Tetovë, sot filluan punët për vazhdimin e bulevardit të rrugës industriale (VIDEO)
Në prani të zëvendës Ministres së Financave, Shiret Elezi dhe Kryetares së Komunës së Tetovës sot filluan punët ndërtimore për vazhdimin e bulevardit të rrugës industriale në Tetovë, “V.S Bato”. Edhe pse është projektuar nga viti 2016, koha në të cilën filluan punët për të njëjtin sipas kryetares Arifi, nuk ka të bëje me zgjedhjet ngaqë i njëjti është planifikuar më herët, shkruan Portalb.mk.
Sipas Arifit, ky projekt aktualisht është në fazën e parë të tij, kurse për atë se kur pritet të përfundojë, ajo nuk dha ndonjë date konkrete. Ajo shtoi se ky projekt është pjesë e masave të komunës kundër ajrit të ndotur.
“Bëhet fjalë për investim prej 980 mijë eurove. Gjatësia e rrugës përfshin pjesën prej 700 metrave, gjerësia nga të dy anët nga 7 metra, në mes është e paraparë pjesa e gjelbërimit dhe në të dy anët është paraparë trotuar. Në këtë moment zhvillohet pjesa e pare e punimeve, që janë ata të nëntokës që i bie rregullimi i kanalizimit dhe gjithë sistemi i pajisjeve nëntokësore. Menjëherë pas kësaj faze pason faza tjetër, që është asfaltimi. Këtë projekt e kemi vendosur si prioritet në Komunën e Tetovës për shkak se kjo është pjesë e masave tona kundër ndotjes së ajrit, sepse në këtë mënyrë do të zvogëlohet lëvizja e automjeteve të rënda në pjesën qendrore” theksoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Kjo është e hera e dytë që Komuna e Tetovës ka kërkuar mjete nga Banka Botërore për zgjerimin e këtij bulevardi, i cili premtohet nga mandati i kaluar i kryetares së tanishme të Komunës së Tetovës.
Pikërisht për këtë, në pyetjen e gazetarëve se a është duke u bërë kjo për pike politike para zgjedhjeve parlamentare, Arifi u përgjigj se në momentin kur është planifikuar ky projekt, nuk ka qenë e ditur se do të ketë zgjedhje apo jo.
“Në qoftë se do ti njihnit procedurat e aplikimit në Bankën Botërore dhe IPA, atëherë do ta dinit që thirrjet dhe aplikimet sa i përket mjeteve bëhen vite më pare për shkak të programeve strategjike. Nënshkrimi i kontratës për këtë u bë këtë verë, pas kësaj neve na është lejuar që të hapim procedurat për tenderim. Duhet cekur se këto janë zgjedhje të parakohshme, e jot ë planifikuara” tha Teuta Arifi.
E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe zëvendës Ministrja e Financave, Shiret Elezi, e cila potencoi rëndësinë e hapjes të këtij bulevardi.
“Ky projekt është pjesë e përmirësimit të shërbimeve komunale, në të cilin janë ndarë gjithsej 990 mijë euro. Tani veturat në vend të pjesës qendrore, do të mund të kalojnë edhe nga periferia që do të lehtësoje trafikun e ngjeshur në qytet” tha Shiret Elezi.
Bulevardi “Video Smilevski – Bato” është një ndër arteriet kryesore të komunikacionit për trafikun e stërngarkuar të Tetovës.