Virusi korona, Alili: Stafi mjekësor i Spitalit të Tetovës është i mobilizuar tërësisht

Deri në këto momente në territorin e Komunës së Tetovës, gjegjësisht Spitalin e Tetovës gjendja është e qetë, nuk ka panik kurse ne si staf mjekësor jemi të përgatitur në maksimum, tha kryeshefi i departamentit të sëmundjeve infektive në Tetovë, Alil Ismaili. Kurse drejtori Besimi, për Portalb.mk konfirmoi se ky spital nuk ka mungesë të aparateve respiratore, transmeton Portalb.mk.

Alili nga departamenti i sëmundjeve infektive në Tetovë tha që një numër i madh i personave që vijnë për kontrolle, zakonisht vijnë nga frika e jo simptome reale të virusit korona. Ai shtoi që për çfarëdo situate, ekipi mjekësor i këtij spitali është i mobilizuar.

“Gjendja deri në këto momente është e qetë, nuk ka panik të madhe te qytetaret e Komunës së Tetovës, gjegjësisht ata të cilët vizitojnë Spitalin e Tetovës. Një numër i madh i personave që vijnë këtu, nuk kanë as simptoma e as grip, mirëpo të nxitur nga frika dëshirojnë të kontrollohen. Ne jemi të përgatitur në maksimum për çfarëdo gjendje, andaj nuk ka hapësirë për panik” theksoi Ali Ismaili nga Spitali i Tetovës.

Florin Besimi, foto e marrë nga Twitter.
Florin Besimi, foto e marrë nga Twitter.

Ditëve të fundit në opinion është shtruar pyetja se a janë spitalet tona të përgatitura me mjete të nevojshme për një virus të tillë, Florin Besimi, drejtori i Spitalit të Tetovës për Portalb.mk tha që ky spital është tërësisht i përgatitur dhe posedon aparate respiratore.

“Spitali i Tetovës është i përgatitur tërësisht, ne posedojmë aparate respiratore dhe vazhdimisht bëjmë thirrje deri te njerëzit të mos bëjnë panik dhe të i respektojnë masat të cilat mund të parandalojnë virusin Korona” tha Florin Besimi, drejtor i Spitalit të Tetovës.

Në Tetovë aktualisht po respektohen masat e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për parandalimin e virusit korona, respektivisht tash dy ditë të gjitha kafenetë, restorantet dhe objektet tjera që mbledhin grumbull njerëzisht janë mbyllur kurse qytetaret e kësaj komune dukshëm kanë minimizuar daljen e tyre jashtë por jo tërësisht.

Ndërkaq edhe Komuna e Tetovës ka ndërmarrë disa masa, kliko për t’i lexuar.

Ndryshe, deri në këto momente të testuar pozitiv me virusin korona në Maqedoninë e Veriut janë gjithsej 18 persona edhe atë 16 prej tyre nga Dibra kurse 2 nga Shkupi. Me qëllim që ky numër të mos rritet, sot presidenti Pendarovski konfirmoi informatën që nesër do të mbahet takim i liderëve ku do të diskutohet edhe prolongimi i zgjedhjeve parlamentare që ishte i paraparë të mbahet me datë 12 prill.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button