Në Maqedoni ka edhe 10-vjeçarë që janë përdorues të drogës

Në Maqedoni në çdo 18 orë ka nga një përdorues të ri të drogës, ose nga 500 në vit, njofton Deutsche Welle.

Në disa vitet e fundit, mosha në të cilën fillohet me konsumimin e drogave u zvogëlua në moshën tetë ose nëntë vjeçare, ndërsa arsye për fillimin e konsumimit të drogës janë kërshëria, si dhe dëshira për t’u treguar në shoqëri. Një pjesë e përdoruesve të drogës kanë filluar ta marrin atë për shkak të jofunksionalitetit të familjes së tyre.

Ema Zdravkovski, psikologe, nga Qendra për shërimin e atyre që kanë varësi nga drogat në Veles, që tashmë dy vite punon në kuadër të Departamentit për sëmundje nervore të Spitalit të qytetit, për DW sqaron:

“Shumica prej tyre kanë dëshirë të bisedojnë për problemet e tyre, kërkojnë zgjidhje, dëshirojnë të shërohen, por ka edhe të atillë që nuk duan të bashkëpunojnë. Probleme të veçanta bëjnë ata që para kohe e harxhojnë terapinë e metadonit, të cilën ua japim më parë, për disa ditë. Atëherë vijnë këtu, kërkojnë doza plotësuese, dhe kur nuk i marrin, fjalosen me ne, bërtasin, na kërcënohen, dhe atëherë detyrohemi ta thirrim sigurimin ose policinë”, sqaron Zdravkoski.

Hristijan Jankuloski nga “HOPS”, nga hulumtimet e bëra për këtë problem, për DW thotë:

“Nga ana e institucioneve në Maqedoni, nuk ka rehabilitim dhe risocializim të personave që janë të varur nga drogat. Është shumë brengosës fakti që rritet edhe numri i personave të mitur që përdorin droga, dhe për këtë arsye ’HOPS’ filloi bashkëpunim me institucuionet relevante si Klinikën për fëmijë, Klinikën për psikiatri në Shkup dhe Ministrinë për punë dhe politikë sociale me qëllim që t’u ndihmohet këtyre fëmijëve. Shërimi i këtyre personave edhe në botë është shumë i vështirë. Është alarmante se në vitet e fundit në Maqedoni ka edhe fëmijë nëntë dhe dhjetë vjeçarë, e bile edhe tetëvjeçarë, që përdorin droga. Numri i të miturve deri në 14 vjet vetëm në Shkup është 40, ndërsa shërimi i tyre është shumë i vështirë”, thekson Jankuloski.

Poashtu, nga HOPS theksojnë se në vitet e fundit lufta kundër drogës në Maqedoni ka dhënë rezultate pozitive. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button