Medikalizimi i shoqërisë

“Rrini në shtëpi edhe ne do t’ju duartrokasim”

B.Sait, mjek kosovar në Spitalin Amerikan, Stamboll

“Lani duart shpesh, rrini në distancë, izolohuni në shtëpi, ndiqni udhëzimet e kompetentëve, ruajuni nga pandemia globale.” “Vargu”, poezia më jopoetike, porosia më rrëqethëse e këtyre ditëve kur po përjetojmë një trend që Ivan Illich qysh moti, në vitin 1975 në Journal of Medical Ethics e ka cilësuar si medikalizim i jetës (medicalization of life). Atyre viteve besimi në progresin e pakufizuar ishte i palëkundur, përparimi në mjekësi nënkuptonte përpjekjet për të përmirësuar shëndetin njerëzor, për të eliminuar sëmundjet, dhimbjet dhe zgjatur kurbën e jetës duke i shfrytëzuar ndërhyrjet më të reja të inxhinierisë, kurse mjeku ishte në kulmin e autoritetit të vet, si një hero kulturor. (f. 73) Termin medikalizim në literaturën sociologjike e kanë futur në vitet 1970 Irving Zola, Peter Conrad dhe Thomas Szasz. Hulumtuesit Conrad dhe Schneider të parët e kanë shfrytëzuar këtë term në studimet e tyre lidhur me devijimin social të viteve 1980. Si sinonime të medikalizimit janë edhe patologjizimi dhe shpërhapja e sëmundjeve (disease mongering). Në kuptimin më të përgjithshëm, mediaklizimi i referohet çështjes se si kushtet dhe sjelljet njerëzore përkufizohen në terma mjekësorë, zakonisht si një sëmundje dhe çrregullim. Të këtij segmenti, pra që shenjojnë këtë fenomen anë edhe jtermat si pre-obesity (para-obez), pre-diabetes (paradiabetik), previvor (para-kancerik), pre-death (para-vdekje) e të ngjashëm që përmes profesionistëve mjekësorë i mbajnë njerëzit vazhdimisht në ankth.

Sipas Steve Taylor-i, mjekësimi (medicalization), si tipar i shoqërive moderne është procesi në të cilin përvojat që dikur trajtoheshin si “normale”, si shtatzania, lindja e fëmijës, shqetësimet, pleqëria dhe vdekja, fillojnë të perceptohen si “sëmundje” që kërkojnë mbikëqyrje dhe kontroll shoqëror. Është pikërisht kjo ajo që Conrad e ka përshkruar si making things medical (mjekësim i gjërave). Illich (1976) pohon se “kolonizimi mjekësor” i shoqërive ka përftuar varësi ndaj ekspertizës mjekësore dhe një trajtim që njerëzve ua grabit aftësinë për t’u ballafaquar me sëmundjet dhe vuatjet që janë pjesë e pashmangshme e jetës njerëzore. Ai argumenton se mbizotërimi monopolist i mjekësisë mbi nevojat shëndetësore duhet të zhduket dhe se njerëzit duhet të inkurajohen për të marrë më tepër përgjegjësi mbi jetët e tyre e jo për çdo sëmundje të kërkojnë hape. Për Illich-in medikalizimi është vetëm një aspekt i një procesi më të përgjithshëm në shoqëritë moderne, nëpërmjet të cilit shkelet autonomia individuale përmes kontrollit të elitave shkencore e burokratike dhe në këtë drejtim ka ngjashmëri me pesimizmin e Weberit për “kafazin e hekurt” të industrializmit.

Për V. Navarro-n, ndjekës i pikëpamjes marksiste, shpjegimi i medikalizimit s’mund të bëhet me industrializimin por me ekonominë politike të kapitalizmit industrial. Janë kompanitë farmaceutike transnacionale, prodhuesit e pajisjeve mjekësore dhe komplekset spitalore private ato që i bindin mjekët se trajtimet mjekësore duhet të gjejnë zbatim në një spektër të gjerë të jetës shoqërore. Navarroja nuk pajtohet me mendimin e Illich-it se profesioni mjekësor shkakton medikalizimin; sipas tij, këtë proces e shkaktojnë organizatat kapitaliste që synojnë përfitime gjithnjë e më të mëdha. Teza e medikalizimit, përkundër faktit që e ruan popullaritetin e vet, po kontestohet mjaft nga sociologjia bashkëkohore. Empirikisht është argumentuar se shtrirja e medikalizimit është stërmadhuar dhe se aftësia e njerëzve për t’i bërë ballë kontrollit mjekësor është përçmuar. (Taylor, 1999: 271) Sipas Tiago Correia (2017) rregullimit mjekësor në jetën e përditshme i ka zëvendësuar institucionet e mëparshme të kontrollit social, pra kishën dhe drejtësinë, i ka kaluar devijimet (si p.sh. alkoolizmi, prostitucioni, narkomania, pedofilia etj.) nga mëkati dhe krimi në rafshin e sëmundjes.

