Futbollistët në Norvegji u pushuan përkohësisht shkaku i situatës së krijuar nga koronavirusi

Futbollistët profesionistë në Norvegji janë pushuar përkohësisht, ndërsa klubet po e kanë të vështirë të përballojnë ndikimin ekonomik të përhapjes së koronavirusit.

Qeveria ka ndërhyrë për të mbuluar pagat, ka njoftuar unioni i lojtarëve në Norvegji (NISO), shkruan agjencia Reuters, transmeton Koha.net.

Me mbylljen e stadiumeve dhe paqartësinë rreth të hyrave nga të drejtat televizive, klubet në shtetet tjera kanë lëshuar paralajmërime ndërsa virusi vazhdon të përhapet.

Norvegjia besohet se është shteti i parë që kumton pushimet e përkohshme.

Derisa klubet në Angli dhe Spanjë mund t’u paguajnë lojtarëve të mëdhenj dhe trajnerëve paga të majme shkaku i marrëveshjeve luksoze televizive dhe marrëveshjeve sponsorizuese, klubet në shtetet më të vogla evropiane shpesh e kanë të vështirë të mbulojnë shpenzimet.

Futbolli norvegjez ka vepruar shpejt ndaj koronavirusit, fillimisht duke futur në karantinë për 14 ditë lojtarët që kanë qenë jashtë, duke anuluar ndeshjen e plejofit për Euro 2020 kundër Serbisë dhe duke pezulluar gjithë aktivitetet e futbollit përfshirë edhe stërvitjet.

Pushimi i përkohshëm është hapi i radhës për të mbrojtur të ardhmen afatgjate të lojës, ka thënë Joachim Walltin, drejtori i NISO-s.

“Ata janë të pushuar vetëm përkohësisht. Autoritetet kanë vendosur që gjitha aktivitetet sportive, përfshirë edhe stërvitjet, të ndalohen deri më 26 mars. Ata nuk janë të pushuar plotësisht nga puna, por nuk janë të lejuar të punojnë për një periudhë të përkohshme. Autoritetet kanë ofruar një pako të emergjencës për të ndihmuar dhe të gjithë që fitojnë nga 75 mijë krona norvegjese (6217 euro) e deri në 600 mijë krona (rreth 50 mijë euro) do të marrin pagën e plotë për deri në 20 ditë. Se çfarë ndodh pas 26 marsit, mbetet të shihet”, ka thënë Walltin.

Në Norvegji pagat e lojtarëve zakonisht janë më të ulëta se në ligat e mëdha evropiane, përkundër taksave të mëdha dhe kostos së jetesës.

Lojtarët e rinj me marrëveshje modeste dhe jo-norvegjezët në kontrata afatshkurtër veçanërisht janë të cenueshëm.

“Ata që fitojnë më pak se 75 mijë krona dhe lojtarët e huaj që nuk kanë kontratë 12 mujore apo më afatgjate, nuk do të përfitojnë nga kjo pako e papunësisë. Ne si asociacion, po ashtu edhe federatat kemi inkurajuar klubet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë këtyre lojtarëve”, ka thënë Walltin.

Përkundër rrethanave të veçanta, shefi i unionit ka thënë se pushimi i përkohshëm, që do të aplikohet për futbollin e meshkujve dhe femrave në nivel elitar në Norvegji, nuk nënkupton se lojtarët janë të lirë të largohen nëse ata nuk paguhen me kohë.

“Është një zgjidhje e veçantë për Norvegjinë dhe ata nuk mund të transferohen automatikisht në shtetet tjera. Autoritetet po paguajnë me miliarda për të ndihmuar njerëzit që janë të pushuar dhe kjo ndihmon po ashtu”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button