Nesër Qeveri teknike, nëse sot zgjidhet çështja e ministrit të Punëve të Brendshme

Në periudhën e ardhshme, të paktën ashtu siç është paralajmëruar prej nesër, nëse tejkalohen dallimet rreth propozimit të VMRO-DPMNE-së për ministër teknik të Punëve të Brendshme dhe nëse realizohen të gjitha procedurat, do të formohet Qeveria teknike e cila e ka për obligim ta udhëheqë shtetin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit, njofton Portalb.mk.

Koncepti i Qeverisë, sipas Marrëveshjes së Përzhinës, ishte bërë pas krizës politike të vitit 2015-të, derisa kryeministri aktual, asokohe ishte lider i opozitës dhe publikonte materiale të përgjuara të ashtuquajtura “bomba”.

Ky koncept, i cili tani është edhe obligim ligjor, është pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës në vitin 2016-të, i cili u nënshkrua nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe liderët e BDI-së dhe PDSH-së, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

Tani, disa vjet më vonë, pasi që Maqedonia e Veriut nuk mori dritë jeshile për fillimin e negociatave me BE-në në tetor, Zaevi, si kryeministër, vendosi që vendin ta çojë në zgjedhje të parakohshme.

Qeveria teknike formohet 100 ditë përpara zgjedhjeve, ndërkaq kryeministri ka paralajmëruar se më 3 janar do të deponojë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit. Sipas procedurës, Kuvendi e konstaton dorëheqjen dhe me atë bie tërë qeveria, ndërkaq më pas presidenti Stevo Pendarovski duhet t’ia japë mandatin ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovksi, i cili nga trupat më të lartë partiak të LSDM-së u propozua për kryeministër teknik. Spasovski më pas duhet që ta propozojë qeverinë e re, ndërkaq Kuvendi duhet ta votojë përbërjen e re të Qeverisë teknike.

Spasovski e pranon sfidën e opozitës, megjithatë jo edhe propozimin e VMRO-DPMNE-së për ministër të Punëve të Brendshme

ZV/kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme dhe mandatari i ardhshëm për Qeverinë teknike, Oliver Spasovksi, thotë se ai parimisht nuk ka problem me të propozuarit nga opozita për ministra teknik, me përjashtim të propozimit për ministër të punëve të Brendshme, për të cilin vlerësohet se do të kontribuojë në militarizimin e MPB-së.

Spasovski dje, gjatë kohës së vizitës në Tetovë shprehu besim se opozita do të propozojë kandidat të ri, i cili do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në pyetje gazetareske nëse pret propozim të ri për ministër teknik të MPB-së, ai tha:

“Mendoj se atë do ta bëjnë dhe bashkë do të hyjnë në atë qeveri kalimtare e cila duhet t’i mbarojë të gjitha procedurat deri në zgjedhje. Jemi të gatshëm që të vazhdojmë me dinamikë të tillë dhe me përkushtim të punojmë për qytetarët në periudhën parazgjedhore, pasi që Maqedonia nuk guxon që t’i lejojë vetes të ndalohen projektet dhe të ketë ngecje në reforma. Përkundrazi duhet të shkelim përpara në mënyrë të fortë dhe energjike, për qytetarët dhe Maqedoninë e Veriut”, ka theksuar Spasovski.

Ai edhe dje, por edhe ditëve të kaluara ka mbetur në qëndrimin se patjetër të respektohet Kushtetuta dhe se propozimi për ministër të MPB-së nuk guxon që të jetë në kundërshtim me Kushtetutën.

VMRO-DPMNE javën e kaluar e propozoi Dragan Kovaçkin për ministër teknik të MPB-së, ndërkaq pushteti për propozimin hapi mëdyshje nëse është në pajtueshmëri me Kushtetutën, pasi që u theksua se bëhet fjalë për person ushtarak në detyrë të Armatës. Kovaçki vjen nga ARM dhe me gradë është kolonel. Ai ka karrierë të gjatë në ushtri, mes tjerash edhe si komandant i Brigadës së Parë të Mekanizuar Tokësore.

Zaev, të shtunën në takim me Mickoskin, ka theksuar se bëhet fjalë për person ushtarak dhe prej këtu del mëdyshja nëse Kushtetuta, në pajtueshmëri me nenin 97 atë e lejon, por edhe Ligji për Armatë dhe Ligji për shërbim në MPB.

MPB, ashtu siç kanë paralajmëruar në fillim të javës sot duhet që të vendosin në lidhje me Kovaçkin. Zaev, ashtu siç publikuan mediat më 31 dhjetor, nëpërmjet një bisede telefonike i ka thënë Mickoskit që të propozojë emër të ri për ministër teknik të MPB-së, ndërkaq kandidatët tjerë të opozitës janë të pranueshëm për pushtetit.

Mickoski, dje në ditën e parë të vitit është takuar me anëtarët e kabinetit të tij dhe me kandidatët për ministra dhe zv/ministra të propozuar nga partia e tij për Qeverinë teknike dhe zbatimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button