Haradinaj shpallet i pafajshëm, Serbia: Vendimi i lirimit është një turp (VIDEO)

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi shpalli të pafajshëm Ramush Haradinajn, duke e liruar nga të gjitha akuzat. Në vijimi pritet të shpallet vendimi dhe për dy ish-ushtarakët, Lahi Brahimaj dhe  Idriz Balajn. Sot Prishtina është në festë, do të këtë një pritje madhështore në portë dhe më pas në Prishtinë.

Të tre ata janë rigjykuar pjesërisht nën akuzën për “trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve” në atë që quhej kampi ushtarak i Jabllanicës, më 1998.”

Në vitin 2008, Haradinaj dhe Balaj janë liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa i akuzuari i tretë, Brahimaj, është dënuar me gjashtë vjet heqje lirie për “trajtim mizor dhe torturim” të të burgosurve të UÇK-së.
Rigjykimi, që ka nisur më shumë se dy vjet më parë, ka ardhur si kërkesë e prokurorisë së Tribunalit të Hagës për t’i dëgjuar dëshmitë shtesë të dy dëshmitarëve “të rëndësishëm”.

Reagon qeveria serbe: Vendimi i lirimit pengon rëndë dialogun midis dy vendeve

Qeveria serbe është shprehur e pakënaqur për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, që liroi nga të gjitha akuzat Haradinajnë dhe dy ish-ushtarakët e tjerë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Serbisë, Millivoje Mihajlloviç, ka thënë se vendimi i Gjykatës së Hagës për të liruar ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj, “është i turpshëm”.

“Kjo është një goditje e rëndë për drejtësinë dhe një pengesë serioze për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Mihajlloviq për mediat serbe, transmeton REL.

Sipas tij, me këtë vendim “do të zhgënjehen të gjithë ata që mendojnë se do të ketë pajtim në rajon.”

Presidenca dhe qeveria e Kosovës mirëpresin vendimin e Tribunalit

Presidentja e Republikë së Kosovës, Atifete Jahjaga ka mirëpritur vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime lufte në ish – Jugosllavi që të shpallë të pafajshëm ish-kryeministrin e Kosovës dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinajn.

Në një komunikatë për shtyp, presidentja e vendit e ka cilësuar vendimin e sotëm për Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn, si “edhe një dëshmi se lufta jonë është e drejtë dhe prijësit e luftës tonë çlirimtare nuk janë fajtorë për krimet që u janë veshur”.

Presidentja e Kosovës ka përgëzuar gjithashtu qytetarët e Kosovës “për bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës në përpjekje për të kërkuar drejtësi për krimet e luftës të kryera në Kosovë dhe durimin e tyre gjatë kësaj periudhe”.

Vendimin e ka mirëpritur edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke e cilësuar atë si vendim të drejtë. 

“Ky vendim është dëshmia më e fortë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për liri dhe nuk ka kryer krime për të cilat jemi akuzuar padrejtësisht”, thuhet në një komunikatë të publikuar nga zyra për informim e kryeministrit.

“Ky proces i stërzgjatur i Tribunalit të Hagës kundër Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt ka qenë shumë i dhimbshëm për t’u përballuar jo vetëm për ata dhe për familjet e tyre, por ka qenë shumë i vështirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shtetin tonë”, tha Thaçi. (Europa e Lirë)

Berisha: Ftoj Haradinajn të festojmë bashkë

Gjatë konferencës me Kryeministrin e Sllovenisë, Janez Jansa, kryeministri Sali Berisha komentoi edhe lirimin e Ramush Haradinajn. Sa i përket vendimit të dhënë nga Gjykata e Hagës në orët e para të ditës së sotme për pafajësinë e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i akuzuar për krime lufte, Berisha tha se ishte lajmi më i gëzueshëm për gjithë shqiptarët në këtë ditë. Kreu i qeverisë e cilësoi si një triumf të demokracisë dhe ligjit ndërkombëtar, ku e ftoi zotin Haradinaj për një vizitë në Shqipëri në mënyrë që të festohet bashkërisht.

Rama: Festa e Çlirimit të Atdheut nis me pafajësinë e plotë të UÇK-së

Menjëherë pasi mediat kanë nxjerrë lajmin se Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm ka reaguar kreu i opozitës shqiptare në rrjetin social Twitter.

Rama ka thënë se Ramushi u lirua në ditën  e Çlirimit të Atdheut dhe sipas tij kjo është një mrekulli.  

“Pas festes së Pavarësisë dita e Çlirimit të Atdheut nis me pafajësinë e plotë të UÇK-së, përmes gjyqit të mbyllur të Ramushit! E mrekullueshme”, ka thënë Rama. 

Ai është shprehur se, nga sot lavdia e UÇK-së dhe heroika e luftës se protagonisteve te saj çlirohet prej çdo hijeje të hedhur nga keqdashësit në tëre këto vite!

Pritje madhështore në Prishtinë

Sot që në orët e para të mëngjesit, qindra qytetarë janë mbledhur  në shesh, ku do të festojnë mbërritjen e Haradinatjt. Ata kanë ndjekur me shumë vëmendje dhe gëzim  seancën gjyqësore ndërmjet ekraneve në shesh, të vendosur posaçërisht për këtë seance shumë të pritur nga populli i Kosovës. Sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradianj dhe dy ish-ushtarakët do t’u organizohet një pritje madhështore, fillimisht në portë dhe më pas në Prishtinë.

Gazeta Express shkruan se Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj do te priten me protokoll shtetëror në Prishtinë, rreth orës 18:00.

Për kthimin e Haradinajt në Kosovë do të përkujdeset Protokolli shtetëror nën patronatin e Kryeministrit Hahim Thaçi./Shekulli Online/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button