libra në duar i gjetëm profesorët e UT-së në kohën e karantinimit? (1)

(Intervista e mëposhtme, për Portalb, u realizua nga Adelina XHAFERI, absolvente në Universitetin e Tetovës, në programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe me profesorët e këtij programi)

Adelina Xhaferi

Ajo që nuk e kishim menduar asnjëherë se mund të bëhej pjesë e detyrueshme e jetës sonë është pikërisht mbyllja e të gjithë neve brenda shtëpive, ndryshe nga ç’bënim ditëve të tjera kur jetesa jonë ishte normale: me vrap për në punë, me kryerje të obligimeve, me takime shkencore e letrare midis një grupi të caktuar njerëzish, me seminare, me ndjekje të ligjëratave në amfiteatro universitetesh, me blerje të librave më të rinj panaireve të ndryshme…

Thjesht një jetë që për ne ishte bërë e zakonshme. Duke pasur parasysh kohën në të cilën po jetojmë, secili u bë pjesë e një karantinimi botëror, është shumë e vështirë të thuhet se veprimet e lartpërmendura mund të kryhen ashtu siç i kryenim deri dje. Ndoshta për një kohë e kemi të ndaluar të lëvizim lirshëm për ta parë një film, për ta vizituar një mik, për të pirë kafenë në këndin e njëjtë ku jemi mësuar; ndoshta nuk mund të ecim lirshëm në vendin që ne na fal qetësi ose na frymëzon për vargje lirike, por nuk mund të themi se nuk kemi kohë për lexime e studime më të hollësishme që lidhen me temat e interesimit tonë, apo thjesht, për librat që na plotësojnë.

Kur flasim për këtë të fundit, pranë veprave letrare-artistike e atyre shkencore i kemi gjithmonë profesorët e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të cilët me zell e mbajnë gjallë frymën e gjuhës sonë, për ta përcjellë atë me dinjitet në brezat e mëvonshëm, herë me anë të fjalës së bukur (letërsisë), e herë me anë të rregullave se si fjala e bukur të shkruhet drejt (gjuhësisë). Në këtë mënyrë ata ndikojnë drejtpërdrejt që tjetri (nxënësi, studenti, lexuesi apo kushdo tjetër) të rendë me gëzim pas një libri derisa ta gjejë e ta bëjë pjesë të bibliotekës së vet, ose të mësojë si ta flasë e ta shkruajë drejt gjuhën amtare.

Për ta kuptuar se me ç’libra i gjetëm në këtë kohë profesorët e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tetovës dhe se në ç’strehë leximi ishin futur, e realizuam edhe intervistën e mëposhtme. Për lexuesin fisnik që letërsinë e ka njëherësh edhe profesion edhe dashuri jete, besojmë se titujt e dhënë nga ana e tyre do të jenë mundësi e mirë rekomandimi dhe të tillë që do të duan t’i lexojnë menjëherë.

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, të qenit bijë e një shkrimtari do të thotë të jesh gjithë jetën e rrethuar me mendime artistike, jo vetëm me ato të shkrimtarëve shqiptarë e të huaj, por edhe me ato të njeriut më të afërt (babait tuaj, profesorit të ndjerë Murat Isaku). Do të na thoni diçka për këtë fat tuajin?Pak edhe mbi atë se cilët tituj do ia sugjeroni lexuesit, duke u nisur nga një varg i madh librash të lexuara nga ana juaj, qofshin ata që mendoni se mund të bëjnë kthesë në jetën e tij ose ata me të cilët ju ka gjetur ky karantinim!

Prof. dr. Luljeta ISAKU: Vetë fakti i identifikimit tim nga të tjerët si bija e Murat Isakut, më bën që të kem shumë obligime ndaj atij emri. Të jetosh me një shkrimtar do të thotë të kesh dikë që mbi ty lë gjurmë morali; të dish se kur është mjaft dhe ç’është turp; të kesh gjithmonë një model për formimin e personalitetit. Nuk është e lehtë, por është e kënaqshme. E veçanta e kësaj jetese është obligimi që ke ndaj tij dhe zotësia për t’iu qasur jetës. Të jetosh me një shkrimtar do të thotë t’i lexosh dëshirat në sytë e tij, përpara se të tjerët t’i lexojnë në libra. Është fat i madh të jesh lexuesja e parë e dorëshkrimeve të babait tënd. Unë edhe sot jetoj nën hijen e personalitetit të tij e me urdhrin e tij që juve studentëve të mi gjithmonë t’ju trokas në zemër. Shpesh ju them në ligjërata se të jesh profesor do të thotë të zgjedhësh çka do të flasësh. Këtë po e bëj edhe për veprat që i sugjeroj për lexuesin. Ndoshta pas leximit të tyre i dalin në ndihmë dhe i flasin më tepër nga ç’mund t’u them unë për to:

  1. “Arka e djallit – Dritëro Agolli – Është roman që përcjell shumë humor. Në fakt ky humor është tragjik për fatin e njeriut krijues. Dy personazhet e romanit, Cute Babulja dhe Bamkë Dynjaja krijojnë dialogë shumë të veçantë, që bartin peshë të rëndësishme në vepër. Njëri shkruan dhe vepron, si Ezopi, ndërsa tjetri vetëm udhëton dhe vepron, si Nastradini. Është roman tragjik për komleksitetin e natyrës njerëzore dhe për lirinë e kufizuar të mendimit.
  2. Romanet e Fatos Kongolit (Lëkura e qenit”, “Jetë në një kuti shkrepësesh” dhe “Bolero në vilën e pleqve”) Letërsia që krijon Fatos Kongoli është psikologjike dhe psiko-patologjike. Personazhet kryesorë përveç problemeve shoqërore kanë edhe probleme mentale. Ata kalojnë nëpër drama të çuditshme jetësore dhe nëpër histori dashurie të dëmshme. Përmes përjetimesh nga më të ndryshmet ata, dëshmojnë edhe për hapësirat e ngushta jo vetëm të banimit, por edhe të jetës shpirtërore. Personazhet nuk janë heronj. Janë njerëz të zakonshëm të jetës reale: skenaristë, gazetarë, motra medicinale; të moralshëm, të pamoralshëm, lesbike etj. Në këto romane shfaqjet skizofrenike të shoqërisë së sotme shqiptare të tranzicionit lidhen midis të tjerash edhe me faktin e dimensioneve të ndrydhura, të hapësirave të tyre të jetës që kanë qenë të ngushta, të vogla. Kjo padyshim ka ndrydhur edhe botën e brendshme dhe psikologjinë e personazheve. Kjo shfaqet në forma shpesh të dhimbshme.
  3. “Goja e botës” – Zija Çela – Me tematikën e shtjelluar vepra qëndron afër preokupimeve të botës shqiptare, e cila është me shumë pësime e dilema. Tragjikja dhe grotesku fuqizojnë njëra-tjetrën dhe shkrihen së bashku. Ëndrrat kanë versione të ndryshme, por të gjithë njerëzimi i sheh. Fifara dhe fifarasit nuk janë projeksion vetëm i një Shqipërie. Ky vend dhe këta banorë janë projeksion i shumë qyteteve të ngjashme në botë.VAZHDON….

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button