Spasovski: Veprimet e secilit anëtar të ekzekutivit duhet të dëshmojnë se shteti është në duar të sigurta

Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, ka deklaruar se vendi i tij është në një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme kur pritet që të funksionojnë në mënyrë të papenguar të gjitha institucionet shtetërore, raporton Anadolu Agency (AA).

Spasovski u adresua në një konferencë për media në godinën e qeverisë. Ai theksoi se të gjitha subjektet pjesëmarrëse në qeveri duhet të kenë përgjegjësi politike dhe profesionale për të mirën e qytetarëve dhe zhvillimin e vendit.

“Vendi ynë është në një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme kur pritet që të funksionojnë në mënyrë të papenguar të gjitha institucionet shtetërore. Kjo është një periudhë në të cilën përgjegjësia personale dhe instuticionale politike dhe profesionale duhet të maksimalizohet dhe të jepet kontributi më i mirë për mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e përparimin e Maqedonisë së Veriut”, tha Spasovski.

Sipas kryeministrit teknik, të gjitha veprimet e secilit anëtar të ekzekutivit duhet të dëshmojnë qartë se qeveria dhe shteti janë në duar të sigurta.

“Në të gjitha vijat e hierarkisë duhet të rrjedh përgjegjësia për t’u treguar qytetarëve tonë se ata duhet të jenë të qetë. Të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve dhe të gjitha detyrimet e institucioneve do të ofrohen në mënyrë të plotë dhe në kohë”, tha Spasovski, duke shtuar se qytetarët nuk duhet të shqetësohen sepse shërbimet dhe të drejtat e tyre do të vazhdojnë të realizohen papenguar.

Të gjitha institucionet, theksoi Spasovski, kanë një përgjegjësi historike për të vazhduar me organizimin e zgjedhjeve siç i ngjajnë “një vendi me demokraci evropiane, të një vendi që përpiqet për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian (BE)”.

Duke theksuar se çdo demokraci është një dekoratë e mediave të lira, Spasovski tha se të gjithë gazetarët dhe punonjësit e mediave duhet të gëzojnë mbrojtje dhe liri maksimale si dhe të dënojnë çdo dhunë dhe gjuhë të urrejtjes ndaj gazetarëve.

Qeveria teknike në Maqedoninë e Veriut u formua më 3 janar, ndërsa zgjedhjet e parakohshme parlamentare planifikohen të mbahen më 12 prill 2020, organizimi i të cilave do të bëhet nga qeveria aktuale teknike e kryesuar nga Spasovski.

Kryeministri i qeverisë së kaluar, Zoran Zaev dha dorëheqje pasi Komisioni Evropian nuk pranoi fillimin e bisedimeve për anëtarësim të vendit të tij në BE, me çka partitë politike u pajtuan për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, organizimin e të cilave do ta kryesojë qeveria teknike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button