Lustrimi: LSDM kundër, VMRO-DPMNE për, Xhaferi me të dy
Ilija Dimovski, deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së është shprehur kundër iniciativës së LSDM-së për anulimin e procesit të lustrimit, transmeton Portalb.mk.
“Pyetja jonë është se kush janë viktimat? Ata që mundësuan persona të caktuar të jenë të likuiduar politikisht dhe fizikisht ose ata të cilët janë likuiduar politikisht dhe fizikisht. Maqedonia duhet të vendos nëse do të shkojë rrugës së eurointegrimeve, nëse do të ndërtojë sistem demokratik sipas shembullit të të gjitha vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ose ende do të jetojë në kohën kur me porosi politike janë zhvilluar procese gjyqësore”, deklaroi Dimovski.
Sipas tij, socialdemokratët akoma vazhdojnë të qeverisin kështu, duke keqpërdorur Prokurorinë speciale publike, duke e llogaritur LSDM-në si trashëgimtare të regjimit të kaluar.
Talat Xhaferi, kryetari i Kuvendit ka theksuar se nuk ka problem as me ligjin e vjetër për lustrim, as me ligjin e ri për anulimin e lustrimit.
“Unë si deputet e kam mbështetur ligjin për lustrim, nuk kam pasur problem me atë ligj, e as që kam problem me ligjin e ri. Në atë kontekst, nuk do të duhej koment i veçantë”, tha Xhaferi.
Ai theksoi se do të mbështesë vendimin që do e marrë Kuvendi, derisa mosmarrëveshjet ndërmjet dy partive më të mëdha si zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Është e qartë se shkojmë në zgjedhje dhe tërë kjo është në kuadër të fushatës”, tha Xhaferi.
Megjithatë ai është kundër bllokadës së Kuvendit, pasi mbështet planin që më 12 shkurt Kuvendi të vetëshpërndahet.
Përndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut e miratoi propozimin e Ministrisë së drejtësisë për anulimin e lustrimit. Me anulimin e vendimit, do të anulohet gjithë vendimet që janë sjell nga lustrimi si dhe pasojat tjera juridike do të bëhen të pavlefshme.
Me Propozim-ligjin për shpallje të pavlefshmërisë dhe shkatërrim i akteve juridike, veprime, masa dhe pasoja juridike nga procedurat për lustrim, sipas ministrisë, do të rregullohet një padrejtësi shumëvjeçare ndaj viktimave të Komisionit për verifikimin e fakteve.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë para dy vjetëve e konstatoi ndërprerjen e mandatit të Komisionit për verifikimin e fakteve.
Nga viti 2009 deri më tani si bashkëpunëtorë dhe dhënës të urdhrave janë shpallur mbi 150 persona, ndërsa janë kontrolluar 30.935 persona.
LEXO: KOMISIONI PËR LUSTRIM
LEXO: LIGJI PËR LUSTRIM
LEXO: RMV, do të anulohet lustrimi, viktimat mund të padisin shtetin