Vitin 2020 medikalizimi ka marrë trajtën e asaj që Ivan Oransky nga Reuters Health e ka pagëzuar si tej-medikalizim ose stër-medikalizimi (over-medicalization) ose gjendje e teraupetizimit kur gjithçka është pushtuar nga agjentët e shëndetit dhe mjekësisë, nga shoqërizimi radikal i medicinës (Burnham, 2009). Covid-19 ka krijuar një atmosferë histerie, një panik të paparë, botën e ka shndërruar në një spital të madh, duke e çuar drejt një çmendine kolektive. Korona ka shkaktuar edhe stigmatizimin masiv të padëshiruar të njerëzve mes vete. Sipas Erving Goffmanit ekzistojnë tre lloje të stigmës: (1) identiteti fisnor (seksi, feja, raca). (2) ceni i karakterit individual (varësia, papunësia, sëmundja mentale), dhe (3) neveria ndaj trupit (deformitete të caktuara). Sot lirisht mund të shtohet edhe stigma e njollosjes (tainting) dhe zhvlerësimit (discounting) të tjetrit si bartës potencial i virusit të koronës. Në këto rrethana secili dyshon te secili, madje edhe anëtarët e familjes tjetërsohen mes vete, sepse s’ndjehen të sigurt. Në veçanti në shënjestër janë pleqtë të cilët paraqiten si target i kësaj pandemie, në trajtimin e të cilëve sot po shfaqen refleksione eugjeniste („Le t’i marrë kjo pandemi“), ndërkohë që duhet të jetë në aksion si etika mjekësore (deontologjia) ashtu edhe ajo individuale.

Kjo tragjedi sjell edhe të mira që ne ndoshta i përçmojmë. Kthimin te vetja. Se u u çnatyruam, u bëmë sprinterë të pamëshirshëm në këtë jetë ku duhet të ketë edhe spontanitet, natyrshmëri. Gjithçka u indeksua te interesi, paratë, karriera, suksesi material. Karantina është kurs/trajnim global me detyrim i organizuar nga një “dorë/fuqi e padukshme” për gjithë njerëzimin. Psikoteknikat dhe psikoteknologjia njerëzore duhet të jenë gjithashtu në veprim. Kundër bëries së sëmundjes epiqendër e jetës, kundër bio-paradigmës kur e kemi humbur torruan dhe kontrollin social. Drejt transformimit të kushteve njerëzore në çrregullimetë shërueshme.

Sociologët e kundërshtojnë medikalizimin në emër të liberalizimit nga farmaceutizimi (Abraham, 2010) dhe shndërrimit të njeriut në objekt kurimi dhe monetarizimi. Të shpresojmë që ky tërmet shëndetësor nuk është shkaktuar nga industria shëndetësore. Sikur që janë duke shkuar punët në këtë rast kanë mbetur pa tekst edhe shtetet, edhe korporatat, edhe kapitalistët e mëdhenj. Kriza e Covid-19, po godet arkëtarët e financave globale. “Kapitalizmin që s’arritën ta rrënojnë të varfrit, mos vallë do ta shkatërrojë një virus?” (D. Cundioglu) Sidoqoftë, një gjë është e qartë: Asgjë s’do të jetë siç ka qenë, punët do të ndryshojnë radikalisht. Nga inteligjenca artificiale u kthyem te tutoriale për larjen e duarve.

Dhe duke e përfunduar këtë shkrim, dy pamje trishtuese, njëra nga Zagrebi, tjetra në Moska. Gra materniteti të dala jashtë spitalit për shkak të tërmetit dhe njerëz që hidhen nga shkallët e  improvizuara të Aeroflotit për të shpëtuar nga zjarri që po gëlltiste avionin. Pamje apokaliptike. Po Lindja e Mesme? O Zot, ku gabuam?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button