Bexheti dëshmoi për “Monstrën”: Nuk kemi pasur pikëpamje të njëjta për rastin me Jankulloskën

Në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Monstra” ka dëshmuar ish ministri i Drejtësisë në kohën kur ka ndodhur vrasja e pesëfishtë dhe kryetari aktual i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, njofton Portalb.mk.

Në pyetjen e gjykatësit të lëndës, Ognen Stavrev, se kush e ka lajmëruar për ngjarjen në vitin 2012-të, Bexheti tha:

“Nuk më kujtohet saktë se kush më ka informuar. Sipas të gjitha gjasave u njoftova nga bashkëpartiakët. Atëherë isha në Turqi, nuk isha në Maqedoni”.

“Gjykatësi Stavrev tha se në seancë ka dëgjuar biseda me politikanë tjerë, në lidhje me Bexhetin, ndaj të cilës ai u përgjigj:

“Nëse i merrni parasysh deklaratat e mia kur ka ndodhur kjo ngjarje tragjike, kur isha ministër, që atëherë kam thënë se gjyqësori është vendosur në test dhe sfidë dhe atëherë kam apeluar që të shqyrtohen faktet. U bë ndarje pas kësaj ngjarje sensitive, a gjykata kontribuoi që të rritet mos-besueshmëria ndaj gjyqësorit, shtetit, ndaj të gjithëve. Dhe normalisht, bisedat tona kanë qenë në atë drejtim dhe normalisht është që atëherë kemi pasur përgjegjësi politike, dhe jo përgjegjësi penale”.

Ai shtoi se nuk i kujtohet saktë përmbajtja e bisedave.

“Sigurisht se kam pasur biseda dhe kontakte. Saktë nuk mund të kujtohen se çfarë konkretisht kam folur përpara disa viteve. I kemi ndjekur protestat, kam realizuar takim me familjet e të akuzuarve të cilët nga unë vetëm kërkuan drejtësia që të funksionojë në gjykatë. Më kanë bindur se të afërmit e tyre janë të pafajshëm. Jemi takuar në Qendrën Tregtare “Mavrovka”, tha Bexheti, i cili shtoi se ata nuk kanë kërkuar asgjë, vetëm marrëdhënie korrekte në organet gjyqësore.

Ai tha se nuk është takuar me familjarët e të vrarëve pasi që ata nuk kanë kërkuar takim.

Prokurori Gravrill Bubevski e pyeti Bexhetin nëse për këtë rast ka pasur procedurë për ekstradim, ndërkaq ai tha se aq sa i kujtohet ka pasur.

“Unë i kam ndërmarrë të gjitha veprimet që kanë qenë në kompetencë timen dhe i kam dërguar dokumentet të cilat na janë dorëzuar”, tha Bexheti.

Atëherë Bubevski e rikujtoi se me ish ministren e Brendshme, Gordana Jankulloska ka biseduar për ekstradimin, ku ajo ka insistuar që sa më shpejtë të nënshkruhet dokumenti për ekstradim. Dhe për atë e pyeti nëse mund t’i kujtohet nëse ka pasur ngecje dhe nëse po, cilat kanë qenë arsyet, pasi që asi përshtypje fitohet nga bisedat.

“Bindjet duhet të jenë dypalëshe, dhe jo njëpalëshe, pasi që procesi ishte shumë sensitiv, ka pasur trysni nga mediat, për mua të panevojshme. Unë nuk u nënshtrohem trysnive dhe e di se kam vepruar sipas afateve ligjore”, tha Bexheti.

A janë përmendur kalkulime me lëndën, e pyeti Bubevski Bexhetin.

“Nuk më kujtohet saktë biseda, dua që të jem deri në fund korrekt. Është e saktë se nuk kemi pasur pikëpamje të njëjta politike me ish ministren”, tha Bexheti.

Atëherë Bubeski e lexoi bisedën që e ka bërë me Jankulloskën më 14 mars 2013-të, ose një vit pas vrasjes së pesëfishtë.

Në bisedë dëgjohet Jankulloska duke e lutur që ta shpejtojë procedurën për ekstradim dhe të mos kalkulojë, ndërkaq Bexheti i thotë se nesër do të dërgohen dokumentet në Prishtinë.

“Më kujtohet biseda, dhe ju thash se kemi pasur pikëpamje të ndryshme për vetë procesin dhe ndodhitë në shtet”, tha Bexheti.

I pyetur nëse përveç kontaktit me shkrim, ka pasur edhe ndonjë lloj tjetër komunikimi me autoritetet kosovare, Bexheti u përgjigj se nuk i kujtohet.

Atëherë Bubevski e rikujtoi se në “bomba” dëgjohet se ka kërkuar anulim të seancave të para të “Monstras” pasi që janë caktuar për 5 ditë zgjedhje, ndaj të cilës ai tha:

“Nëse lëshoheni vetëm në një bisedë, do të fitoni përshtypje të ndryshme. Nëse e keni tërë kontekstin, do të fitoni fotografi tjetër. Ne edhe sot e kësaj dite kërkojmë pastrim të rastit. Nuk është vetëm për shkak të zgjedhjeve. Por ka pasur një trysni mediatike për të cilën vlerësova se nuk është korrekte”, tha Bexheti.

Prokurori e rikujtoi se me Musa Xhaferi kanë diskutuar për Haki Azirin, tani i akuzuar, ndërkaq asokohe ishte i përgatitur për dëshmitarë të mbrojtur.

“Po, nuk kemi informata ku është, dhe ajo është një reagim njerëzor. U krijua shqetësim për Azirin, për të cilin nuk kishte informata as familje e tij e as opinioni se ku ndodhej”, shtoi Bexheti.

Më pas Bubevski i tha se me Xhaferin kanë diskutuar se Haki Aziri e kanë përgatitur që të jetë dëshmitarë i mbrojtur, ndaj të cilës Bexheti tha se nuk i kujtohet, por nëse i merr parasysh rastet tjera, si “Sopoti”, ku ka pasur dhunë ndaj një dëshmitarit, kështu bisedën e ka udhëhequr në atë drejtim.

Thirrja ish funksionarëve të lartë të qeverisë me të cilën ka udhëhequr Nikolla Gruevski, vijon pasi që palët në gjykim kanë dyshime se pushteti ka qenë i përzier në këtë rast ku u vranë në mënyrë mizore 4 djelmosha të rinj dhe një peshkatar.

Në seancën e kaluar kanë dëshmuar, ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov dhe ish këshilltari për siguri i presidentit Gjorge Ivanov, Sinisha Aleksovski.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button