Në Dibër prej 51 qytetarëve të infektuar, 45 janë shëruar plotësisht

Qyteti i Dibrës ishte vatra e parë e të infektuarve në Maqedoninë e Veriut, deri në atë shkallë sa Qeveria e RMV-së ishte e detyruar të vendos qytetin në karantinë.

Javët e fundit Dibra regjistroi më shumë të shëruar se të infektuar, ashtu që sot prej 51 të infektuarve, 45 janë të shëruar plotësisht, ndërsa katër persona kanë ndërruar jetë, transmeton Portalb.mk.

Dibra tashmë është në ditën e nëntë pa raste të reja të të infektuarve.

“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që edhe më tej të vazhdojnë t’i respektojnë me përpikëri rekomandimet dhe masat e autoriteteve. Tani është e detyrueshme mbajtja e maskave mbrojtëse dhe doreza. Kështu që ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të durueshëm dhe t’i respektojnë rekomandimet për të mirën e tyre dhe të të gjithë qytetarëve”, apeloi kryetari i Dibrës, Hekuran Duka.

Dy persona të tjerë që janë në trajtim shtëpiak pas dy ditësh duhet të testohen

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sipas propozimit të Shtabit kryesor koordinues të krizës, i hoqi të gjitha masat e parapara për territorin e dy komunave të përmendura të cilat ishin në fuqi sipas planit të aksionit të përgatitur më 13 mars 2020.

Qytetarët e dy komunave ishin 30 ditë në karantinë dhe me kufizim të lëvizjes për shkak të krizës shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë sot informoi se në 24 orët e kaluara ka ndërruar jetë 1 person nga virusi korona, 26 persona janë infektuar, prej tyre asnjë nga Dibra, ndërkaq 36 janë shëruar. Numri i përgjithshëm i të vdekurve ka arritur në 57, të infektuarve në 1326, ndërkaq të shëruarve në 337.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 36 pacientë, 2 prej tyre në mjekim spitalor dhe 34 në mjekim shtëpiak. Sipas qyteteve, pacientët e shëruar janë: 15 nga Shkupi, 7 nga Shtipi, 6 nga Prilepi, 3 nga Velesi, 2 nga Koçani dhe 1 nga Probishtipi.

Përveç Dibrës që po jep rezultate të mira në këto javë, tashmë edhe qyteti i Shtipit është ai qyteti i Maqedonisë së Veriut që në statistikat e fundit shënoi më shumë të shëruar se të infektuar, duke regjistruar vetëm sot 7 të shëruar, prej 32 të infektuarve që ka pasur gjithsej ky qytet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button