Haziri: Presidenti dhe numri i ministrive nuk janë pengesë në bisedimet me VV-në

Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) sot do të vazhdojnë takimin e tyre për përpjekje të një marrëveshje përfundimtare për koalicionin mes tyre, transmeton KlanKosova.

Takimi mes kryetarit të VV-së, Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, do të zhvillohet në pasditen e sotme, por që dy liderët ende nuk e kanë caktuar kohën dhe vendin e takimit.

Këtë e konfirmoi për GazetaBlic, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili tha se në këtë takim shpresojmë që të ketë një marrëveshje, pasi që përafrimi ka ndodhur, por që ende ka për të diskutuar dhe qartësuar për pozicionet e tyre.

“Sot pasdite mbahet takimi, liderët e caktojnë kohën dhe vendin”, tha Haziri.

“Ne po shpresojmë, përafrimi që ka ndodhë në finalizimin e marrëveshjes mund të rezultojë me arritjen e marrëveshjes, ende ka nevojë me u qartësu pozicionet tona në mënyrë që me u eleminu çdo problem në të ardhmen”.

Haziri tha se pengesat mes partive nuk kanë të bëjnë specifikisht me postin e Presidentit dhe numrat e ministrive siç po pretendohet, ai tha se në diskutim janë pengesa të tjera.

“Nuk ka të bëjë me kërkesë specifike e aq më pak me atë që po shkruhet e lexohet në sektor, apo me numrat e ministrive, nuk është kjo pjesë as e bisedave të fundit që po bëhen, ne jemi tu i diskutu pengesat tjera”.

Haziri komentoi ekipen e Kurtit për kabinet qeveritar, ai tha se emrat janë kredibil dhe mbeten deputetët të vendosin se a do t’i votojnë apo jo.

“Emrat janë kredibil, është e drejtë e kryetarit të partisë në këtë rast e Kurtit me vlerësu se kush janë përfaqësuesit më të mirë të popullit, përshtypja ime e parë është se emrat janë kredibil janë përfaqësues dhe tani mbesin deputetet e Kuvendit me vendos për ta me i votu apo jo”.

Haziri tha se LDK nuk i ka diskutuar emrat për kabinet qeveritar, shton se së pari duhet të nënshkruhet marrëveshja VV-LDK, më pas të miratohet nga Këshilli dhe Kryesia e LDK-së e në fund të diskutohen emrat për zëvendëskryeministër e ministra.

“Ne duhet të kryejmë marrëveshjen dhe pastaj të vendosim për emra, duhet kryer marrëveshjen, duhet vendos pastaj me kryesinë dhe këshillin e përgjithshëm të LDK-së dhe pastaj diskutojmë për emrat, e ky është larg si proces, pa u kry marrëveshja nuk vendosim për emrat”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button