RMV, Fondi për Inovacione pranoi rreth 500 iniciativa për ballafaqim me krizën e COVID -19

Thirrja publike “Kreaton” e Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, për krijimin e veglave digjitale dhe zgjidhje për ballafaqim me pasojat e virusit korona, ka pranuar gjithsej 546 iniciativa, prej të cilave 57% janë nga kompani shoqata apo organizata, ndërsa 43 % janë dorëzuar nga persona fizikë, njofton Portalb.mk.

“Thirrja publike ka zgjatur 72 orë dhe një interes i këtillë është indikator i nivelit të vetëdijes dhe dëshirën për kontribut te shumë bashkëqytetarë, organizata joqeveritare dhe kompani. Është e dukshme se, edhe në rrethana të këtilla të jashtëzakonshme, potenciali krijues dhe solidariteti janë të theksuara fuqishëm në shoqërinë tonë”, tha drejtori i FIZHT, Jovan Despotovski.

Sipas tij, projektet që janë dorëzuar në këtë institucion ofrojnë zgjidhje në shtatë fusha. Mes tjerash, përfshijnë edhe zgjidhje në ballafaqimin me lajme të rrejshme, për ndjekje më të lehtë dhe përditësim të informatave zyrtare që kanë të bëjnë me virusin korona dhe masat parandaluese, si dhe ndjekjen e gjendjes të personave në vetë izolim, platformave digjitale dhe klasave mësimore, zgjidhje për shfrytëzim të dobishëm të kohës së lirë në shtëpi, librari digjitale, si dhe zgjidhje për punë më efikase online.

“Pas fazës së parë, për të gjitha iniciativat e zgjedhura më parë do të caktohen 48 orë për përpunim të planit të detajuar të aktiviteteve dhe propozim buxhet. Aplikantët, projekti i propozuar i të cilëve do të kaloj në fazën e seleksionimit final, do të kenë për obligim të përgatisin prezantim publik të propozimit para Komisionit. Propozimet do të vlerësohen sipas shkallës së inovacionit, afatit dhe mekanizmave të realizimit, kapacitetit të ekipit projektuese dhe ndikimit”, deklaroi Despotovski.

Buxheti i përgjithshëm i këtij projekti është 10 milionë denarë, me shumë maksimale prej 10.000 euro për aplikacion.

Thirrja publike është projekt i përbashkët i Fondit të Inovacioneve, Ambasadës së Zvicrës në vend, USAID-it, UNICEF-it, MASIT-it dhe partnerëve të tjerë, që do të realizojnë vlerësimin e iniciativave të dorëzuara.

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button