Haradinaj: Dëshira ime ishte të fitonte Sali Berisha

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në intervistën për “Epokën e re”, ka folur edhe për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Kur është pyetur për humbjen e mikut të tij, kryeministrit në largim Sali Berishësh, Haradinaj ka thënë se zgjedhjet në Shqipëri janë një e arritur e madhe, pavarësisht se Berisha nuk arriti që të fitoj edhe këtë mandat.

“Së pari mendoj se është një e arritur e madhe e Shqipërisë që zgjedhjet janë sipas standardeve evropiane dhe që qytetari po ka mundësi të vendosë se kënd po e dëshiron më tutje. Është mirë që Shqipëria ka arritur deri në atë ditë ku me votë po vendoset. Besoj se me këtë të arritur Shqipëria i ka hapur një derë vetes për integrim dhe ka hyrë në kategorinë e vendeve që vendoset me votë qeverisja. Meqenëse numërimi nuk është mbyllur ende unë do të përmbahem në deklarim. Unë e përkrah dhe ia kam uruar më herët nga zemra fitoren z. Sali Berisha, sepse e kemi partner politik në të djathtën tonë. Por, edhe unë dhe secili prej nesh kudo që jemi e respektojmë vendimin e qytetarit të Shqipërisë”, ka thënë Haradinaj.

Lideri i AAK-së ka thënë se dëshira e tij ishte që të fitojë Berisha.

“Unë kam pasur dëshirë të fitoj Berisha sepse i kemi pasur disa projekte të përbashkëta që kanë qenë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët dhe rajonin. Njëra ndër projektet ka qenë hekurudha Shqipëri – Kosovë, që kryeministri Berisha ka dhënë premtim se do ta bëjë në mandatin e ardhshëm, kështu që kisha pasur dëshirë që ai përsëri të ishte kryeministër dhe ta përmbyllnim hekurudhën.

Projekti i dytë që kem biseduar kanë qenë lidhjet energjetike Kosovë – Shqipëri. Po ashtu, ka qenë edhe projekti për portin e Shëngjinit. Ky port do të ishte shumë interesant për Kosovën. Tani nuk e di se cili do të jetë fati i këtyre projekteve”, ka thënë Haradinaj.

Kur është pyetur se a do mund kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama, t’i realizojë këto projekte. Haradinaj është përgjigjur: “Nuk e di, se nuk e kam parë planin qeverisës të tij gjatë fushatës, as nuk kam dëgjuar se ai i ka pasur këto projekte. Në takime Berisha më ka thënë ai e ka projekt jetësor, pos autorrugës, edhe hekurudhën Shqipëri – Kosovë”.

Haradinaj ka folur edhe për raportet e tija me Edi Ramën dhe Ilir Metën. “Unë e kam pasur një traditë që sa herë kam shkuar në Shqipëri, edhe kur kanë qenë socialistët në pushtet, e kanë ditur se pas takimit me ta, do të shkoj ta takoj Sali Berishën. Ashtu siç do të vendos qytetari i Shqipërisë atë do ta respektoj edhe unë. Partneriteti im do të ruhet me kryeministrin Berisha edhe më tutje. Ndërsa në rast të gatishmërisë së kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë për të pasur raporte, unë çdoherë do të jem këtu për interesat e qytetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë”, ka thënë Haradinaj. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button