Janë zbardhur emrat e 711 delegatëve të kongresit zgjedhor të PS-së, 10 hoqën dorë për shkak të dekriminalizimit

Partia Socialiste bëri publike dje emrat e 711 delegatëve të kongresit të saj zgjedhor, që do të zhvillohet në fund të muajit shkurt, shkruan BallkanWeb.

Delegatët zyrtarë kanë dalë nga votimi i anëtarësisë përmes parimit një anëtar, një votë, në çdo bashki të vendit, ndërsa risia në këtë kongres është përfaqësimi i grave në masën 50 për qind. Votimi për delegatët e kongresit u zhvillua më 16 nëntor. Por duket se kjo përqindje është tejkaluar, për shkak të procesit të dekriminalizimit.

Pas zgjedhjes së tyre, delegatëve iu dhanë formularët e dekriminalizimit për t’u plotësuar. Disa prej delegatëve kanë pranuar të dorëhiqen, për shkak të pasigurive me të shkuarën e tyre penale. Kjo bëri që përqindja e grave në listën përfundimtare të delegatëve ta kalojë 50 përqindëshin. Numrin më të madh të delegatëve e ka Bashkia e Tiranës, me 106, duke u pasuar nga Bashkia e Vlorës, me 40 delegatë, e më pas Fieri, me 34 delegatë. Por, numri i delegatëve të kongresit do të rritet, për shkak se në PS nuk kanë përfunduar ende zgjedhjet për kryetarin e degës në nivel bashkie.

Deri më 15 janar, çdo bashki e vendit do të ketë kryetarin e saj socialist, ndërsa deri në fund të janarit, duhet të përfundojë zgjedhja për këshillat socialistë të qarqeve. Në kongres do të marrin pjesë dhe 30 delegatë, që u përkasin shqiptarëve në emigracion, të cilët janë votuar nga bashkatdhetarët e tyre në çdo degë socialiste të ngritur kryesisht në Greqi dhe Itali, aty ku numri i shqiptarëve është edhe më i madh.

Por mësohet se delegatë të kongresit socialist me të drejtë vote do të ketë edhe nga shoqatat e dëshmorëve dhe veteranëve të atdheut dhe nga konfederatat e punonjësve, të cilët shumë herë i janë atashuar PS-së në aktivitet e saj politike. Pjesë të kongresit në mënyrë automatike janë dhe ish-kryeministrat socialistë, ish-presidentët, ish-kryetarët e Kuvendit, por edhe deputetët e Grupit Parlamentar Socialist dhe kryetarët e bashkive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button