Kina reagon ndaj Trumpit i cili përdori shprehjen “Virusi kinez”

Kina ka reaguar ndaj presidentit të SHBA-së, Donald Trump i cili në një postim në Twitter lidhur me epideminë e koronavirusit përdori shprehjen “Virusi kinez”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një artikull në gazetën “South China Morning Post”, mësohet se zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Geng Shuang në një konferencë për media ka deklaruar: “Disa politikanë në SHBA po përpiqen të njollosin Kinën duke lidhur vendin tonë me koronavirusin”.

“Ne e kundërshtojmë këtë me zemërim dhe i bëjmë thirrje SHBA-së që të ndalojnë së akuzuari Kinën. Prioriteti kryesor i komunitetit ndërkombëtar është bashkëpunimi ndërkombëtar për të luftuar virusin. SHBA-ja duke u përqendruar në prioritetin e saj duhe të luajë një rol konstruktiv për bashkëpunimin ndërkombëtar në çështjen e sigurisë së shëndetit”, tha Shuang.

Në një postim mbrëmë nga llogaria e tij në Twitter, Trump përdori shprehjen: “SHBA-ja do të mbështesë të gjitha industritë, linjat ajrore dhe të tjerët që janë prekur nga Virusi kinez. Ne do të jemi më të fortë se çdo herë”.

Për shkak të koronavirusit të ri (Covid-19) i cili për herë të parë u shfaq në qytetin Wuhan të Kinës, deri më tani në këtë vend janë prekur 80.881 ndërsa në SHBA 4.661 persona. Si pasojë e Covid-19 në Kinë kanë vdekur 3.226 persona ndërsa në SHBA 85.

Kjo sëmundje e cilësuar si “pandemi” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është përhapur në më shumë se 150 vende dhe rajone ku si pasojë në të gjithë botën kanë vdekur 7.174 persona ndërsa mbi 180 mijë të tjerë janë prekur nga virusi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button